Kryeparlamentari Gashi: Maqedonia e Veriut nuk ka hequr dorë nga ndryshimet kushtetuese

Kryeparlamentari Gashi: Maqedonia e Veriut nuk ka hequr dorë nga ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi i cili qëndroi gjatë javës në Uashington tha për Zërin e Amerikës se Shkupi do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që janë kusht i BE-së për procesin integrues të vendit. Kryeministri Hirstijan Mickovski ndërkohë është shprehur se ai nuk i mbështet ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, ai tha se politikanët shqiptarë duhet të bëjnë kujdes me trysninë për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, pasi bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme që ka të bëjë me identitetin etnik e kulturor të shumicës.

Gashi, gjatë bisedës me kolegun Artan Haraqija, i hodhi poshtë edhe kritikat e opozitës shqiptare për përbërjen etnike të delegacionit qeveritar të Maqedonisë së Veriut që po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington.

Zëri i Amerikës: Opozita shqiptare ka bërë kritika ndaj pushtetit në vendin tuaj pasi Kryeministri nuk ka përfshirë asnjë anëtar shqiptar të qeverisë në delegacionin që po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s. Cili është komenti juaj për këtë kritikë?

Afrim Gashi: Është normale që opozita të merret me kritika. Unë nuk jam një prej atyre politikanëve që bën kritika ndaj kritikës. Kjo është punë e opozitës, të kritikojnë, të flasin. Kështu funksionon demokracia, unë kështu e kuptojë këtë punë. Nuk jam i shqetësuar për atë se çfarë ata mendojnë. Fakti që unë jam këtu dhe jam pjesë e delegacionit në nivelin më të lartë është dëshmia më e mirë se si është përbërë ky delegacion. Unë inkurajoj opozitën që të vazhdojë të kritikojë sepse kështu ne duhet të mësohemi të punojmë. Ne që jemi në pushtet, që kemi marrë përgjegjësi, duhet ta kuptojmë opozitën pasi atë punë e kanë ata dhe ne duhet të jemi të hapur ndaj kritikave të tyre.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zëvendëskryeministri i parë i qeverisë është shqiptar dhe kritika është përse ai nuk u bë pjesë e delegacionit...?

Afrim Gashi: Ju e dini që çështja e samitit të NATO-s është e përcaktuar me funksione. Këtu janë ministri i brendshëm, i jashtëm, i mbrojtjes dhe ato janë çështje që përcaktohen me funksione. Kjo s’ka të bëjë me përkatësi etnike. Ne jemi duke ndërtuar një qeveri që do të punojë në funksion të të gjithë qytetarëve. Një prej parimeve tona është që qeveria aktuale të punojë për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, për shqiptarët, maqedonasit dhe gjithë të tjerët. Prandaj, duhet ta tejkalojmë këtë dhe të mësohemi të punojmë me një nivel tjetër të funksionimit politik. Por, edhe fakti që jam unë këtu është një garanci në vetvete se ka përfshirje edhe etnike në këtë delegacion.

Zëri i Amerikës: Kryeministri Mickovski ka paralajmëruar se do të shpërbëjë dy Këshilla, atë Gjyqësor dhe atë të Prokurorëve. Duke marrë parasysh që ato bëjnë edhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, ky synim po kritikohet si përpjekje për të vënë nën kontroll organet e drejtësisë nga qeveria?

Arim Gashi: Aspak nuk ka të vërteta aty. Në çdo hulumtim që është bërë kohëve të fundit, hulumtime të besueshme, hulumtime që janë bërë edhe nga Bashkimi Evropian tregojnë që besueshmëria më e ulët në institucione është tek gjykatat. Ajo është rreth 2%. Ne kemi marrë votat dhe besimin e njerëzve që ta bëjmë betejën për sundimin e ligjit. Ju nuk mund ta bëni këtë betejë nëse nuk bëni reforma pak më të mëdha. Unë megjithatë nuk mendoj se fjala është për një reformë radikale, por është një reformë e cila do ta përmirësojë sundimin e ligjit. Gjithçka që do të ndërmarrim do të jetë në funksion të përmirësimit të shtetit të së drejtës.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, koalicioni VLEN ku bëni pjesë edhe ju, ka bërë fushatë me sloganin ‘ndryshimi po vjen’ . Tani ju jeni pjesë e pushtetit, cili është ndryshimi për të cilin ju jeni zotuar?

Afrim Gashi: E para, kemi patur një parti politike shqiptare e cila prej 22 vjetësh ka qenë në pushtet dhe ajo tashmë është në opozitë. Ka qenë e ndërtuar një mendësi që lufton secilin, është kundër secilit, pastaj votat i merr me shantazhe, me kërcënime me forma të ndryshme, siç edhe dihet. Unë mendoj se është një e vërtetë shumë e qartë. Një prej zotimeve që kemi është se qytetarët do të jenë të lirë. Ata do të kenë mundësi të votojnë për atë parti që ata duan. Do të lejohet kritika edhe nga qytetarët, nga organizatat jo qeveritare, nga partitë opozitare dhe ne nuk do të hakmerremi ndaj tyre. Ne do të krijojmë një klimë të shëndoshë politike e cila do të jetë në funksion të së mirës së qytetarëve. Unë opozitën e shoh si partnere për të bashkëpunuar që të arrijmë qëllimin e përbashkët që gjithçka që bëjmë në parlament apo qeveri, në fund të rezultojë për të mirën e qytetarëve. Nëse nuk e bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve, qoftë nga pozita e pushtetit apo nga opozita, mendoj se nuk ia japim hakun punës, apo besimit që na kanë dhënë qytetarët.

Ne po mundohemi ta bëjmë këtë. Është fillimi, nuk ka kaluar tamam një muaj nga formimi i qeverisë. Unë mendoj se pas katër viteve, qytetarët do ta ndjejnë këtë ndryshim. Ju mbetet atyre ta vlerësojnë a është arritur ndryshim cilësor apo jo dhe, nëse nuk është arritur, atëherë edhe ne do të japim llogari, do të shkojmë në opozitë pasi kjo është demokracia.

Zëri i Amerikës: Brenda kësaj kohe që jeni në pushtet, është nxitur reagimi i ashpër i dy shteteve fqinje, vende anëtare të BE-së. Me Greqinë puna e emrit dhe së fundmi edhe me Bullgarinë pasi Kryeministri Mickovski ka thënë se nuk do të pranojë ndryshimin e Kushtetutës për të njohur komunitetin bullgar. Kritikët thonë se kjo tregon që qeveria e re nuk e merr seriozisht integrimin evropian

Afrim Gashi: Është legjitime të mendohet ashtu, por unë ju garantoj që kjo qeveri ka përkushtim të plotë për të integruar vendin në BE. Do të bëjmë çmos që të harmonizojmë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian. Do ta zbatojmë çdo rekomandim në parlament. Kur flasim për ndryshimet kushtetuese, fjala është për çështje që prekin identitetin etnik e kulturor të maqedonasve dhe ne si shqiptarë, pozitë dhe opozitë, ashtu siç kemi reaguar ndaj një çështje të ngjashme kur Maqedonia duhej të integrohej në NATO, pra çështja me emrin e shtetit që ka qenë edhe më e ndjeshme, ne kemi qëndruar pranë maqedonasve në kuptimin e mbrojtjes të identitetit etnik e kulturor. Unë mendoj që edhe në këtë proces, ne jemi të kujdesshëm. Por, natyrisht nuk është hequr dorë nga trysnia pasi të gjithë shqiptarët duan që Maqedonia të bëhet sa më shpejtë pjesë e BE-së.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, koalicioni VLEN, një prej kushteve për të bërë koalicion me qeverinë e sotme ka patur miratimin e ndryshimeve kushtetuese që janë kërkuar nga Bullgaria...?

Afrim Gashi: Nuk e shohë politikën si rrezik e kushtëzime dhe shantazhe. Unë mendoj që ne bashkërisht, si shumicë, në momente të caktuara dhe në disa të tjera të gjithë si parlament, duhet të qëndrojmë përballë sfidave kur bëhet fjalë interesi i përgjithshëm i qytetarëve

Zëri i Amerikës: A vazhdoni të jeni në favor të ndryshimeve kushtetuese? 

Afrim Gashi: Natyrisht, ai është prioriteti ynë dhe mbetet prioriteti ynë dhe në momentin e parë që do ta kemi mundësinë, do ta fillojmë procesin. Natyrisht, kjo trysni bëhet në baza ditore që ai të realizohet, por gjithmonë duke patur parasysh ndjeshmërinë e çështjes që përfshin elementin e identitetit të etnisë maqedonase që është shumicë në vend./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë