Viktori Puzanova njihet si dekania e bizantologjisë shqiptare në vendin tonë. Ajo i ka dhënë trashëgimisë tonë kulturore dhe historike 7 vepra studimore për artin dhe artistët bizantinë.
Për herë të parë janë ekspozuar 32 punime, afreske dhe ikona të studiueses ruse, të cilat janë riprodhime të veprave te artistëve më të njohur të periudhës bizantine.
Sipas kuratorit të ekspozitës, Maks Velo, kontributi i Puzanovës për kulturën shqiptare është i jashtëzakonshëm. Puzanova themeloi sektorin e artit bizantin shqiptar dhe promovoi vlerat e ikonografisë shqiptare.
“E kam njohur që në vitin ‘55, dhe vlera e Viktorisë është e jashtëzakonshme. Pse?! Po të mos të ishin studimet e saj nuk do të ishte sot ky muze që kemi sot këtu, ky Muze (Muze Mesjetar i Korçës) është teorikisht i bazuar i tëri mbi 7 publikimet studimore të Viktorisë. Sigurisht i bazuar edhe mbi jetën e Theofan Popës, i cili sakrifikoi djalin që kisha unë në Spaç. Qe ai që i mblodhi ato ikona. Dhe ky muze është vlera me e madhe kulturore që Shqipëria”, tha Maks Velo.
Puzanova, jo vetëm që vuri themelet e bizantologjisë shqiptare, por ajo ka lënë pas studime vëllimore, ku ka riprodhuar një pjesë të mirë të veprave të emrave më të njohur të ikonografisë shqiptare, të pothuaj të gjitha kishave të vendit, disa prej te cilave sot nuk ekzistojnë më, ose janë degraduar.
“Puzanova studioi gjithë ikonografinë shqiptare së bashku me Theofan Popën. Arriti të kopjojë afresket më të çmuara të Kishës, disa prej të cilave nuk ekzistojmë më. Pra këto dokumentacione janë të një rëndësie tepër të veçantë për artin bizantin në Shqipëri”, tha drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani gjatë promovimit të ekspozitës.
Puzanova, rusja që ja kushtoi jetën kulturës bizantine shqiptare e që zbuloi kulmin artit bizantin, Onufrin, ndërroi jetë në vitin 1967 në Tiranë.
Viktori Puzanova, historia e një familjeje ruse në Shqipëri
Viktori Puzanova e deshi Shqipërinë si atdheun e saj Rusinë. Ajo e donte artin e saj bizantin. Ishte Viktori Puzanova ajo që për herë të parë studioi e botoi artin tonë mesjetar. Puzanova ishte ikonografia e parë që zbuloi piktorin tonë të madh, Onufrin. Ajo ishte ruse që erdhi bashkë me familjen, bashkëshortin Vasilin, dhe Aleksandrin vëllain e Vasilit. Ata qenë larguar nga vendi i tyre para Revolucionit të Tetorit. Vasili qe zoolog e gjahtar i pasionuar. Revolucioni bolshevik e pat zënë në Afrikë, në një ekspedite të organizuar nga Akademia e Shkencave Ruse, për të gjuajtur e studiuar kafshë të egra: luanë, tigra, hiena etj. Ai kish kryer akademinë ushtarake dhe ishte oficer i ushtrisë cariste.
Aleksandri studionte në Beograd, ndërsa Viktoria, piktore dhe ikonografe, kish përfunduar në ishullin e Kretës. Të shpërndarë nëpër botë, ata i patën humbur lidhjet mes tyre për më shumë se gjashtë vjet. Por, me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, arritën ta gjenin njeri-tjetrin, të bashkoheshin e të vendosin që të jetonin në Mal të Zi. Më pas erdhën në Shkodër. Fillimisht punuan sa për t’u ushqyer e pas lufte, aty nga viti 1947 erdhën në Tiranë. Në Tiranë, zunë shpejt punë. Viktoria hyri në atelienë e artit mesjetar shqiptar si ikonografe dhe piktore e Vasili u emërua zoolog dhe nisi nga puna për krijimin e muzeut të Institutit të Shkencave të Natyrës. Ndër të tjera, pasioni i tij i madh, ishte balsamimi i kafshëve.
Viktoria Puzanova ishte grua me shumë aftësi dhe mjaft e ndjeshme ndaj botës së artit. Ne fakt, ajo kish studiuar për skulpturë në Shën Petërburg, por ushtronte vetëm pikturën dhe njihte mjaft mirë restaurimin e ikonave. Duke nisur punë në atelienë e artit tonë mesjetar, ajo e lidhi jetën e saj gjer në fund me artin bizantin shqiptar e ja kushtoi atë, tërësisht, restaurimit e studimit të ikonave. Në vitin 1947, ajo themeloi sektorin e artit pranë Institutit të Shkencave dhe ndërmori ekspedita në gjithë zonat, nga veriu ne jug, nga lindja në perëndim. Rezultat i atyre ekspeditave ishte botimi i shumë artikujve në revistat shkencore, si edhe kopjimi i 32 afreskeve që ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Ishte ajo, e para studiuese e ikonave dhe afreskeve kishtare, e cila vuri ne dukje rëndësinë e tyre në kulturën tone kombëtare. Viktori Puzanova, për herë të parë në mënyrë shkencore, studioi e botoi artin tonë mesjetar.
Kur Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, familja Puzanova u thirr nga Ambasada Ruse për t’u kthyer në vendin e tyre, por s’pranoi. Sepse, tashmë për ta, Shqipëria qe bërë atdheu i tyre i vërtetë. Në këtë vend ata kishin kaluar një pjesë të madhe te jetës, kishin punuar me përkushtim e dashuri, kishin njohur edhe mjaft njerëz të mrekullueshëm e për këto arsye refuzuan.
Me kalimin e moshës, Vasili u sëmur rendë. Puna e shumtë, në balsamimin e kafshëve e përdorimi pa mbrojtje i formalinës, e kishin dëmtuar keq. U shtrua në spitalin e Tiranës dhe aty vuajti shumë, gjersa vdiq në janar të vitit 1964 nga kanceri i lëkurës. Kështu, në familje mbeten vetëm Viktoria me Aleksandrin. Pas ca vitesh u sëmur keq dhe Viktoria, që vuante nga parkinsoni. Ajo, s’desh të shtrohej në spital dhe u dergj në shtëpi, ku edhe vdiq në vitin 1967.
Kësaj familje të harruar nga regjimi i kohës, këtyre njerëzve që patën punuar aq shumë për kulturën shqiptare, Vikoria Puzanoves që kish dhënë një kontribut aq të çmuar në shkencën shqiptare, autoritetet a institucionet shkencore përkatëse, nuk u bënë as edhe një varr. Ishte pikërisht Maks Velo ai, i cili kreu një gjest tepër human duke u bërë nga një varr.
[gallery]21880[/gallery]
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com