Kryengritja e Postribës, me 9 shtator 1946 është trajtuar shpesh vitet e fundit, ndërsa një vëmendje e posaçme ju dha këtë vit në një aktivitet me rastin e 71-vjetorit të kësaj ngjarjeje, mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar. Dëshmi të shumta e fakte dokumentare janë publikuar për organizmin e kësaj kryengritjeje, e cilësuar si një ndër të parat kundër komunizmit në Europë.
Në katër numra të gazetës Shqiptarja.com, botuam këto ditë fjalën e mabjtur në këtë aktivitet nga Hamza Kazazi, djali i Jup Kazazit, drejtuesit të kësaj kryengritjeje, ndërsa sot sjellim një dokument që jep të dhëna të rëndësishme mbi këtë ngjarje. Çfarë raportonin në Komitetin Qendror njerëzit e partisë dhe drejtuesit e Sigurimti të Shtetit që atëkohë quhej “Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit”? Spiro Pano, në emër të Komitetit Qarkor të Partisë raportonte me detaje se çfarë kishte ndodhur me 9 shtator në Postribë dhe si po perceptohej në popull kjo ngjarje, e rrjedhimisht se si duheshin organizuar për ta frenuar e për të parandaluar çdo tentativë tjetër të këtij lloji.
Më poshtë e sjellim të plotë këtë raport të Spiro Panos, një dokument i cili ruhet ën AQSH mes shumë shkresave të tjera që dëshmojnë aksionet në veri të Shqipërisë për eleminimin e gjithë kundërshtarëve të komunizmit.
Dokumenti i plotë
KOMITETI QARKOR I P.K.SH.
VDEKJE FASHIZMIT
LIRI POPULLIT
PËR SHKODRËN
Nr. 503/1
Shkodër më 14.9.1946
Komitetit Qendror të P.K.Sh.
T i r a n ë
Të dashur shokë,
Në vijim të shkresës s’onë Nr. 503 dt 9.9.1946, ju japim këto njoftime të reja rreth goditjes s’ilegalëve afër kazermave t’ona:
Si del sot, dhe në bazë të informatave të fundit, numri i atyrve që kanë marrë pjesë në aksion nuk qenë 50 për gati 300 veta nga katundet e komuneve Postribë e Gur’i zi. Udhëheqësi i aksionit na del Jup Kazazi dhe rreth tij një pjesë e mirë kulakësh, tipa kapadainjsh, tregtarësh të tatuar, oficerash të Zogut etj. Këta nuk ishin të gjithë të gjithë të armatosur. Nga sa njoftohemi këtyre __________ u është paraqitur situata e përmbysur këtu, sikur gjoja Greku hyri në Shqipëri, Englezi zbarkoi në Durrës e kështu nuk mbetesh tjetër veç se të hynin në Shkodër.
Gjithashtu nuk na del si diçka e shkëputur në lidhje me mobilizimin vetëm, por si diçka në lidhje me gjithë situatën e jashtme, mbassi ditët e fundit informohemi se të tilla aksione do të bëhen gjoja në Lesh Koplik e gjekët. Ne shkuam me Zoin në Lesh dhe pakë se ka një farë lëvizjeje ilegalësh dhe miqsh të tyre në qytet. Shokët e kanë shtruar dhe kanë marrë disa masa. Ne u dhamë dhe udhëzime të tjera, në mënyrë që të goasim tashti, para se të na godasin ata. U-vumë në dukje pësimin t’onë në Shkodër dhe kujdesin që duhet të ketë organizata, për të mos e pësuar për të dytën herë.
Nga këto veprime ne nxjerrim këtë përfundim:
1. Dobësin e organizatës s’onë në fshat. Të bëhet një aksion i tillë, ose më mirë kjo përgatitje dhe ne të mos marrim vesh, do të thotë se ne jemi mjaft të dobët në fshat dhe gjer diku e në qytet. Kjo i është vënë në dukje organizatës që në ditën e parë. Është shtruar në qarkor dhe në Komitetin e Qytetit, por gjer më sot nuk është zgjidhur (problemi i periferisë). Bazat t’ona janë të dobëta këtu, fshatarët e mesëm dhe pasanikë janë të lidhur me Jupin dhe këta kanë me vehte dhe fshatarë të varfër injorantë e të lëkundur. Ne kemi një çelulë fshati me 6-7 veta dhe kjo çelulë kontrollon 70 katunde të qendrës; kemi dhe aktive të rinis komuniste por të pakta dhe të okupuara me punën e garavet, të rrugës Kukës Peshkëpi etj.
Kjo çelulë nuk është ndihmuar sa duhet. Komiteti i Qytetit nuk e lot rolin e tij drejtonjës, prandaj dhe ne kemi propozuar ndryshime në këtë Komitet. Ky Komitet nuk e sheh dhe aqë drejt situatën dhe nuk ka mundur të forcojë bazën e tij në fshat.
2. Pastaj vetë ne të qarkorit dhe të Mbrojtjes nuk mendonim se mund të mbrinin reaksionarët gjer këtu. Prova e asaj nate nxori në shesh fajin t’onë dhe na dha të kuptojmë se edhe pakujdesija më e vogël na kushton. E drejta është që ne nuk dinim gjë mbi këtë pregatitje, organizata gjer më 8 Shtator vazhdonte punën e qetë, sikur të mos ndodhte asgjë. Puna e mobilizimit ecte me rregull dhe gjer në atë ditë nuk ishte vrejtur dezertim. I kishte thënë shokut Nesti Kopali nga Komiteti i Partis se “flitet që më 9 do të sulmohet Shkodra” por të tilla fjalë janë dëgjuar dhe herë të tjera dhe nga ne quheshin të pabesuara (duke marrë parasysh sukseset që kemi patur ne në Shkodër kohët e fundit: në manifestimet e protestës që ishin më se të gjalla muarën pjesë nga 20.000, 10.000 qytetarë e fshatarë, dy tri herë me rradhë, parulla nuk para dëgjoheshin, lëvizjet e reaksionit ishin bërë më të ralla e me shumë ruajtje puna vullnetare ecte më me rregull, në pushtet ishin bërë pastrime etj nuk mendonin se armiqt do t’ishin aqë të marrë sa të ndërmerrnin një aventurë të tillë. Kjo u-bë dhe ky pësim do të bëhet për ne mësim i mirë). Ne nuk na e thanë këtë fjalë, veç se të nesërmen e sulmit mbi Shkodër. Nesti vetë nuk i ka dhënë rëndësi dhe e ka lënë në heshtje.
3. Mëndje lehtësin e shokëve të fshatit dhe mungesën e vendosmëris së tyre: Shoku Faik Metushi, përgjegjës në fshat (periferi) lajmërohet më datën 8 shtator ora 4 pasdreke nga një katundar besnik se “sonte Jupi sulmon Shkodrën”.
Ky nuk lajmëron Komitetin e Mbrojtjen por kërkon të vijë nga katundi Murat Visha (një shok nga Jugu) për të marrë informata më të sakta. Por nuk mendon se koha nuk pret. Murati vetë nuk erdhi pse e la për nesër (ky pretendon se nuk dinte gjë pse e kërkonte Faiku). Sot e thotë Murati këtë, 4 ditë pas aksionit; U-thir Faiku dhe aprovoi thënëjen e Muratit. Shoku nuk i ka dhënë rëndësi fjalës së fshatarit dhe e la punën të kalojë, sado që e dinte mirë se çdo informatë – sado e vogël që t’ishte – duhesh t’i shkonte me një herë Seksionit e Komitetit. Aqë më tepër kjo që ishte urgjente.
Këtë ne e quajmë gabim trashanik, por duke marrë parasysh të kaluarën e këtij shoku, trimrin që ka treguar gjatë luftës kundra Fashizmit dhe besnikërin që ka treguar, nuk vendosim para se të marrim informata më të plota dhe para se t’a studiojmë çështjen në qarkor të Partis. Për këtë do t’ju lajmërojmë më vonë.
Shoku Murat Visha merr vesh në fshat se bëhen mbledhje reaksionarësh dhe nuk lajmëron. Bile ruhet se mos e vrasin atë vetë. Ktu ay tregon pavëndosmërin e tij. Një katundar na tha kështu: “Unë për mbledhjen dhe rrezikun lajmërova shokun Murat Visha, përgjegjësin e Frontit. Ai më tha shko në shtëpi se na vrasin. Dhe vetë shkoi në një katund tjetër”. Nuk e dijmë gjer ku janë të vërteta fjalët e tij; Murati i mohoj dhe tha se “unë kam dëgjuar parulla rreth mobilizimin por jamë mjaftuar duke i demaskuar. Mora vesh se bëhesh një mbledhje por kërkoja informata më tepër për të qenë më i kjartë”. Edhe për këtë shokë do t’a shtrojmë çështjen dhe do të marrim një vendim, mbassi akoma nuk kemi lajme të plota nha qendra.
Shoku Riza Ymeri, trim në luftën kundra Fashizmit, ndodhet në Shtoj natën e aksionit. Dëgjon bisedat e kriminelave, merr vesh se do të sulmohet Shkodra dhe nuk ikën natën të vijë të lajmëroj po futet në shtëpi se mos e vrasin, pse ishte pa armë. Nuk mendon rrezikun e Shkodrës e të Partis së tij, por mendon rrezikun e kokës së tij. Por ky shok si thamë edhe më lartë, ka qenë trim në luftën kundra Fashizmit. Ai vetë thotë se unë nuk i dhashë fort rëndësi këtij sulmi dhe më erdhi plasja që ishja pa armë.
Këtu del pra se përveç se kemi fare pak shokënë fshat, por edhe ata të pakët nuk janë të kjartë në punën e tyre dhe jo të vendosur për vdekje. Komiteti i Qendrës nuk e ka shtruar seriozisht këtë problem.
Këto të meta, neve në bashkëpunim me Seksionin, i shtrojmë në qarkor; do të shtrojmë drejt pakujdesin t’onë dhe gabimet e shokëve që thamë më lartë. Për këto shokë do t’ju njoftojmë në relacion të veçantë. Ndërkaq organizata u-vu në dijeni mbi të metën e saj dhe mbi përgjegjësin që rëndon mbi supet t’ona. Iu theksua puna e armiqëve, situata, bashkpunimi me Seksionin dhe insistimi në kapjen e Jupit. Seksioni është duke u-futur diçka në vijë rreth zbulimit të bazës në qytet dhe në katunde. Goditjet t’ona janë të rrepta (arestime, djegëje shtëpish, pushkatime) dhe godasin kapodainjtë, fshatarët e mesëm ose të pasur të lidhur me reaksionin, tregtarë të tatuar dhe ndonjë këlysh të tyre të shtresës së ulët.
Aksioni ka bërë një farë përshtypje, por në qytet qetësija dhe rregulli vazhdoi. Në masë diskutohet si diçka e çmëndur dhe flitet mirë për veprimin e shpejtë dhe për trimërin e partizanëve t’anë. Ka pasë lidhje me qytetin aksioni, po natën e sulmit nuk u-vrejtën lëvizje serioze nga kundërshtarët. Si dukesh prisnin.
Një pjesë e shokëve t’anë dolli me një herë përjashta dhe u-shpërnda nëpër rrugët afër veprimeve, sado që çështja ishte e papritur. Ne i takuam vetë këtej e andej duke ruajtur. Disa nuk duallën se s’kishin armë, ose s’dëgjuan, ndokush edhe u-pengua nga partizanët (si sivil). Nuk u-vrejt ndonjë alarm ose ndonjë tronditje në organizatë, por ne ua vumë në dukje shokëve se çdo të thotë kjo për ne, sot që protestojmë kundra provokacioneve greke, sot që shtojmë çështjen e indipendencës e të Atdheut dhe që në Konferencën e Paqes nabëhen kaq pengesa. [sigurisht ka edhe shokë që nuk duallën nga frika po është zor t’a faktojmë. Do të hetojmë].
Që të nesërmen e aksionit qyteti punonte në rregull. Populli lëvizte rrugëve dhe natën qëndroi përjashta si zakonisht. Sa për mobilizimin del se një pjesë ka munguar. Siç na raportoi Zyra e Rekrutimit në Koplik ka shkuar mirë, në qendër ka pasur afro 50-60 mungesa, sidomos nga ato katunde që muarën pjesë në aksion (Komuna Postribë, dhe Gur’i zi) në Lesh na u-raportua se puna shkon mirë, kurse ne u-informuam se dhe atje ka disa dezertime (rreth 30-40 vetave). Me pak fjalë numri i atyrve që dezertuan paraqitet rreth 100 po është më i pakët se një pjesë mund të vijnë (janë largë). Këtu ne dyshojmë në vetë përgjegjsat e rekrutimit.
Shkuam vetë në Rekrutim dhe muarëm listën si më 9 si më 10 Shtator. Si Majori, si kapiteni që është atje nuk na tha se në Lesh ka dezertime. Bile na tha se ka shkuar mirë në Koplik, Lesh e Qendër, veç katundeve që muarën pjesë në aksionin. Seksioni është në dijeni të kësaj dhe dyshohet që kapiteni i rekrutimit të jetë i ngatruar me armiqt. Jemi në hetim të çështjes.
Sot dhe dje pëshpëritet se aksioni do të vazhdoj mbi Leshin e Koplikun. Flitet se gjoja implikohet këtu edhe Osman Mlika, kryetari i Pushtetit në Lesh. Ka dhe nëpunësa të pushtetit që ngatrohen, sidomos katolikë. Seksioni është lajmëruar dhe organizata. Ne tashti i kemi marrë masat e para dhe goditjet t’ona vazhdojnë si në qytet si në fshat; njikohësisht vazhdon demaskimi i kriminelit Jup Kazazi dhe dëmi që u erdhi fshatarëve nga ky aventurijer.
Është mirë që operacioni i rreptë kundra krerëve dhe bajraktarëve të Dukagjinit (e miqëve të tyre) të fillojë sa më parë e të paralizohet Shlaku i cili përbën një krahë për Postribën. Njikohësisht të vazhdojnë masat në qytet e periferi duke patur në kujdes që të goditen pronarët, tregtarët e tatuar, ish oficerat e Zogut se sa masa e varfër. Shihet tendencë dorëzimi e atyrve që kanë ikur nga frika e raprezaljeve.
P. Komitetin Qarkor të Partisë
(Spiro Pano)
(firma, vula)
Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com