Kuajt e garave... Ku janë?

Kuajt e garave... Ku janë?
TIRANE - Në një libër të shkrimtarit polak Cesllav Millosh gjeta një përshkrim interesant dhe cinik të shoqërisë njerëzore. Përshkrimi ishte një paralele e njerëzve me kuajt… Ata ndahen për punë, cirk dhe gara… Masa më e madhe e shoqërisë është për punë. Një pjesë që përfshin politikën, sportin dhe botën e televizionit i përket “cirkut”. Kuajt e garës janë ata që ndërtojnë kulturën e shoqërisë.

Kush janë “kuajtë e garave” të shqiptarëve? Kjo është një pyetje sa e lehtë për tu bërë aq edhe e vështirë për tu përgjigjur. Mesatarja shoqërore e llogaritur për njerzit e kategorisë së tillë është rreth 1 për qind… Dyshoj se në postkomunizmin shqiptar ai është zvogëluar edhe më shumë nga valët emigratore.

Shoqëria shqiptare është mbërthyer nga niveli i inteligjencës së “cirkut” të cilës nuk i intereson e vërteta por vec pëlqen ta shpall atë. Nga kultura marksiste vazhdon sindromi i vendosjes së ideve para njerëzve. Kjo kulturë na ka lënë joshjen, etjen dhe besimin se gjykimi final është prapa derës për një shoqëri pranë kolapsit. Shoqëria shqiptare është rrethuar nga mentaliteti i “cirkut” i cili kultivon ndjenjën për të “cuditur” si bazë vlerësimi. Aktualisht udhëhiqemi nga njerëz egocentrikë të cilët mendojnë se rregullat e etikës nuk vlejnë për ta ose për më keq identifikojnë moralin me interesat e tyre.

Kjo predominancë e “cirkut” po ndërton identitet të lidhur me urrejtjen. Ajo shihet autentike dhe furnizuesja kryesore e identitetit politik pavarësisht se baza emocionale e saj është frika.

Në shoqërinë shqiptare kjo situatë po reflekton tek një brez i ri. Ai do të pretendojë se është duke trashëguar një botë false. Ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar megjthatë ai po jep shenjat e një “kryengritjeje” në rritje. Fraksioni më problematik i saj është ai i cili përpiqet që logjikën ta trajtojë si falsitet dhe vendosjen e problemeve të dukshme të njerzve në dëm të synimeve që prodhon gjykimi i shëndoshë.

Cfarë më shqetëson? Të gjitha lëvizjet radikale edhe ato me qëllimet më të mira prodhojnë në një pikë të caktuar elementë të cilët të zhgënjyer nga ecuria e progresit mesatar të shoqërisë drejtohen nga aktet e dhunës.

Mendoj se asnjëherë më shumë se më parë shoqërisë shqiptare i nevojiten “kuajtë e garave” të kulturës së saj… Ata mund të jenë zëdhënës të shpresës për ndërgjegjen kombëtare të lodhur nga mbingarkesa që vjen nga bota e privilegjuar e “cirkut” të politikës… Heshtja do të ketë pasojë. Mendoj se duhet të jemi të vetdijshëm për rebelizmin pa kauzë që rrezikon kombin!

Shoqëria civile shqiptare ose e ashtuquajtura e tillë është në masë të madhe një koperturë biznesi. Kjo “shtresë” në mjaft raste ka shërbyer si “kapak” se sa në vetpërcaktimin si zëdhënëse e presioneve sociale të shoqërisë. Akademia e Shkencave… Ajo është bërë e padukshme. Presioni që ajo të sillet si pjesë e administratës shtetërore është i dukshem dhe ka goditur autoritetin e saj kaq të nevojshëm për këtë kohë. Drama e kolaboracionizmit me të keqen kombëtare është një histori shqiptare aspak e lavdishme. Me kokulje para institucionit të dijes vërej se para megalomanisë dhe ekseseve të politikës nga akademia e shkencave po rithemelohet virtyti i “cimpenjimit” për elitën mendore në Shqipëri…

Politika aktualisht është tejmbushur me politikanë në kërkim të sensacionales. Ora e politikës duhet të “kurdiset” cdo katër vjet… Ndërsa ata që heshtin sot, janë intelektualët, për të cilët koha është një konvencion i cili nuk ekziston brenda tyre. Asnjëherë si më parë Shqipëria nuk ka nevojë për zërin e tyre.

A mund ta bëjë politika zërin e munguar të mendjes në Shqipëri? Dhimbshëm them se ky është mision i pamundur i politikanit si profesion dhe përpjekjes së tyre shpesh të dëshpëruar për të qëndruar në pararojë. Egzema e politikës është tundimi nga dritat e skenës dhe trajtimin e sasisë si virtyt. Endra e politikës për ta lidhur qëllimin e saj me udhëheqjen shpirtërore ka prodhuar mallkimin e vetvetes që kanë prodhuar luftërat fetare dhe ideologjitë e diktaturave.

Cili është sot raporti i politikës në raport me të menduarin?

E djathta në Shqipëri ka një arsye pak të dukshme për të pohuar krizën e saj. Kjo është paaftësia e shumicës së drejtuesve të së djathtës për tu identifikuar me grupimin e vet shoqëror. Kjo krizë shprehet me mungesën e respektit dhe pandjeshmërinë ndaj së vërtetës. Portreti i një intelektuali të djathtë i ngjason një të shtriri në gjendje kome.

E majta në Shqipëri bën jetë të dyfishtë. Ajo vuan ndarjen e historisë së ideve që e prodhuan dhe ciltërsinë deri në vetëlavdërim të pranimit të fajit për dikaturën komuniste. Esenca e mosdeklarimit etik të saj është fakti i mirëkuptuar se dallimet ekonomike dhe shoqërore janë të pashmangshme dhe nuk ja vlen të diskutosh të mirat e zhdukjes së tyre.

Sot në politikën shqiptare kanë hyrë ethet e zgjedhjeve të qershorit 2013. Ato po zbresin në terrenin social shqiptar në një marrëveshje me dhunën. Kjo e fundit nuk duhet nënvleftësuar pasi është cilësia që ka “shkruajtur” historinë nën tavolinë të politikës në Shqipëri. Ajo ka ngjizur me magjinë e vet momentet kryesore të historisë sonë njëshekullore shtetformuese. Jo vetëm në Shqipëri ka një simpati të hershme për njerzit e “veprimit”. Inkurajimi dhe tolerimi i dhunës padyshim që është rrjedhojë edhe e një raporti intelektual karshi saj. Miratimi i heshtur i dhunës është shkak-pasoja e mjaft dramave historike që vendi ynë ka kaluar. Në një poezi të Odenit me titull “Spanja” ka një varg të dhimbshëm: “Pranimi me ndërgjegje i fajit për vrasjen e nevojshme”… Natyrisht Shqipëria nuk është në nivelin e luftës civile të Spanjës por marrëdhënia intelektuale me dhunën e “nevojshme” ndihet qartë në ajrin politik të vendit…Dhuna e justifikuar është mallkimi për të ardhmen e shqiptarëve.

Kuajt e “cirkut” nuk munden të flasin sot. Nga brenda cadrës së politikës pritet që të vinë ata…Kuajt e garës!

Kush janë “kuajtë e garës”? Vërtet mendon se ka vlerë fjala intelektual në këtë vend? Këto janë pyetje për mentalitetin e rutinës sonë të përditshme. Përgjigja ime është e thjeshtë. Nga se e dallon një kalë gare nga të tjerët. Ato janë përbuzja ndaj stanjacionit, individualizmi dhe sensi i të bërit të gjërave pa i thënë dikush: Fol!

Unë bëj pjesë tek njerzit që di të pres. Eshtë e pamundur që ata të mos ekzistojnë në Shqipëri!...Sigurisht!

Reflektimi u publikua nga Pandeli Majko në profilin e tij te Facebook

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin