Kryepeshkopi Anastas, Kardinali George Wool dhe patriarku Melkite Gregorios III Laham, janë disa nga emrat më të njohur që do të nderohen sot me Çmimin “Giuseppe Sciacca” në Vatikan. Ky çmim jepet çdo vit për personalitete të shquara, të institucioneve të fesë, për personalitet të kulturës dhe për rininë. Ceremonia do të mbahet në Sallën e Madhe të Universitetit Papnor Urbaniana – Vatikan, në orën 17:30. Do të jenë të pranishëm autoritete kishtare, civile dhe ushtarake, shkencëtarë dhe artistë me pjesëmarrjen e shtypit dhe televizionit. 

Kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryepeshkopi i Tiranës Anastas do të nderohet me çmimin “Sciacca” 2015 me motivacionin "për veprimtarinë misionare dhe solidaritetin Social”. Propozimin që çmimi “Sciacca” t’i jepet kryepeshkopit Anastas e ka bërë Sekretarja e Përgjithshme e këtij çmimi, Prof. Vasiliki Bafataki. Pas shpalljes së çmimit ajo deklaron se "Duke nderuar Kryepeshkopin Anastas, na bëhet një nder i madh ne të gjthëve, pasi ai është një njeri i jashtëzakonshëm, që i ka kushtuar tërë jetën e tij për njeriun dhe kulturën. Urtësia e Tij na çon drejt një lumturie shpirtërore dhe humaniste”. Sipas jurisë kryepeshkopi Anastas vlerësohet se studioi fetë, teologjinë, etnologjinë, filozofinë në universitetet europiane dhe konsiderohet si një Profesor i Merituar i Universitetit Kombëtar të Athinës, anëtar nderi i Akademisë së Athinës, doktor i Teologjisë dhe Filozofisë në shumë universitete në mbarë botën, President i Këshillit Botëror të Kishave (nga 2006 e në vijim), President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (nga 2006 e në vijim).

Në njoftimin e përgatitur për median shkruhet se juria ka dhënë vlerësimin, sepse kryeshkopi Anastas ka zhvilluar një mision të gjerë dhe punë sociale për shumë vite dhe po udhëheq në zbatimin e programeve të reja në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë në Shqipëri, me vendosmëri duke kontribuar në fytyrë moderne evropiane të Shqipërisë. “Në të njëjtën kohë, ai ka luajtur një rol kyç në zbutjen e konflikteve në Ballkan. Si një gjuhëtar dhe shkrimtar pjellor, ai është nderuar me çmime të shumta ndërkombëtare dhe në vitin 2000, ai u propozua për Çmimin Nobel për Paqe”, shkruhet në njoftimin e shkruar në gjuhën angleze, ku theksohet më tej se “ai është krijuesi i një identiteti bashkëkohor kulturor për vendin e tij Shqipërinë, me kompleksin e ndërtimit në qendër të Tiranës të Katedrales së Re “Ngjallja e Krishtit”, etj.

“Giuseppe Sciacca" është një çmim ndërkombëtar që jepet në kujdesin e presidencës së Republikës Italiane, të  Ministrive italiane, e komiteteve olimpike kombëtare, universiteteve, etj.  I themeluar 14 vjet më parë nga kleriku dhe profesor i Ligjit, Don Bruno Lima, në kujtim të Giuseppe Sciacca-s (1960-1986), studentit të arkitekturës, që ishte dhe një ushtar parashutist. Vdekja e tij e parakohshme ndodhi për shkak të një aksidenti në parashutë gjatë festimeve për nder të Zojës së Dashurisë Hyjnore në qiell. Studentit një 26-vjeçar i arkitekturës së vjetër krijoi një standard moral dhe kontribues për shoqërinë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)