Kur Berisha e Meta vetëquhen ‘e ardhmja’ e politikës, kemi prekur fundin?!

Kur Berisha e Meta vetëquhen ‘e ardhmja’ e politikës, kemi prekur fundin?!

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Fakti që dhe pas tre mandatesh në qeverisjen qëndrore, e pas shumë mandatesh në pushtetin vendor, opozita nuk po arrin as të afrohet në numra, jo më të barazojë dhe kalojë në epërsi, ndaj socialistëve në pushtet, deri më tani nuk përbën ndonjë tragjedi.

Ka ndodhur edhe në vende të tjera që një parti të qeverisë shumë gjatë. Madje në Itali ka shkuar për dekada me radhë qeverisja e demokristianëve, por dhe në Shqipërinë tonë, PS ka tejkaluar të gjitha rekordet, dhe gjasat janë që të qeverisë shumë gjatë.

Këtë po e tregojnë dita ditës sondazhet serioze që po zhvillohen në Shqipëri, ku me një marzh shumë të shtrënguar, për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm por dhe për ato parlamentare në vitin 2025, nxjerrin vetëm një fitues, edhe të vetëm: Edi Ramën e Partinë Socialiste.

Me sa duket fitorja për socialistët është kthyer tashmë në normë, kanë një trupë prej 800 mijë votuesisht që s’lëviz në disa përballje elektorale, ndërsa për opozitën humbja është kthyer në traditë, sepse për nëntë vite me radhë kanë i kanë humbur të gjitha betejat elektorale.

Dhe tragjedia fillon e mbaron pikërisht në faktin se çfarë ofron opozita shqiptare për të qënë një alternativë e besueshme për qytetarët e këtij vendi, në mënyrë që të marrin votëne tyre, sidomos të elektoratit të lëkundur, apo atij ‘gri’ që të jep numrat e nevojshëm për të ardhur në pushtet.

Nuk po marrim në analizë tetë vitet e drejtimit të Lulzim Bashës dhe dhe katër vitet e Monika Kryemadhit, përkatësisht të PD dhe të LSI (sot Partia e Lirisë) pasi dihet si shkuan, humbën të gjitha përballjet elektorale me PS dhe Edi Ramës. Madje me rezultat të thellë.

Dualizmi i drejtimit të PD e LSI, pas Bashës e Kryemadhit qëndronin ‘pensionisti’ politik Sali Berisha dhe presidenti i asaj kohe Ilir Meta, dha pikërisht atë rezultat që tashmë e njohim të gjithë, si dhe i dha mundësinë PS dhe Edi Ramës të qeverisin gjatë, në dominancë të plotë në pushtetin qëndror dhe atë vendor. Këtë periudhë kohe në opozitë e kanë ‘copëtuar’ me analizën e tyre pikërisht Berisha dhe Meta, për të sulmuar Bashën si dështak por dhe Kryemadhin se besoi një mashtrues të dështuar dhe që e kishte mendjen tek lekët.

Me gjithë këto zhvillime, ia vlen të marrim në analizë atë se çfarë po bëhet tani tek opozita, e cila është e mbërthyer në një krizë të fortë dhe betejë të ashpër për lidershipin dhe shfaqet tepër fragmentuar brenda formacioneve politike, por dhe mes aleatësh traditcionalë.

Nuk diskutojmë ndonjë lëkundje lidershipi tek Partia e Lirisë, vazhdim i LSI-së, pasi është e gjithëpranuar se ajo është një parti familjare dhe drejtohet në të gjitha rastet nga Ilir Meta. Nuk pretendon askush t’ia marrë atij “pronën”. Dhe atëherë kur nuk e lejonte Kushtetuta, si në rastin e zgjedhjes President i vendit më 2017, për katër vite me radhë këtë parti e drejtoi bashkëshortja e tij Monika kryemadhi.

Nuk është se Kryemadhi nuk ka kontribute politike, por “kërcet” shumë kalimi i drejtimit të një partie herë tek burri e herë tek gruaja, nga njëra dorë tek tjetra, pjesë e të njejtit trup familjar. Ku pas largimit nga Presidenca, për dy orë i ndërroi emrin nga LSI në PL dhe e mori Meta zyrtarisht.

Ajo që vlen për t’u diskutuar është tashmë situata brenda partisë më të madhe opozitare, e cila i ka dhënë tonin politikës shqiptare, Partisë Demokratike. Shumica e të cilës aktualisht është nën zotërimin e Sali Berishës, i cili pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe përjashtimit nga grupi parlamentar, gjë që solli dëbimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD, e “Rithemeloi” këtë parti, duke marrë gati 60-70 përqind të anëtarësisë së saj. Kusuri i mbetet Alibeajt, që zotëron shumicën e grupit parlamentar për hir të së vërtetës. Por dhe drejtimin zyrtar të PD.

Deri më tani grupimet e drejtuara respektivisht nga Alibeaj që ka vulën e logon e PD dhe Sali Berisha që ka “Rithemelimin”, kanë një betejë të fortë në Gjykatën e Apelit, për të definuar përfundimisht destinacionin e simboleve të kësaj partie, që e shprehur në terminologjinë elektorale, do të definojë se kush do ta regjistrojë PD-në zyrtare në KQZ për zgjedhjet e 14 majit dhe në vijim, Alibeaj apo do ndryshojë ‘dorë’ tek Berisha.

Apeli po e shtyn javë pas jave e muaj pas muaji marrjen e këtij vendimi, një “patate e nxehtë” për secilin gjyqtar që ka në dorë të vendosë, pavarësisht se si vendos, marrjen e një vendimi përfundimtar për vulën dhe logon e PD. Herë sëmuret ndonjë gjyqtar, herë kërkohet përjashtimi i ndonjërit prej tyre nga palët e interesuara, me argumentin se janë në konflikt interesi, dhe vendimi është lënë për t’u dhënë në janarin e vitit të ardhshëm.

Deri atëherë Berisha do bëjë sikur ai është në krye të PD, në fakt kryeson vetëm “Rithemelimin”, ndërsa Alibeaj që ka në dorë PD-në zyrtare, njihet vetëm ai nga institucionet e shtetit, ku gjasat janë që të regjistrojë pikërisht ai partinë dhe kandidatët me siglën e PD për zgjedhjet e 14 majit. Dhe të dyja palët, për hesapin e vet nxjerrin kandidatë për 14 majin, përmes primareve apo skemave të njohura deri më tani, duke paralajmëruar ndarjen e votës së opozitës në vendore.

Themi se situata është shumë e zymtë më kampin opozitar, sepse sikurse po shkojnë punët deri më tani, një hap para dhe dy hapa prapa, vendimi i Apelit për “pronësinë” e vulës dhe logos së PD mund të zvarritet pafund, dhe rrezikon të siglohet pas zgjedhjeve të 14 majit.

Kjo na sjell pikërisht në pikën e nisjes, atë situatën absurde të zgjedhjeve të pjesshme për 6 bashki në pushtetin vendor të 6 marsit të këtij viti, ku “Rithemelimi” hyri nën ombrellën e LSI e përmbledhur në koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Dhe ku Berisha e Basha më shumë se sa kundër Ramës po luftonin ndaj njëri tjetrit, për të marrë numrat dhe për t’i pasur si argument shtesë në përballjen mes tyre për lidershipin e partisë. Pra se kush e ka realisht PD-në në terren.

Rezultati dihet. PS pa bërë asnjë ditë fushatë fitoi 5 bashkitë e hedhura për votim në këtë ditë, ndërkohë që “Rithemelimi” i Berishës i mbështetur nga LSI por dhe neglizhenca e PS, arriti të marrë me një rezultat të ngushtë vetëm bashkinë e Shkodrës, një bastion i përhershëm ky i demokratëve, asnjëherë i qeverisur nga socialistët në pushtetin vendor, e as i dominuar nga deputetët socialistë në garat zgjedhore parlamentare.

Dhe hyrja e opozitës në zgjedhje më 14 maj, si një formacion i fragmentuar në këtë mënyrë, shtojmë këtu qëndrimin e aleatëve traditcionalë të PD që kanë kërcënuar se nëse nuk dilet me një kandidat të vetëm në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit të ardhshëm do të dalin më vete më 14 maj, do të na prezantojë një rezultat humbës shumë më të thellë se sa më parë nga ana e opozitës.

E themi këtë sepse në të gjitha sondazhet serioze, opozita luhatet në kufijtë e 40 përqindshit të mbështetjes së elektoratit, ndërkohë që as koalicioni me Ilir Metën nuk i ka bërë “derman”, pasi ky i fundit asnjëherë nuk ka marrë mbështetje dyshifrore në të gjitha sondazhet e kryera deri më tani, çka tregon se opozita do të hyjë në një garë të humbur ende pa nisur.

Përtej faktit se zvarritja e vendimit të Apelit për vulën dhe logon e PD, si dhe ndarja e PD në dy pjesë do të shërbejë si një alibi e mirë dhe solide e Berishës për humbjen e radhës, e ka të fiksuar në statut se nëse humb zgjedhjet vendore kryetari votëbesohet në strukturat e partisë, ndërsa nëse humb zgjedhjet parlamentare jep dorëheqje të menjëhereshme, pra për të përdorur alibinë se aleanca Rama-Alibasha përdorën gjithçka për të sjellë humbjen e opozitës, për hir të së vërtetës duhet parë dhe rezultantja se çfarë solli rikthimi i Berishës e Metës në krye të opozitës shqiptare.

Tingëllon absurd fakti që Berisha e Meta vazhdojnë të deklarojnë se Edi Ramës i ka kaluar koha dhe se ata të dy janë e ardhmja e politikës shqiptare. Pavarësisht se kanë 32 vite në politikë, kanë qënë dhe janë drejtues të dy partive më të mëdha opozitare, kanë qënë kryeministra, Presidentë, kryetar parlamenti, pra kanë provuar gjithçka që mban “libri” i pushtetit, ndërkohë që Berisha e Meta vijojnë të deklarojnë në publik, se do sjellin një politikë dhe qeverisje të re në këtë vend.

Në fillim qytetarët shqiptarë nisën ta quanin një shaka politike shqiptare, por më pas kur panë se Berisha dhe Meta sikur po e besonin dhe vetë se janë e ardhmja e politikës, publiku u ftillua.

Që këtu fillin braktisja dhe nga ajo masë tepër e ngushtuar e mbështetjes përtej “sinorit” të partive të tyre politike, pasi askush nuk mund të shohë tek Berisha e Meta të ardhmen e politikës shqiptare, mirëqeverisjen për shkak jetëgjatësisë së tyre në kupolën politike të vendot për 32 vite me radhë, të zullumeve të tyre për të cilat janë dhe në SPAK, por dhe izolimit të tyre ndërkombëtar, si ‘non grata” të shpallur apo të trajtuar si të tillë.

Dhe nëse vazhdohet nga Berisha e Meta me këtë teorinë që po aplikojnë para shqiptarëve se janë pikërisht ata të dy e ardhmja e politikës në këtë vend, atëherë Rama është i sigurtë në pushtet deri sa të mërzitet vetë kur të realizojë objektivin e vet për të lënë gjurmë pozitive me qeverisjen e tij, siç e ka deklaruar. Ndërsa PD, PL e aleatët e vet të djathtë do qëndrojnë në pafundësi në opozitë. Sa kohë të jetë kjo e “ardhme” politike në krye të saj, pra Berisha dhe Meta.

Nuk përjashtohet mundësia që Berisha pikërisht drejtimin e grupimit më të madh në PD kërkon, e aspak pushtetin. Nuk ia premton as koha biologjike, është 80 vjeç që tani, por dhe konsumimi i rëndë politik, pasi duhet shpikur një post tjetër i ri në këtë vend, sepse nga kryeministri e deri tek Presidenti, Berisha i ka provuar. Po ashtu dhe Meta. Dhe dihet çfarë kanë “prodhuar” sa herë kanë qënë në këto poste.

“Tokë të djegur” ka lënë pas Berisha, në vitin 1997 kur shqiptarët kapën armët e vrisnin njëri tjetrin, pasi shteti ra, dhe në vitin 2013 nga ana financiare. ‘Gropë’ të madhe la. Përpos “tokës së djegur” që la pas, la dhe 26 familje të djegura nga humbja e jetëve në Gërdec dhe 4 familje të tjera të djegura nga vrasja me urdhër të tij nga Garda të 4 demonstruesve të opozitës, më 21 janar 2011.

Por akoma më tragjik është fakti se opozita është katandisur në atë far feje, sa i jep mundësinë Berishës dhe Metës që të deklarojnë madje dhe ta besojnë vetë ata, se ata janë e ardhmja e politikës shqiptare. Pra kemi prekur fundin me sa duket, pasi kjo opozitë s’mund të “prodhojë” një lider të ri që të bashkojë të gjitha grupimet opozitare dhe të marrë një rezultat dinjitoz në përballjet elektorale me kundërshtarin politik.

Kjo opozitë në fund të herës ka mbetur “laj, thaj” me Berishën dhe Metën, pa asnjë alternativë tjetër drejtimi e udhëheqjeje drejt objektivit madhor, marrjes së pushtetit. Dhe kjo është tragjike jo vetëm për vetë opozitën por dhe për shqiptarët, e për pasojë është prekur fundi. Sepse vendi praktikisht s’ka opozitë.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania