TIRANË- Nisur nga fjala e kryeministrit Edi Rama, kryetari i Unionit Turistik, Rahman Kasa tha se procesi i vaksinimit të stafit të hotelerive duhet të përmbyllet në muajin maj, në mënyrë që sezoni turistik të mos ketë pengesa këtë vit, për shkak të COVID-19. Në një intervistë për Report Tv, në emisionin e pasdites "Studio Live", Kasa shprehet më optimist se do të jetë një sezon i mirë e për këtë liston disa arsye.
"Ne jemi optimist krahasuar me verën e kaluar, mendojmë se do jemi më mirë se ka disa faktorë, se e para ka një vit e gjysmë me praninë e COVID dhe njerëzit janë mësuar deri diku, mendojmë që është qytetarët janë vaksinuar një pjesë e mirë dhe deri në verë do jetë rritur mjaftueshëm dhe faktin tjetër që Shqipëria nuk i kërkon certifikatat e vaksinimit. Të gjithë hotelet dhe punonjësit do të ruhen dhe kemi kërkuar deri në fund të majit të mbyllet vaksinimi i sektorit të hotelerisë", tha ai.
Prenotimet nuk kanë nisur ende, por ai beson se do të ketë "shpërthime në minutat e fundit".
"Mendojmë se do kemi një shpërthim të minutave të fundit, gjatë afrimit të sezonit turistik. Ne për fat të mirë dhe në sezonin e vështirë, tek ne kishte disa avion charter, dhe nuk pati të infektuar, sivjet do të respektohen më mirë protokollet, se jemi më të përgatitur, për ne nuk është më gjë e re", tha Kasa.