Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një lajm të hidhur para ndeshjeve “play-off” për Kupën e Botës 2026. Sulmuesi kuqezi, Rey Manaj, nuk do të jetë i gatshëm për sfidat vendimtare për shkak të një dëmtimi serioz.
Futbollisti u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e 7-të të ndeshjes së fundit me klubin e tij, Sivasspor, pas një shqetësimi fizik. Ekzaminimet mjekësore të kryera ditën e sotme konfirmuan lajmin e keq për sulmuesin lushnjar.
Sipas komunikimit zyrtar të klubit turk, rezonanca magnetike tregoi se Manaj ka pësuar një këputje të gradës së tretë të tendinës intramuskulare, e shoqëruar edhe me gjakderdhje. Ky dëmtim e detyron lojtarin të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme, deri në tetë javë.
Në këtë mënyrë, Manaj i bashkohet edhe sulmuesit tjetër të dëmtuar, Mirlind Daku, duke krijuar një problem serioz për repartin sulmues të kuqezinjve.
Mungesa e dy sulmuesve kryesorë vë në vështirësi trajnerin Sylvinho, i cili tashmë duhet të gjejë alternativa për përballjen delikate kundër Polonisë në ndeshjet “play-off” drejt Botërorit.
Të enjten, më 26 mars, në orën 20:45, Shqipëria luan kundër Polonisë në Varshavë. Nëse kuqezinjtë kalojnë polakët, atëherë më 31 mars do të përballen në finalen e “play-off”-it kundër fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi, aty ku do të mësohet edhe skuadra që do të sigurojë pjesëmarrjen në grupet e Botërorit 2026, i cili do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Komente









