Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se qeveria po monitoron rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, pas nisjes së luftës në Iran.

Në një intervistë për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga, Ibrahimaj tha se gjatë vitit 2022, kur nisi lufta në Ukrainë, Bordi i Transparencës u aktivizua kur çmimi shkoi në 220 lekë për litër.

Ndërsa për situatën aktuale, duke lënë të kuptohej se Bordi do të ngrihej kur çmimi i naftës të shkonte pak a shumë në të njëjtin nivel, ministrja Ibrahimaj tha se do të shihet me vëmendje shpejtësia e rritjes së çmimit dhe situata gjeopolitike, para se të merret një vendim.

“Në kohën e krizës së Ukrainës ne i bëmë ndryshimet dhe u futëm në regjim kur çmimi kishte vajtur në 220 lekë. Unë s’po them që Bordi do aktivizohet kur çmimi të shkojë 220 lekë. Në varësi edhe të situatës gjeopolitike, do të shikojmë kur do të ndërhyjmë. Tani po bëjmë një monitorim ditor. Po shohim çmimet e bursës dhe tabelave.

Në momentin që shpejtësia rritet dhe sinjalet nga politika ndërkombëtare janë për një vijim të kësaj shpejtësisë së rritjes, ne do të marrim masat për të hyrë në këtë regjim. Në këtë regjim Bordi i Transparencës përcakton çmimin, ka marzhe të përcaktuara maksimale që mund t’i shtohen kostos. Ne për hir të së vërtetës marzhet i kemi vënë minimaliste. Nëse çmimet që Bordi do të vendosë, ka një penalitet dhe nëse ripërsëritet, shkohet deri në pezullim të licencës. Shqetësimi fillestar që ne kishim ishte verifikimi i rezervave. Sepse në një periudhë krize ti duhet të garantosh që ke produkt”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.

Lidhur me rezervat e naftës që kompanitë kanë aktualisht, Ibrahimaj tha se ligji parashikon që ato të mbajnë rezerva për 1 muaj. Sipas Ibrahimajt, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nuk përbën rrezik për furnizimin me naftë në Shqipëri.

“Në një takim që kishim me përfaqësues të kompanive dhe shoqatën e hidrokarbureve na u garantua rezervat janë. Parashikimi është që kompanitë kanë detyrim që të mbajnë një rezervë një mujore. Dhe kanalet e tyre të furizimit i kanë garantuar se nuk do të ketë një mungesë të karburantit në treg, por vazhdimësi të furnizimit. S’ka një frikë për ndërprerje të furnizimit. Kompanitë kanë kontrata afatgjata me furnitorin, që u garantojnë furnizimin”, tha Ibrahimaj.


Lajmi kryesor:

Shtrenjtohet nafta/ Kur do kthehet Bordi i Transparencës? Ibrahimaj për Report Tv: Po monitorojmë, në 2022 u aktivizua kur shkoi mbi 220 lekë! I përgjigjet Braçes: S'ka kartel që cakton çmimet