HAVANË- Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini mbërriti dje në mbrëmje në Kuba për një vizitë zyrtare në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Brukselit dhe Havanës.
Zyrtarja e parë evropiane e një niveli të tillë që viziton ishullin që prej fillimit të negociatave BE-Kuba, ajo do të takohet sot me ministrin kubanez të Punëve të Jashtme, Bruno Rodriguez dhe Marino Murillo, ministri i Ekonomisë i ngarkuar me reformat e ndërmarra që prej vitit 2008 nga presidenti, Raul Castro.
Si zakonisht në Kubë, asnjë takim me Raul Castron nuk është njoftuar paraprakisht. Vizita e saj përkon me afrimin historik që prej muajit dhjetor mes Kubës dhe SHBA-së.
Gjatë vizitës së saj maratonë, zyrtarja evropiane do të takojë gjithashtu kreun e kishës kubaneze, kardinalin, Jaime Ortega, përfaqësuesi i vetëm i regjimit komunist për çështjet politike.
Një konferencë shtypi është parashikuar sot në mbrëmje.
Bisedimet BE-Kubë parashikojnë arritjen e një marrëveshjeje për dialogun politik dhe bashkëpunimin, që do të mundësonte lehtësimin e marrëdhënieve mes ishullit dhe 28 vendeve të BE-së./ATSH-AFP/









