E përfshirë si një ndër pakicat gjuhësore në Itali, gjuha arbëreshe ndodhet nën një kërcënim të vazhdueshëm. Drejtuesja e Qendrës së Studimeve për Arbëreshët, Diana Kastrati, tha sot në Kuvendin e tretë, që mblodhi studiuesë të ndryshëm se:
“Ekziston ligji për 11 pakicat e tjera gjuhësore historike që ndodhen ne Itali. Ky ligj funksionon më së miri, por për arbëreshët nuk funksionon, dhe ka shumë arsye.”, tha Kastrati në fjalën e saj gjatë Kuvendin III të Studimeve Arbëreshe në Tiranë."
Kastrati vëren se Qendra e ka evidentuar këtë problem dhe po punon për të ndikuar në politikat lokale dhe kombëtare italiane.
“Këtë e kemi bërë, do të vijojmë ta bëjmë, që të mund të ndikojmë deri në lobime politike. Unë do ta çoj fjalën aty ku duhet për lobime politike të natyrës së takimeve homologe midis shtetasve shqiptarë dhe atyre italianë.”
Puna për diçka të tillë, sipas saj, ka filluar dy vjet më parë ndërkohë që synohet edhe përfshirja e letërsisë dhe kulturës arbëreshe në kurrikulat e shkollave shqiptare, gjë që aktualisht mungon pothuajse plotësisht.
Ndërkohë në 21 shtator, RAI ka filluar për herë të parë një program shqip për arbëreshët në rajonin e Kalabrisë, duke bërë kështu që Kalabria të jetë rajoni i parë me statut të vetëm në Itali që aktivizon programet e Rai-t të dedikuara për një gjuhë minoritare.
Sipas Maria Antionetta Rimoli, themeluese dhe drejtuese e Grupit Folklorik Arbëria, mënyra se si arbërishtja është ruajtur më së shumti deri tani, ka qenë përmes këngës.
“Nuk kuptojmë pse kur ishim të vogla ne flisnim vetëm vetëm arbërisht e mendoja pse të gjithë flasin në italisht, ne kemi një gjuhë të ndryshme? Bëra kërkime, u rrita, studiova. E kuptova se ne kishim të parët tanë, që kanë ardhur këtu nga Shqipëria. E pata pata gjithmonë këtë mendim se me këngat mbahet e ruhet gjuha sepse është më më ndikim. Gjuha nuk ishte shkruar, nuk lexohej, vetëm këndohej.”, tha Rimoli.
Nga ana e saj, Kastrati thekson se Shqipëria, nuk e njeh sa duhet realitetin arbëresh.
“Arbëreshët ndoshta nuk kanë nevojë për ne. Ne kemi nevojë për ta.Sepse trashëgimia e tyre, gjuha, zakonet, kujtesa historike, përbëjnë një pasuri antropologjike dhe kulturore të ADN-së shqiptare. Arbëreshët nuk janë një relike muzeale. Ata janë realitet i gjallë dhe shumëformshëm.”
Ndërsa u fol për punën e QSPA gjatë pesë viteve, u përmendën edhe emrat që arritën të vendosnin në mënyrë institucionale studimet arbëreshe midis studimeve të tjera. Bëhet fjalë për Institutin Mbretnor të Studimeve Shqiptare, që funksionoi nga 1940 deri në 1944 dhe që ishte i pari institucion shkencor dhe kulturor, me anëtarë emra të njohur, si: At Zef Valentini, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, At Anton Harapi etj.
Aktiviteti u parapri nga një ekspozitë me dokumente mbi arbëreshët nga Arkivi i Shtetit, ndërsa në përfundim pati një koncert nga Grupi Folklorik “Arbëria”.
Komente










Ne shkolle duhet te Kete kapituj te mesohet edhe pak gegnisht (genesis ) , toskë , dhe arbrisht apo edhe arvanite , te mesohen ca vjersha dhe folje si kapituj gjitheperfshires qe brezi i ri te “rrahë veshin” me gjuhen dhe me dialektet keshtu meson dhe kupton lwhtesisht rrenje e fjales !
Përgjigju