Drafti socialist për reformën e re administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ka nxjerrë hapur kundërshtimet e disa kryetarëve të bashkive që rrezikojnë të shkrihen, mes tyre Juliana Memaj e Dimalit, Fation Duro i Patosit dhe Leonard Hide i Libohovës, të cilët i janë bashkuar protestave të banorëve kundër hartës së re. Por për analistin Kreshnik Spahiu, pas shumë prej këtyre reagimeve nuk fshihet interesi i qytetarëve, por përpjekja për të ruajtur pushtetin lokal.
“Shpesh herë, kryetarët e bashkive e trajtojnë këtë si një merak të një bajraktari për dashurinë që kanë ndaj kolltukut dhe janë të gatshëm të kenë tendenca separatiste, të shkojnë deri në shpalljen e një autonomie nga Shqipëria, vetëm që të ruajnë pushtetin e tyre”, u shpreh Spahiu gjatë një interviste për Report TV.
Sipas Spahiut në të gjithë debatin mbi ndarjen e re territoriale ajo që është anashkaluar është e drejta e përfaqësimit. Ai argumenton se praktika e kryetarëve që sillen si bajraktarë duke jetuar e firmosur në Tiranë duhet të marrë fund.
"Qeveria dhe opozita duhet të argumentojnë nëse ndarja e re i përfaqëson më mirë a më keq, a i përfshin në vendimmarrje, a ka transparencë, a do qeverisen më mirë a më keq. Ne nuk mund të jemi në rikthimin tragjik tek ndarja në 350 komuna ku kryetarët ishin bajraktarë që jetonin në Tiranë dhe vendimet i firmosnin nga shtëpitë që kishin në Bllok. Kjo histori duhet të marrë fund . Ndarja nuk duhet bërë në bazë të asaj në kemi kryetar të fortë apo të dobët por në bazë të përfaqësimit por edhe duke mos humbur identitetin dhe traditat kulturore të këtyre zonave" tha Spahiu në Report TV.

Marrëveshja parimore mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanoc dhe një konsullate serbe në Shkodër ka ndezur debat në Shqipëri, ndërsa në Shkodër nuk kanë munguar as protestat kundër kësaj nisme. Për analistin Kreshnik Spahiu, megjithatë, hapja e konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës përbën një fitore historike dhe patriotike të diplomacisë shqiptare dhe kundërshtimet ndaj saj janë të pabazuara.
“Debati është i ligjshëm por shpesh i paargumentuar. Me mijëra qytetarë flasin pa lexuar ligjin apo parimet e hapjes së konsullatave. Ato janë ekzistenca e një numri emigrantësh, minoriteti me etnitet ndryshe, interesi i marrëdhënieve ndërkufitare, tregtare, ekonomike, kulturore etj. SHBA nuk kanë pakica në Kinë por kanë dhjetëra konsullata. Turqia ka 14 konsullata në Gjermani po jo se ka pretendime territoriale. Unë habitem pse heshtën këta patriotë kur u hapën konsullatat në Korçë e Gjirokastër. A ka minoritet grek në Gjirokastër? Nuk ka!Po në Korçë? Jo! Po kur u hapën konsullatat italiane në Shkodër e Vlorë, u hapën për shkak të emigrantëve. Procesi i Berlini është për zgjerimi ne shërbimit konsullore të 6 vendeve të BP ku bën pjesë dhe Shqipëria. Nga kjo marrëveshje përfitojnë shqiptarët apo serbët? Ka një aspiratë prej dekadash të mijëra shqiptare që jetojnë në jug të Serbisë që jetojnë në trojet e tyre për të cilat ne kemi pretendim dhe do hapet konsullata atje. Është hap historik i diplopmacisë shqiptare për të hapur një konsullatë në Luginën e Preshevës. Shqipëria përfiton 90% në raport me Serbinë që hap një konsullatë nga e cila ska asnjë pretendim. Shkodra nuk rrezikon dhe ska pretendime territoriale për Shkodrën. Ne themi që Lugina e Preshevës është shqiptare. Hapja e konsullatës është jetike. Pse janë kundër kësaj? Pse e dëmtojnë këtë iniciativë patriotike? Marrëveshjet diplomatike janë merr/jep por jo jep Preshevën për Shkodrën. Serbët kanë humbur me këtë marreëveshje por shqiptarët kanë përfituar" tha Spahiu nw Report TV.
Analisti shtoi se në një kohë kur rajoni po ecën drejt rritjes së bashkëpunimit dhe lehtësimit të kufijve, debati për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër është fryrë më shumë sesa duhet.
"Ne nuk rrezikojmë. Ne po shkojmë drejt heqjes së kufijve. Tani paskemi frikë nga një konsullatë? Është një debat shumë i amplifikuar. Serbët duhet të ishin shqetësuar që ne kemi hapur një konsullatë në një territor që ne e pretendojmë si shqiptar" tha Spahiu në Report TV.

Çdo ditë që protestuesit kalojnë pa një parti të re, pa një lider dhe pa një kandidat për kryeministër është një ditë në favor të Ramës dhe Berishës. Ky është vlerësimi i analistit Kreshnik Spahiu për protestën e “Flamingove”, e cila sot hyn në ditën e 66-të por që përveç thirrjeve virale “Rama jepe dorëheqjen” në TikTok, nuk ka prodhuar ende një lëvizje politike që mund të kërcënojë establishmentin në Shqipëri.
Gjatë një interviste me Report TV Spahiu thotë se protesta do të shuhet nëse nuk strukturohet në një forcë politike, të zgjedhë përfaqësuesit e saj, të paraqesë një kandidat për kryeministër dhe një program qeverisës. Të vetmit fitues nga kjo situatë, sipas Spahiut, janë Edi Rama dhe Sali Berisha
“Revolucioni i Flamingove është lëvizje politike kundër establishmentit të vjetër. Ky establishmenti i ri po tregon paaftësi organizuese për të krijuar programin politik, partinë e re politike që do garojë në zgjedhje, kontratën e re dhe programin për të qeverisur vendin. Sa më gjatë e zgjasin idenë dhe hezitojnë të krijojnë partinë e re, aq më shumë do të forcohen partitë e vjetra, PD dhe PS. Sa më shumë të vonojnë në nxjerrjen e një lideri të ri aq më shumë do të forcohet Rama dhe Berisha, SA MË SHUMË të vonojnë emrin për një kryeministër të ri aq më gjatë do ta kenë Ramën në krye të vendit. Duket sikur i mban një dorë që mos të hedhin hapin e radhës ose janë të paaftë të prodhojnë politikë. Këta kërkojnë ta ccojnë vendin në zgjedhje me Ramën dhe Berishën, PD dhe PS. Nuk e kuptoj si mund te hapësh një faqe të re në histori me xhaketa të vjetra. Nëse këta nuk hedhin hapin e rradhës me një parti të re, partitë e vjetra do të forcohen dhe këta do të zhduken" tha Spahiu në Report TV.








Komente
Komento