Sot në Tiranë gjatë takimit mes dy qeverive  Shqipëri-Kosovë, me moton "Një tokë, një popull, një ëndërr"  Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit, me dëshirën për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve; me qëllim përçimin e vlerave të përbashkëta kulturore dhe historike;
Memorandumi i nënshkruar nga Ministrja Mirela Kumbaro, Ministri Valon Murati dhe Ministri Kujtim Shala shpreh vullnetin e përbashkët për konkretizimin e bashkëpunimit në realizimin e Qendrave Kulturore në Diasporë.
Memorandumi synon nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë  dhe Republikës së Kosovës  në programet "Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë" dhe themelimit të përbashkët të "Qendrave Kulturore në Diasporë".
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së kalendarit kulturor Shqipëri- Kosovë  më 20 shkurt 2015 në Prishtinë, Ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, dhe ministria e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, kanë folur - përveç për objektivat dhe detyrat që dalin nga Ligji i Diasporës, dhe për aktivitetet kulturore për diasporën.
Takimi i Prishtinës parapriu  memorandumin e bashkëpunimit, i cili u nënshkrua sot në Tiranë mes ministrive të Diasporës, Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri , për të shfrytëzuar sa më mirë kapacitetet tona dhe për të organizuar aktivitete kulturore në diasporë./atsh/