Në politikë, simbolet nuk shërbejnë vetëm për të përfaqësuar realitetin; ato prodhojnë realitete të reja simbolike. Një flamur, një pasaportë apo një slogan nuk janë thjesht mjete komunikimi. Ato krijojnë marrëdhënie të reja kuptimore midis qytetarëve, institucioneve dhe pushtetit, duke formësuar mënyrën se si shoqëria e interpreton realitetin politik. Pikërisht për këtë arsye, analiza e simboleve është njëkohësisht analizë e pushtetit dhe e vetë shoqërisë.
Kopertina e programit të Partisë Socialiste për periudhën 2025–2030 përbën një shembull domethënës të këtij mekanizmi. Në pamje të parë, ajo paraqet një mesazh të thjeshtë: një sfond blu me yjet e Bashkimit Evropian, një pasaportë shqiptare, shifrën 2030 dhe sloganin “Vetëm me Edin dhe PS”. Megjithatë, kuptimi i saj nuk buron nga secili simbol i marrë veçmas. Ai ndërtohet nga marrëdhënia që krijohet midis këtyre elementeve dhe nga mënyra se si ato organizohen në një tërësi kuptimore.
Objekti qendror i kompozimit nuk është Bashkimi Evropian, por pasaporta shqiptare. Në realitet, pasaporta evropiane është një pasojë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, jo shkaku i tij. Në këtë komunikim politik, kjo marrëdhënie përmbyset. Një proces shumëvjeçar negociatash, reformash institucionale dhe përmbushjeje të standardeve reduktohet në një objekt të vetëm, të prekshëm dhe emocionalisht të dëshirueshëm. Integrimi evropian përfaqësohet nga pasaporta.
Po aq domethënës është slogani “Vetëm me Edin dhe PS”. Fjala “Vetëm” nuk shpreh thjesht mbështetje politike; ajo ndërton një marrëdhënie ekskluzive midis aspiratës evropiane dhe një force politike. Ndërkohë, emri “Edi”, i shkruar me shkronjat më të mëdha dhe pa mbiemër, bëhet qendra vizuale dhe semantike e gjithë kompozimit. Integrimi nuk paraqitet më si rezultat i institucioneve shqiptare, reformave demokratike apo konsensusit kombëtar, por ai personifikohet në figurën e kryeministrit.
Po aq domethënëse është edhe ajo që mungon. Në kopertinë nuk shohim institucionet që ndërtojnë realisht procesin e integrimit evropian: gjykatat, administratën publike, universitetet, negociatat, reformat apo acquis communautaire. Në vend të tyre mbeten vetëm Evropa, pasaporta dhe emri i kryeministrit. Kjo nuk është vetëm një zgjedhje grafike; është një zgjedhje semiotike që orienton mënyrën se si publiku ftohet ta kuptojë procesin e integrimit.
Nga një këndvështrim antropologjik, simbolet e Bashkimit Evropian janë simbole kolektive. Ato nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë force politike. Kur këto simbole përdoren për të ndërtuar një lidhje ekskluzive midis një lideri dhe një aspirate kombëtare, kemi të bëjmë me një proces përvetësimi simbolik (symbolic appropriation). Por në këtë rast nuk përvetësohen vetëm simbolet e Bashkimit Evropian; përvetësohet vetë aspirata evropiane e shqiptarëve. Një aspiratë kolektive, e ndërtuar për dekada si projekt kombëtar dhe si orientim strategjik i shtetit shqiptar, paraqitet si atribut politik i një individi të vetëm.
Ky është një mekanizëm i njohur në antropologjinë politike. Pushteti nuk mjaftohet me përdorimin e simboleve; ai përpiqet të ndërtojë marrëdhënie të reja semantike rreth tyre. Në këtë rast, marrëdhënia tradicionale midis shqiptarëve dhe projektit evropian zëvendësohet nga një marrëdhënie e re: aspirata evropiane paraqitet si e realizueshme vetëm përmes figurës së kryeministrit Edi Rama. Kështu, një aspiratë kolektive shndërrohet në kapital politik dhe vihet në shërbim të ndërtimit të kultit të kryeministrit.
Megjithatë, antropologjia simbolike shpjegon se asnjë simbol nuk e kontrollon vetë kuptimin e tij. Kuptimi nuk buron nga simboli, por nga marrëdhënia që shoqëria ndërton me të. Pranimi ose refuzimi i lidhjes semantike që propozon pushteti nuk varet nga vetë pasaporta, nga yjet e Bashkimit Evropian apo nga slogani politik. Ai varet nga besueshmëria që qytetarët i atribuojnë marrëdhënies së re që këto simbole synojnë të ndërtojnë. Pikërisht për këtë arsye, asnjë pushtet nuk mund ta monopolizojë kuptimin e simboleve kolektive.
E thënë ndryshe, pushteti mund të prodhojë simbole dhe të propozojë interpretime të reja të tyre, por nuk e imponon dot kuptimin e tyre. Marrëdhëniet semantike nuk dekretohen; ato negociohen vazhdimisht në hapësirën publike. Vetëm shoqëria vendos nëse një lidhje e re simbolike është legjitime apo propagandistike.
Protesta e Flamingove e ilustron qartë këtë mekanizëm. Ajo tregon se fuqia e simboleve nuk është absolute, por varet nga pranimi shoqëror i kuptimit që pushteti përpiqet t’u japë atyre. Në momentin kur një pjesë e shoqërisë e refuzon atë kuptim si artificial ose propagandistik, simboli humbet funksionin e tij përfaqësues dhe bëhet objekt ironie, kundërshtimi dhe dekonstruktimi publik. Në këtë kuptim, protesta nuk sfidon vetëm një vendimmarrje politike; ajo sfidon vetë marrëdhënien simbolike që pushteti përpiqet të normalizojë.
Në këtë këndvështrim, kopertina e programit të Partisë Socialiste nuk është thjesht një material elektoral. Ajo synon të ndërtojë një lidhje semantike midis aspiratës evropiane të shqiptarëve dhe figurës së Kryeministrit Rama. Pikërisht këtu qëndron kufiri midis komunikimit politik dhe propagandës. Propaganda nuk lind nga përdorimi i simboleve në politikë. Ajo lind kur simbolet përdoren për të privatizuar një aspiratë kolektive dhe për ta personifikuar atë në figurën e një lideri politik.
Në fund, ngrihet pyetja nëse një aspiratë kolektive mund të identifikohet me figurën e një kryeministri dhe të paraqitet si atribut i tij politik. Kjo është marrëdhënia simbolike që kopertina e programit synon të ndërtojë. Nëse ajo do të pranohet si legjitime apo do të refuzohet si propagandë, këtë nuk e vendosin dot simbolet, por vetë shoqëria shqiptare.
Komente











