Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka mbajtur një konferencë për mediat në lidhje me punën vjetor dhe sfidat që ka kaluar ky institucion. Sadushi tha se tre vite më parë Gjykata e Lartë gjendej në kolaps të plotë.
‘Vetëm në harkun e tre vjet rimëkëmbjeje, numri prej 24.688 vendimesh ka tejkaluar backlogun, që rezulton i ulur ndjeshëm në 24.120 çështje. Ulja e numrit të lartë të çështjeve të prapambetura kërkon kohë dhe një strategji koherente e frytdhënëse, që falë bashkëpunimit me projektin që mbështetet nga Departamenti i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, ka rezultuar i sukseshëm.’- tha Sadushi.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë ‘për vitin 2023 janë dhënë 7.848 vendime gjyqësore, nga të cilët 2.931 i përkasin Kolegjit Administrativ, 2.689 vendime të Kolegjit Civil dhe 2.228 vendime të Kolegjit Penal.’.
Sadushi u shpreh se numri i çështjeve që janë regjistruar gjatë vitit janë 1846 dhe sipas standardit ndërkombëtarë po kaq duhej të ishte edhe numri i vendimeve gjyqësore, ndërkohë që janë dhënë 7.848 vendime, pra, 4 herë më shumë se norma e rendimentit për gjyqtar.
‘Referuar këtyre të dhënave, çdo gjyqtar ka mbajtur për këtë vit një ngarkesë prej afro 440 vendime në vit (një shifër rekord), ndërkohë që historikisht, në vitin e saj më të mirë dhe me më shumë këshilltarë ligjorë, Gjykata e Lartë shqyrtonte mesatarisht jo më shumë se 250 çështje në vit për gjyqtar.’- tha Sadushi.
Më tej ai premtoi se shumë shpejt do të përfundojë shqyrtimi i çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018.
‘Shumë shpejt do të konstatoni se pasi të kemi përfunduar shqyrtimin e çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018, si vitet me numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara, nuk do të ketë çështje që tejkalojnë afatet e arsyeshme të gjykimit.’- tha Sadushi.
Kryetari i Gjykatës së Lartë tha se problematikë shqetësuese është numri i lartë i rekurseve të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë.
‘Përherë e kam evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privat, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria. Është e papranueshme për ata që prezumohet se kanë njohuri për ligjin, të vijojnë të paraqesin rekurse haptazi të pabazuara. Duhet të kuptohet qartë se përfundimi që nxjerrë Gjykata e Lartë për një rekurs haptazi të pabazuar nuk ka ndonjë dallim nga rasti, kur evidentohet kryerja e një veprimi abuziv nga avokati apo përfaqësuesi i shtetit, të cilët nuk mund dhe nuk duhet lënë pa u ndëshkuar, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ashtu edhe nga Avokatura e Përgjithshme e Shtetit.
Sipas Sadushit, pavarësisht masave të marra, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Sadushi nënvizoi se avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti.
'Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti. Avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Nevojitet që ata të ndjekin praktikën gjyqësore, me qëllim që të mos e investojnë Gjykatën për çështje të panevojshme, me rekurse të pasuksesshme dhe haptazi të pabazuara. Këtë e dëshmon më së miri procedura e seleksionimit të rekurseve e aplikuar nga Kolegji Administrativ që po jep rezultat pozitiv si në moslejimin e shtimit artificial të çështjeve, në orientimin e shpejtë të praktikës gjyqësore, por edhe në evidentimin e mungesës së profesionalizimit të përfaqësuesve ligjorë. Vetëm gjatë vitit 2023, nga ky proces seleksionues në fushën administrative janë vlerësuar haptazi të pabazuara 42% e rekurseve të paraqitura.’- tha Sadushi.
Genjeshtar,Akoma s'kane mbaruar ceshtjet e 2015 dhe 2016,bile ka akoma dhe te 2014.
Përgjigju