TIRANË- Një ditë pas publikimit të videos në rrjetet sociale teksa digjte flamurin shqiptar, Report TV mëson se minoritari grek Manol Vito është marrë në hetim nga Anti Terrori. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se Manol Vito është shpallur në kërkim dhe ka dyshime që Manol Vito është larguar ilegalisht në Greqi.

"Më datë 16.06.2020 u referuan materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë për shtetasin Manol Vito, me arsim 12 klase sepse në vendin e quajtur "Plazhi i ri" Sarandë më datë 15.06.2020 ka djegur flamurin shqiptar të cilin e kishte marrë në godinën e shoqatës "Omonia" Sarandë. Veprat Penale "Nxitje e urrejtjes ose grindjeve" dhe "Poshtërim i Republikës dhe simboleve të saj. Punohet për gjetjen dhe shoqërimin e tij dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjeve", shkruhet në dokumentin që Report Tv disponon.

Videoja u publikua ditën e djeshme në rrjetet sociale, ku Vito njërin prej flamujve e ka djegur pranë bulevardit “Hasan Tahsini” dhe tjetrin në parkun miqësia në qendër të Sarandës. Videon e djegies së flamurit ai e shoqëronte me të tjera provokime të forta. "Këtë flamur e mora nga zyrat e OMONIA-s sepse nuk meriton që të qëndrojë atje dhe po e djeg. Këtu jemi në Sarandë, jemi në Vorio Epir dhe kam gjetur këtë leckë dhe shikoni sesi po digjet, ku janë patriotët dhe nacionalistët shqiptarë?" thotë ai. 

Provokimi i minoritarit grek vjen pak ditë pasi Lëvizja patriotike "Djemtë e Labërisë" dogjën flamurin e Vorio-Epirit në varrezat e Këlcyrës, ku prehen eshtrat e 21 ushtarëve grekë të vrarë në  luftës Italo- Greke. Këta të fundit zhvilluan protesta ditën e djeshme para Konsullatës Greke në Gjirokastër, për largimin e konsullit grek Lambros Kakizis, protestë e mbyll me gjobë 5 mln lekë për organizatorët.