Duhet të sqaroj edhe rolin e rëndësishëm të Abdullah Kazazit. Ai ka kryer në përgjithësi lidhjen e komunikimin e krahinave dhe të personave të aktivizuar për kryengritjen me Jupin.
Tek ai vinin qytetarë, katundarë e malësorë si te nje person i njohur në Shkodër e me miqësira në të gjitha anët. Kështu që ata merrnin ose sillnin mesazhe. Për lidhjet shpesh ishte i biri Sabriu.
Edhe ai kurrë nuk shkonte vetë, por kishte korrierë të tjerë e nganjëherë si të fundit kanë përdorur edhe fëmijët. E kanë bërë mjaft edhe gratë prej fshatrave, që hynin në shtëpi me ndonjë shportë, sikur shisnin vezë etj.
Shtoj se korrierët nuk kanë ditur se ishte për Jupin e se ku ishte. Është shkruar se në gjyq Abdullah Aga, siç e kanë pas thirrur, ka deklaruar se i ka çuar Jupit lekë e napolona prej të ardhurave e pronave të familjes.
Kjo është shumë e vërtetë, pse kur Jupi ishte në mal, shumë herë ka paguar shpenzimet që bënin për të, pse kryesisht ishin armatimet. U është dashur të paguanin jo vetëm për vete, por edhe për personat e tjerë që kishin në grup.
Për këtë më ka pas thënë edhe nëna, se herë pas here vinte në përgjithësi grua, gjoja për të shitur, që nuk dinte se sillte letër nga Jupi dhe ajo i dërgonte ndonjë napolon floriri dhe fanela etj., pa e ditur personi se ç’kishte sjellë e çfarë merrte. Kështu që familja jonë ka kontibuar edhe ekonomikisht për luftën kundër diktaturës. Abdullait të torturuar, në qeli i vjen oficeri me automatik në krah, dhe duke qeshur i thotë:
“Ta vramë djalin, Abdullah!”. Ishte fjala për Rasimin, djalosh i ri. Ai thirri: “Kriminela!” dhe i hidhet e i shkul automatikun e do të kishte vrarë disa veta me gjithë oficerin, por fatkeqësisht ishte në siguresë e ai nuk dinte ta përdorte. Mbasi u tmerruan, ata iu hodhën përsipër dhe merrini me mend torturat.
Roli më i rëndësishëm i Abdullait si dhe i Rifat Koplikut e Shyqyriut ishte se me fillimin e kryengritjes ishin kryesorët, nga ata që do të dilnin për të mobilizuar e të ngrinin sa më shumë njerëz. Kanë qenë edhe nga ana katolike e persona të tjerë, por nuk kujtoj emra.
Gjithashtu disa sqarime për Rifat Koplikun me të vëllanë Shyqyriun që kishin rolin e rëndësishëm. Ata përgatitën strehimin e Jupit, nipit të tyre. Siç e kam thënë, sa bënë rrethimin në orën 3 të mëngjesit, Rifatin me djemtë Ahmetin e Sadedinin e Shyqyriun i thirrën dhe i arrestuan, e të gjitha gratë e shtëpisë i thirrën të dilnin jashtë.
Kështu, sikur është shkruar në ndonjë vend, mund të dalë dyshimi se mund ta ketë nxjerrë Jupin ai ose i biri, Ahmeti. Është krejt e pamundur, pse ata u arrestuan mbas zbulimit të Jupit, që atë ditë, më 17 shtator, e jo menjëherë mbas kryengritjes.
Në “Lista e të burgosurve të qytetit në lidhje me ngjarjen e datës 9/9/1946” prej 26 vetash të arrestuar në Shkodër për kryengritjen, e firmosur prej komandantit të qarkut M. P. major Mihallaq Ziçishti, tek emrat e Rifat Koplikut, Shyqyriut, Ahmetit e Sadedinit është data 17/9 dhe të vetmit që kanë shëninin anash: “për Jup Kazazin”.
Rifati pati burrërinë e inteligjencën se kur i arrestuan i tha të vëllait që do ta merrte përsipër strehimin e Jupit, përndryshe do t’i vritnin të dy. Kështu Shyqyriu bëri 10 vjet burg dhe e kujtoi mirë atë burrë të urtë e të qetë që më përkëdhelte.
Ai më ka folur për shumë gjëra që kam shkruar dhe e dinte mirë zhvillimin e ngjarjeve, komunikimet e idetë e Jupit. Gjithashtu, siç e kam thënë, ka ditur mjfat edhe Ahmeti, atëherë 16 vjeç, e di Sadedini. Po shtoj se të gjithëve u kanë bërë tortura të tmerrshme për ndëshkim edhe pse u arrestuan pas zbulimit të Jupit. Ahmetin e ri e tirturuan dhe e kanë lënë 4 ditë të varur prej krahësh para syve të babait.
Dihet se Kryengritja e Postribës si edhe shumë ngjarje të tjera u bënë preteksti për të akuzuar e eliminuar pjesën më të mirë të patriotëve, klerin, kryesisht atë katolik, deputetët opozitarë, heronj që kërkuan të ndryshojnë gjendjen në mënyrë demokratike, njerëzit me emër e influencë e intelektualët si elementë që paraqitnin rrezik. Viktimat qenë një pjesë e konsideruar e të dënuarve me burgje e edhe me vdekje, si deputetët, priftërinjtë etj. Këtë e kemi ditur e ma thotë prof.
Sami Repishti, i mbijetuar, se edhe ai ka qenë një prej viktimave e nuk ka ditur aspak as se do të bëhej kryengritje, veç kur ka dëgjuar pushkët e as nuk kishte biseduar me njeri, megjithatë e kanë akuzuar dhe edhe ka firmosur, për t’u shpëtuar torturave kur arritën kulmin. Vjet, më 9 shtator, ka shkruar në “Panorama” për Kryengritjen e Postribës dhe konfirmon këtë dhe mbetet dokument. Për kryengritjen nuk di shumë, por vetëm çka ka dëgjuar.
Ai ka shkruar se Cin Serreqi i ka konfiduar, kur ishin në qeli së bashku, që po e torturonin tmerrësisht për të pranuar për mbledhjen e sajuar, të bërë në shtëpinë e tij, për fillimin e kryengritjes e të jepte emra, ndërsa ajo mbledhje as nuk ishte bërë. Po për këtë në TV Klan – Histori me zhurmues – më 2009, i nipi Gulielm Serreqi dëshmon se mbledhja në shtëpinë e tyre nuk është bërë, por ka qenë sajuar prej sigurimit.
Ju ka shkuar në shtëpi Zoi Themeli me të tjerë e vetëm kanë fotografuar dhomën e pritjes. Siç duket për t’ua bërë të njohur atyre që mbas torturash të tmerrshme i detyruan të pranojnë. Në akt-akuzat e hetuesive del se në mbledhje ka qenë edhe Rasim Gjyrezi. Kjo është e pamundur, pse Rasimi kishte kohë që ishte ilegal me grupin e tij të armatosur dhe u vra mbas kryengritjes.
Shumë intelektualë i kanë pas torturuar tmerrësisht si prof. Qemal Draçinin i cili, i torturuar e shumë i dobësuar, i kërkoi DDT (insekticid për morrat) dhe e kapërdiu të gjithë. Në gjendje shumë të rëndë e duke dhënë shpirt, ai u tha: “Shpëtova!
Nuk keni çka me më ba ma!”. Por s’ka fund lista e njerëzve të masakruar. Unë di me sigurinë më të madhe prej personash me lidhje familjare e miq që janë akuzuar për kryengritjen pa pasur dijeni dhe asnjë bisedim ose veprim. P.sh. në librin “Kryengritjet kundërkomuniste” del Xhevat Dani, shok i Jupit e me lidhje familjare, të cilin e dënuan për pasurinë, si nip i Riza Danit e si intelektua, me të cilin e kam pas biseduar para disa viteve deri sa jetonte. Por si do t’i jepnin 10 vjet burg?
E di me siguri për kunatin e tij e me lidhje familjare me mua Asim Ulqinakun i arrestuar si tregtar e për arin, që s’ka pasur të bëjë aspak. Po kështu jam i sigurt për Xhevat Metën i martuar me kushërirën time, vajzën e Rifat Koplikut.
Me rëndësi për t’u studiuar, thelluar e për t’u zbardhur janë akuzat për dënimin e grupit të deputetëve. Të gjithë ata, për t’i dënuar me vdekje, kanë edhe akuzën më të rëndë “për organizim kryengritje të armatosur”. E si mund t’i dënonin? Pse donin demokraci, përmirësim të gjendjes ekonomike të popullit dhe qenë kundër kushtetutës së diktatorit?
Ata u bënë heronj, pse duke ditur rrezikun që i priste, dolën kundër diktaturës. Akuzën e ka pasur kumbari im Sheftqet Beja, pra miku më i respektuar i Jupit, megjithëse me ide të ndryshme, që në gjyq ka thënë se e ka ditur që kishte përgatitje për kryengritje, sikurse e ka ditur shteti shqiptar me organet përkatëse, por ai as kishte të bënte fare.
Po kështu edhe Riza Dani, mik i familjes, nuk ka pranuar asgjë dhe ka dokumente. Shtëpia e Rifat Koplikut, ku ishte i strehuar Jupi, ndahej me një mur me shtëpinë e Riza Danit, përveç miqësisë.
E di me siguri prej të mive, që ai nuk ka pasur asnjë lidhje. Unë kam një dokument të akuzës për Pertef Karagjozin, vjehrri i motrës sime, ekonomist, i dënuar me vdekje me grupin e deputetëve. Edhe për atë akuza është “përgatitje për kryengritje kundër pushtetit popullor”, megjithëse nuk ka pasur të bëjë me politikën e për më tepër me asnjë aktivitet kundër regjimit.
Gjatë kërkimeve të mia në Arkivin e Shtetit për tim atë e kryengritjen, më kanë dalë dokumente me shumë interes, si për demaskimin e klerit e të deputetit Kol Prela. Në Fondin 14, V. 1946, D. 50, Fl. 49, në datën 16 shkurt 1946, Spiro Pano i shkruan Koçi Xoxes ndër të tjera: “Kol Prela përfaqësues i Dukagjinit n’Asamble dhe don Luigj Pici,
Kryetar i Frontit të Qarkut ... lëshuan deklaratat pro kriminelave që gjykohen në Shkodër... (deklaratat ishin për priftërinjtë) ... Mendojmë pregatitjen e terrenit me axhitasion të vogël e konferenca të ngushta për rrëzimin e don Luigjit ...Sa për Kol Prelën, mbasi dhe deklarata e tij është elastike rezevohemi. Prandaj lutemi na dërgoni udhëzime veprimi. ...Spiro Pano.
Ndërsa në të njëjtën dosje fl. 50, datë 18 shkurt, Koçi Xoxe i shkruan: “Konspirative. - ...Për don Luigj Picin të fillohet demaskimi direkt duke u mbështetur në deklaratën e lëshuar pro kriminelave të luftës dhe fashistave. ...(që ishin priftërinjtë) ... Për Kol Prelën pregatitni terrenin në mënyrë të atillë që t’i presim rrënjët nga populli duke pasur prespektivë që dal na dalë të dalë nga vetë populli kërkimi për rrëzimin e tij si antar i Asamblesë. ...Koçi Xoxe”. Shtoj se don Luigj Picin e vranë pabesisht në Koplik në nëntor 1946, pra Sigurimi, ndërsa Kol Prela qe në prej deputetëve të dënuar me vdekje.
Unë kam takuar njerëz me intelekt të konsiderueshëm, familjarë e miq të të akuzuarve e të të dënuarve me akuzën për kryengritje dhe thonë se komunistët gjetën pretekstin për eliminimin e personave sipas tyre të rrezikshëm, pse kishin patriotizëm, aftësi dhe ishin antikomunistë.
Postribasit e patën treguar antikomunizmin e tyre, qysh se i kishin mobilizuar me forcë e më 29 nëntor deshën t’i futnin në paradë në Shkodër. Ata kundërshtuan me insistim për të mos parakaluar e komandantët komunistë gati donin t’i vritnin por i lanë të lirë mbasi ndërhynë Riza Dani e Nuh Kazazi, kushëriri ynë që qe bërë komunist por nuk ka bërë keq e nuk pati funksione. Kjo është në ditarin e Jupit mbasi doli në mal dhe nuk e ka dokumentuar askush.
Do të shtoj se për veprën e sakrificën e Jupit, forcat shqiptare që përgatitein në Perëndim e dërgonin të quajturit diversantë, kanë dërguar për të na marrë nënën me ne, dy fëmijët.
Në vitin 1948-1949 ka ardhur një ditë vonë në shtëpi Hazizi, djali i Taip Halit Rrustja nga Bërdica, i pushkatuar si bashkëluftëtar i Jupit dhe i ka thënë nënës se e kishin çuar ta merrnin me gjithë dy fëmijët, se ishte i përgatitur mirë dhe i sigurt për të kaluar kufirin e do të vinte të nesërmen për përgjigje.
Të nesërmen nëna i tha se nuk mund të rrezikonte sadopak fëmijët. Mbas rreth dy muaj e zbuluan në Cukal, nuk u dorëzua por u vra heroikisht. Nëna thoshte nganjëherë se i vinte shumë keq për atë djalosh, pse sikur të kishim shkuar me të, do të ishte gjallë.
Jup Kazazit më 2009 qyteti i Shkodrës i tha titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe më 6 qershor 2017 Presidenti i Republikës Bujar Nishani i dha “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes).
Thirrje historianëve e sidomos brezit të ri: Keni detyrën e rëndësishme të bëni siç duhet historinë e vendit tonë të martirizuar. Kërkoni me durim në të gjitha arkivat e për personat.
Kryengritja e Postribës konsiderohet si ndër të parat në Evropë kundër komunizmit. Ajo mbetet heroike e simbol i luftës kundër komunizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.
Ajo konsiderohet e ka rëndësi të jashtëzakonshme për qëllimin që ishte jo vetëm marrja e Shkodrës, por e gjithë Shqipërisë. Gjithashtu nuk bie më poshtë e duhet kujtuar Kryengritja e Malësisë së Madhe më 1945.
Mban vendin kryesor Kryengritja e Postribës, mbasi ajo ishte për t’u bërë në shkallë kombëtare. Ajo nuk duhet të quhet lëvizje, por kryengritje, mbasi qe populli që ngriti krye.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com