Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka publikuar listën zyrtare me 26 futbollistët që do të përfaqësojnë 'Seleçaon' në Kupën e Botës 2026. Lista ka sqaruar të gjitha dilemat e ditëve të fundit, veçanërisht sa i përket rikthimit të Neymarit, i cili më në fund është përfshirë në skuadër.

Brazili është pjesë e Grupit C të Botërorit, ku do të përballet me Marokon më 14 qershor, Haitin më 20 qershor dhe Skocinë më 25 qershor. Para nisjes së Botërorit brazilianët do të zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore ndaj Panamasë dhe Egjiptit.

Padyshim rikthimi i Neymar bëri bujë, me tifozët që janë parë shumë të lumtur me përzgjedhjen e Ancelottit. Sulmuesi 34-vjeçar i Santos është rikthyer në kombëtare për herë të parë që nga viti 2023, pasi kaloi një periudhë të gjatë të shoqëruar me probleme fizike dhe lëndime. Ai u filmua në lot pas ftesës.

Brazili synon trofeun e gjashtë në historinë e Kupës së Botës, pas zhgënjimeve në pesë edicionet e fundit, ku nuk ka arritur të kalojë fazën gjysmëfinale. Kujtimi më i hidhur mbetet Botërori i vitit 2014, kur si vend organizator u mposht me rezultatin historik 1-7 nga Gjermania.

Trajneri italian i Brazilit shpjegoi edhe zgjedhjet e tij, teksa foli edhe për Neymarin, duke shtuar se janë kandidatë për trofeun.

“Neymar do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ne në Kupën e Botës. Gjatë gjithë vitit kemi analizuar gjendjen e tij dhe kemi vërejtur se në periudhën e fundit ka treguar vazhdimësi në paraqitje dhe ka qenë në formë të mirë fizike”, deklaroi Ancelotti gjatë konferencës për media, teksa u shpreh se ekipi i tij mund të fitojë kompeticionin.

Lista zyrtare e Brazilit për Botërorin:

Portierë: Alisson, Ederson dhe Weverton.

Mbrojtës: Danilo, Wesley, Marquinhos, Gabriel Magalhaes, Leo Pereira, Bremer, Ibanez, Alex Sandro dhe Douglas Santos.

Mesfushorë: Casemiro, Bruno Guimaraes, Danilo, Fabinho dhe Paqueta.

Sulmues: Vinicius Jr, Matheus Cunha, Neymar, Raphinha, Rayan, Igor Thiago, Luiz Henrique, Gabriel Martinelli dhe Endrick.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:52
VIDEO/ Neymar s'i mban lotët, ftesa e kapitenit nga Ancelotti përjetohet si festë kombëtare në rrugët e Brazilit

Brazil e jetojnë ndryshe futbollin dhe kjo u pa edhe dje. Trajneri Carlo Ancelotti publikoi listën e 26 futbollistëve të ftuar në Kupën e Botës 2026 dhe pjesë e saj ishte edhe Neymar. Kapiteni e gjen veten pas tre vitesh si pjesë e skuadrës, gjë që ka gëzuar edhe tifozët. Vetë Neymar s'i ka mbajtur dot lotët.

Në sallën ceremoniale të 'Muzeut të së Ardhmes' kishte më shumë se 700 gazetarë dhe kur Ancelotti njoftoi se Neymar ishte i ftuar për Kupën e Botës pati duartrokitje të zjarrta, teksa gazetarët filluan të brohorisnin emrin e Neymar.

Edhe në shtëpitë, rrugët dhe baret e Brazilit ftesa për kapitenin është pritur shumë mirë. Neymar ka shënuar 79 gola në 128 ndeshje për Brazilin dhe nuk është thirrur në ekipin kombëtar që nga viti 2023, pasi ka luftuar me lëndime të shumta dhe është rikthyer në formë.

Kjo do të jetë Kupa e Botës e katërt e Neymar në karrierën e tij, pasi ka luajtur në vitet 2014, 2018 dhe 2022. Në turneun e parë në shtëpi, ai përfundoi i katërti me ekipin kombëtar dhe më pas Brazili u ndal në çerekfinale në Rusi dhe Katar.