Kujt i duhet Presidenti folklorik?!

Kujt i duhet Presidenti folklorik?!

Është shumë e vështirë, të paktën në dukje, nga jashtë, që ta bindësh këto ditë Ilir Metën se po bën gjënë e gabuar, me turravrapin e hazdisur kundër Edi Ramës. Është i bindur se mijëra opozitarët që dolën një vit më parë në prag të mbylljes me urdhër të PD, janë të gjithë jeniçerë të tij personalë. Madje kanë të gjithë në xhep teserën e LSI!

Nuk dihet a është një hipnozë apo autosugjestion i nxitur nga faktorët që e ngacmojnë, apo është një kalkulim elektoral i projektuar për s’dihet çfarë qëllimi afatgjatë që lidhet me 25 prillin. Për të mirën e tij dhe të partisë që ka nga pas, do të ishte mirë që të ishte e para. Në qoftë e dyta, pra një kryqëzatë ‘zemërake’ teatrale, e llogaritur për të mbledhur vota, me shumë gjasë Meta do të zhgënjehet keq ditën e zgjedhjeve.

Me gjasë Ilir Meta kujton jo pa nostalgji se në fushatën e djersitur të verës 2017, me postin e presidentit të zgjedhur në xhep, ai pati mbledhur me një stil të ngjashëm sjelljeje plot 225 mijë vota. Rezultati më i lartë historik i LSI, qyshse është themeluar 17 vjet më parë. Nuk përjashtohet që edhe sot, falë këtij precedenti, ai ta imagjinojë veten duke shkelur në të njëjtën korsi elektorale. Pra drejt një rezultati tjetër historik.

Vetëm se në atë kohë kushtet ishin shumë, po shumë të ndryshme nga sa janë sot. Në të gjitha sondazhet publike të kryera deri tani nga media të majta, të djathta apo thjesht neutrale, Presidenti rezulton një ndër zyrtarët me pëlqyeshmërinë më të ulët në rang kombëtar. Jo vetëm kaq, edhe partia e Metës nuk del më mirë se vetë ai në sondazhet në fjalë. Dy partitë e mëdha, PS publikisht dhe PD heshtur e pa bërë zë, e kanë vënë LSI në një pozicion sanduiçi elektoral, duke synuar pjesë nga thuajse çerek milioni i votave që ajo mori në zgjedhjet e fundit. Katër vjet në opozitë e bëjnë më të lehtë për Ramën dhe Bashën që të tërheqin votues të kësaj partie, të cilët tradicionalisht kanë qenë të ndjeshëm ndaj raportit me pushtetin dhe më të fortin.

Edhe me të huajt Presidenti duke se ka më shumë se një problem. Pasi i quajti amerikanët “mafie ndërkombëtare”, ai deklaroi i “kap ata për veshi”. E kamufloi pak mesazhin më një “amerikanët e Ramës”, por duhet shumë më tepër për të riparuar raportin që kryetari i shtetit shqiptar ka sot me SHBA dhe evropianët.

Ka vetëm një rrethanë të ngjashme me vitin 2017, e cila në fakt e trazon, më shumë sesa e qetëson presidentin Meta në këtë prag zgjedhjesh: është hija e një marrëveshje të nënujshme Rama-Basha për datën 26 prill e tutje. E thënë ndryshe, Ilir Metën e tmerron idea e një koalicioni të madh qeveritar të tipit gjermanik, i cili do t’i vinte kapakun historisë së tij si një faktor balance në tryezën e ndarjes së pushtetit politik në Shqipëri.

Kjo do të shënonte fundin jo vetëm të një partie politike, por do të ribënte edhe njërën ndër karrierat më të gjata të tranzicionit shqiptar, atë të të vetmit politikan që ka provuar të gjitha postet më të larta të shtetit shqiptar. Pa llogaritur këtu atë që kundërshtarët e tij politikë nuk lodhen së përmenduri, e që lidhet me hetimet e mundshme që drejtësia e re mund të nisë shpejt ndaj klasës politike, e ku emri i Metës përmendet thuajse rregullisht.

Këto rrethana e bëjnë 25 prillin një datë tejet hileqare dhe të rrezikshme për presidentin. Prandaj edhe sjellja e tij krejt irracionale, emotive, e mbushur në terma e sharje foklorike ndaj Ramës, por edhe krejtësisht jashtë kornizës institucionale që përfaqëson, është e tillë. Agresive, e papërmbajtur dhe përtej maskës historike që ai ka ditur të mbajë, duke maskuar emocionet dhe ndjenjat. Njëri ndër politikanët më të kalkuluar dhe me instiktin më të saktë politik, është shndërruar sot në një grumbull batutash, postimesh pa lidhje në rrjetin social dhe kërcënimesh që i tejkalojnë fuqitë e tij politike. Nuk le datë historike, qoftë edhe 500 vjeçare, pa e lidhur me Ramën dhe Rilindjen. Një qasje që në fakt është për kryeministrin një aset i vërtetë elektoral. Këtë Ilir Metë vetë Edi Rama do e donte përditë në televizion, kështu siç është e siç paraqitet!

Duke kërcënuar me dorëheqje “në rast 71 mandatesh me vota të pastra” për Ramën, ai praktikisht ka njoftuar se nuk do t’i njohë zgjedhjet e 25 prillit, nëse nuk fiton partia e tij dhe ajo e Berishës. Hajde gjeji votat e pastra në trurin e atij që sapo ka marrë vesh se ka humbur zgjedhjet.

Ky është kumtimi i parë zyrtar i mosnjohjes së zgjedhjeve, i cili paradoksalisht vjen nga një institucion që me zgjedhjet parlamentare nuk ka formalisht asnjë lidhje. Dhe kur kryetari i shtetit njofton se s’do njohë zgjedhjet, imagjinoni çfarë duhet të thonë opozitarët e thjeshtë të Lezhës, Ersekës a Delvinës, nëse nuk fitojnë atë ditë!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Like: 04/03/2021 04:10

    Zhduku o like kokemadhi nga faqa e dheut perpara se populli te terheq zvarre, o jashteqitje e ketij vendi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?