Kryeministri Edi Rama gjatë diskutimeve me banorët e Zvërnecit në Vlorë, lidhur me investimin që pritet të realizohet atje, është shprehur se gjithçka që po ndodh atje është një çështje private mes pronarëve të pronave dhe investitorëve.

Komentet Rama i bëri gjatë bashkëbisedimit me një prej pretendentëve për pronën në Zvërnec, ku do të realizohet projekti.

Shtetasi Gentjan Moçka ka theksuar gjatë fjalës së tij se është ende në gjyq për këtë pronë. Ai tha se ishte e habitshme sesi prona u është shitur investitorëve, pa u marrë ende një vendim përfundimtar nga Gjykata.

“Quhet Gentjan Moçka, një nga pretenduesit e pronës ku është vënë gardhi. Të gjithë kanë folur, përveçse ne. Kam një vërejtje personale për ju. Çështja jonë është ende duke u gjykuar. Unë pas një javë jam sërish në gjyq. Pasnesër jam në gjyq për kthimin fizik të pronës. Ju keni thënë se ajo pronë është e trashëguar dembabadem. Mua kjo më preu, sepse çfarë të pres unë tani nga gjykata. Mua më kanë sorollatur për 35 vite. Për 25 vite luftoi im atë derisa vdiq. Pastaj u mora unë me të”, tha qytetari.

Ndërkohë Rama tha se prona në Zvërnec është tërësisht çështje private, mes pronarëve privatë të tokës dhe investitorëve.

Sipas kryeministrit Rama, është gjykata ajo që vendos se e kujt është prona dhe jo Qeveria shqiptare.

“Unë kam thënë që prona është kthyer denbabaden. Pronat e kthyera janë prona të trashëguara me ligj. A ka kthime të gabuara apo të padreja, me siguri që ka plotë. Por këtë nuk e vendos unë, por vetëm gjykata. Ndjesë nëse nuk më ke kuptuar si duhet, sepse unë nuk përfaqësoj pronarët. Nuk kam idenë fare se çfarë marrëveshje kanë bërë pronarët e pronës me investitorët. Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shfaqja e interesit të familjes së Presidendit të SHBA-së për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë që në atë kohë se Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Kështu që Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te prona private, këtë e vendosin pronarët, jo qeveritë apo protestuesit. Përsa kohë ajo tokë është e blerë nga investitorët, ajo tani është tokë e investitorit. Ka rezultuar që për një subjekt që ka bërë shitjen e pronës, ka një hetim. Për këtë arsye është bllokuar fondi që kanë paguar investitorët. Hetimi nuk zhvillohet për kompaninë, por është një hetim në proces për një individ që ka shitur pronën”, vijoi më tej Rama.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Rama takim me banorët e Zvërnecit: Do merrni paratë nëse gjykata do ju njohë si pronarë! 500 mijë veta të dalin në protestë, s’mjaftojnë për të ndalur projektin