Kur ideologjia serbe, krijonte imazhin e shqiptarit armik! ‘Për Bogdanoviçin, shqiptarët ishin vegla në duart e turqve, për Samarxhiçin, ishin vegla të Selisë së Shenjtë’

Kur ideologjia serbe, krijonte imazhin e shqiptarit armik! ‘Për Bogdanoviçin, shqiptarët ishin vegla në duart e turqve, për Samarxhiçin, ishin vegla të Selisë së Shenjtë’

“Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:

                     Nga Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë

Gjenocidi fizik, politik, juridik, kulturor i popullit serb në Kosovë dhe Metohi, është disfata më e rëndë që ka pësuar Serbia në luftërat e saj çlirimtare, që nga beteja e Orasakut në 1804 deri në kryengritjen e vitit 1941.

Serbët në Kosovë dhe Metohi nuk kanë vetëm një të kaluar të mishëruar në lëvizje të rëndësishme kulturore dhe historike por, ata kanë gjithashtu edhe vlera shpirtërore, kulturore, morale. Ata kanë një tokë amtare, që ka një ekzistencë historike. Veprimet e dhunshme, të cilat ndër shekuj kanë zvogëluar popullsinë serbe të Kosovës dhe Metohisë, në kohën tonë çojnë në një përfundim të padëshirueshëm.

Eksodi i serbëve nga Kosova dhe Metohia, në Jugosllavinë socialiste, për nga përmasat dhe karakteri i tij, i tejkalon të gjitha fazat e mëparshme të këtij depërtimi të madh të popullit serb. Jovan Cvijiç, në kohë, kishte vlerësuar se gjatë migrimeve, që nga shpërngulja e madhe nën udhëheqjen e Arsene Cernojeviçit në vitin 1690, deri në vitet e para të këtij shekulli, afro 500,000 serbë, duke përfshirë rreth 150,000 midis 1876 dhe 1912, u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën presionin e ushtruar nga terrori brutal i shqiptarit të fuqishëm bashibozuk vendas.

Gjatë luftës së fundit afro 60.000 kolonë dhe autoktonë serbë u dëbuan, por më pas kjo valë emigracioni përjetoi një baticë të vërtetë: gjatë njëzet viteve të fundit, afro 200.000 serbë u larguan nga Kosova dhe Metohia. Ajo pjesë që ka mbetur nga populli serb, po largohet nga toka me një ritëm të qëndrueshëm dhe, me sa dimë, të shtyrë nga dhuna dhe terrori psikologjik, moral dhe fizik,  po përgatitet për një eksod përfundimtar.

Në më pak se dhjetë vjet, nëse nuk ndodh një ndryshim thelbësor, në Kosovë nuk do të ketë më serbë, por do të ketë një Kosovë etnikisht të pastër. Qëllimi i qartë i racistëve të mëdhenj shqiptarë, tashmë i theksuar në programet dhe veprimet e Lidhjes së Prizrenit nga viti 1878 deri më 1881, do të arrihet plotësisht.

Fati i Kosovës mbetet një çështje jetike për mbarë popullin serb…! Kosova nuk është i vetmi rajon ku populli serb vuan nga diskriminimi…!

Procesi është i orientuar drejt shkatërrimit të plotë të unitetit kombëtar të popullit serb…!

…Nacionalizmi agresiv shqiptar në Kosovë nuk mund të shtypet nëse Serbia nuk pushon së qeni e vetmja republikë, marrëdhëniet e brendshme të së cilës rregullohen nga të tjerët…!

                                                                 **** 

                           Olivera Milosavljeviç

(Historiane, profesore e historisë sociale në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit)

Si ideologjia kombëtare serbe ka  ndërtuar imazhin e shqiptarit armik:

-Shqiptarët sot konsiderohen, pa diskutim, si “armiqtë” më të mëdhenj të serbëve!-

Edhe pse kjo mund t’i atribuohet ngjarjeve politike dhe paraqitjes së papëlqyeshme të shqiptarëve në mediat serbe, megjithatë është e nevojshme të thellohemi në arsyet e përbuzjes, me të cilën ata janë trajtuar nga shkrimtarët dhe politikanët serbë. Intelektualët serbë sot shkruajnë për shqiptarët kryesisht në kuadrin e një stereotipi për urrejtjen e tyre të rrënjosur – dhe dëshirën për të shkatërruar – serbët, që thuhet se buron nga vetë natyra e tyre, e karakterizuar nga primitivizmi dhe banditizmi.

Nga ana tyre, autorë më të hershëm kanë kërkuar të provojnë edhe paaftësinë e supozuar të shqiptarëve për ndërtimin e një shteti autonom, kjo për vetë natyrën e tyre. Sipas tyre, “fiset” shqiptare nuk kishin nevojë për shtet dhe nuk ishin të afta të bëheshin komb. Prandaj, këta autorë e shihnin zgjidhjen, në përputhje me programin politik të:

1-Memorandum i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve/Beograd, shtator 1986. DIJALOG, Nr. 2/3(Sup), shtator 1992. (Shih edhe Memorandum i Akademisë së Shkencave të Serbisë (1986). Spastrimi etnik, Dokumente historike mbi një ideologji serbe, Paris 1993, Fayard).

Serbisë, në një kolonizim dashamirës i cili, duke i përfshirë shqiptarët dhe trojet e tyre në shtetin serb, do t’i përgatiste ata për një ekzistencë të qytetëruar. Shkrimet bashkëkohore për shqiptarët përfshijnë përgjithësisht stereotipe të tilla, të përsëritura vazhdimisht gjatë njëqind viteve të fundit: se ata nuk janë një komb dhe se mungesa e qytetërimit i pengon ata të krijojnë një shtet të pavarur. Nga këtu rrjedh pretendimi se Skënderbeu ishte serb.

Shqiptarët i urrejnë serbët

Në vitet 1980, emri shqiptar u lidh vetëm me fjalë të tilla si gjenocid, terror, banditizëm, përdhunim – çdo përmendje e kësaj popullsie në marrëdhëniet politike dhe private, kishte një ngarkesë negative. Pas librit të Dimitrije Bogdanoviçit, ‘Knjiga o Kosovu’ (Libër për Kosovën), botuar në vitin 1985, nga Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencave (SANU), dhe daljeve të tij të shpeshta televizive, intelektualët serbë, shkruanin për shqiptarët vetëm për të thënë, në një formë apo tjetër, se serbët e Kosovës, ishin viktima të një gjenocidi të planifikuar.

Bogdanoviçi mbeti kështu shpejt prapa në këtë shfaqje të ndjenjave negative ndaj shqiptarëve. Në librin e tij, Bogdanoviçi kishte ringjallur tezën e vjetër, sipas së cilës, kolonizimi shqiptar i trojeve serbe në shekullin e 17-të, kishte lënë në kujtesë dhunën e përgjakshme të vuajtur nga serbët, të cilën ai e shtjelloi përmes shembujve të akteve të terrorit kolektiv dhe individual: plaçkitjet, masakrat dhe dëbimi i serbëve nga toka e tyre, si dhe me pohimin se baza e kolonizimit shqiptar, do të ishte konvertimi i serbëve në islam, i shoqëruar me asimilim etnik dhe me forcë brutale.

Sipas tij, populli serb në këtë mënyrë u bë viktimë jo vetëm e një lëvizjeje kaotike, por e një shkatërrimi fizik të planifikuar paraprakisht. Zgjerimi i këtij imazhi negativ të popullit shqiptar në tërësi u arrit duke e portretizuar lëvizjen politike shqiptare si agresive, pushtuese, hakmarrëse, konservatore dhe nacionaliste, me synim shkatërrimin e popullit serb përmes vrasjeve, dëbimit dhe fshirjes së historisë dhe rrëmbimit të trojeve serbe, duke synuar rrethimin dhe shkatërrimin e vetë serbëve. Sipas Bogdanoviçit, teza e origjinës ilire të shqiptarëve, ishte raciste, pasi përdorej për të realizuar një pretendim tokësor. Dhe, ndërsa shkruan për vendosjen e serbëve në Ballkan, në një kohë që ai e cilëson si parahistori shqiptare, ai përmend paraardhësit e shqiptarëve pa thënë se kush ishin ata.

Sipas historianit dhe anëtarit të SANU-së, Radovan Samarxhiç, shqiptarët ishin ekspansionistë tashmë që në shekullin e 16-të: ata u lëshuan nga turqit kundër serbëve për të futur një pykë shkatërruese në tokat e dikurshme serbe. Serbët u zmbrapsën si pasojë e vrasjeve dhe plaçkitjeve, djegies së fshatrave, rrëmbimit të tokave të tyre dhe islamizimit të detyruar.

Gjithashtu për sociologun Marko Mlladenoviç, i cili në atë kohë shfaqej shpesh në media, gjenocidi dhe aparteidi i praktikuar ndaj serbëve të Kosovës janë të kuptueshëm dhe historia e origjinës ilire të shqiptarëve është një mjegull arkeologjike e ndërtuar për të pretenduar tokat e supozuara, të paraardhësve parahistorikë të shqiptarëve të sotëm.

Ai këmbëngul se nuk kishte shqiptarë në Kosovë para shekullit të 17-të dhe se ata nuk ishin shumicë atje para Luftës së Dytë Botërore. Persekutorët e serbëve në Kosovë, varionin nga “bashibozukët”, deri te “ballistët”, të lidhur përkatësisht me islamin dhe nacionalizmin ekstrem. Ky rreth intelektualësh serbë, nuk e vuri kurrë në diskutim se shqiptarët, i përdornin fëmijët edhe për qëllime politike. Bogdanoviçi shkruante se, fëmijët shqiptarë nxiteshin të sulmonin fëmijët serbë, ndërsa për Mlladenoviçin, ata përdoreshin për të vendosur një mbizotërim numerik shqiptar.

Një peshkop i Kishës Ortodokse Serbe (KPS), Atanasije Jevtiq, këmbëngul se, qëllimi i shqiptarëve të Kosovës ka qenë gjithmonë: më shumë tokë, më shumë fëmijë dhe më shumë armë. Ai thekson në mënyrë të veçantë se; fëmijët shqiptarë jo vetëm që janë manipuluar, por ndiejnë një urrejtje të thellë ndaj gjithçkaje serbe dhe të krishterë në Kosovë. Për këtë ai fajëson prindërit dhe mësuesit e tyre, si dhe klanin primitiv dhe shpirtin mysliman.

Ndërsa për Bogdanoviçin, shqiptarët ishin vegla në duart e turqve, për Samarxhiçin, ishin vegla të institucioneve të Selisë së Shenjtë, e cila mbështetej tek ata si njerëz me besim dhe nder të ulët, të cilët mund të konvertoheshin në katolicizëm pa shumë mundim. Në portretin e karakterit kombëtar të shqiptarëve, Samarxhiç flet për natyrën e tyre barbare, fuqitë e tyre fantastike riprodhuese, çnjerëzimin e tyre të urryer dhe orgjitë e tyre të përgjakshme.

Gjatë viteve 1990, një tekst model, i shkruar nga Miodrag Joviçi, u shfaq në koleksionin e teksteve SANU: Serbët dhe shqiptarët në shekullin e 20-të. Shqiptarët këtu shfaqen si “Arnauti”, pra banditë plaçkitës, të gatshëm gjenetikisht për dhunë. Edhe për Joviçiçin është islamizimi i tyre, ai që shpjegon pse turqit u dhanë shqiptarëve kartë blanshë për të terrorizuar popullsinë serbe përmes përdorimit të dhunës, plaçkitjes dhe banditizmit.

Duke përvetësuar tezën se tradita dhe përvoja e grumbulluar përcaktojnë një predispozitë biologjike në një komb, ai argumenton se dhuna është pjesë e përbërjes gjenetike të të gjitha shtresave të popullsisë shqiptare, së bashku me urrejtjen ndaj serbëve, dhe se e meta e vetme e tyre është se ata janë gjallë.

Një qasje ndaj ngjarjeve historike, si shlyerje e borxhit, del më drejtpërdrejt në plan të parë këtu. Edhe pse Joviçiç pranon se në Mbretërinë e Jugosllavisë shqiptarët nuk ishin kafshë, që i bënin shoqëri regjimit, ai megjithatë arrin në përfundimin se ata në asnjë mënyrë nuk e kishin paguar borxhin për atë që i kishin bërë popullit serb gjatë sundimit turk. Në të njëjtin stil të historisë së merituar dhe të pamerituar, ai vëren se, duke pasur parasysh përvojën e kaluar, pakica shqiptare thjesht nuk e meritonte të kishte autonomi brenda Serbisë.

Përkundrazi, argumenton Joviçiç, shumë besojnë se në vitin 1945 shqiptarët duhej të ishin vendosur në një karantinë të veçantë dhe t’u jepej autonomia vetëm pasi të kishin dhënë prova të mjaftueshme për aftësinë e tyre për të bashkëjetuar si njerëz të qytetëruar. Shkurt, edhe për Joviçiçin, shqiptarët janë armiq gjenetikë të serbëve dhe të Serbisë.

Sipas këtij autori, shqiptarët ndiejnë një urrejtje të lindur ndaj serbëve dhe Serbisë dhe sjellja e tyre gjenocidale, ka qenë e pranishme ndër shekuj. Zgjidhjen e këtij problemi ai e sheh duke ndryshuar përbërjen etnike të krahinës së Kosovës – duke i kthyer të gjithë serbët që janë larguar, duke krijuar koloni të reja serbe dhe duke ngrirë, për një kohë, autonominë aktuale.

Për inferioritetin historik shqiptar kanë shkruar edhe autorë bashkëkohorë, për gjenocidin e hapur të kryer kundër serbëve në shekullin e 19-të përmes plaçkitjeve, vrasjeve, përdhunimeve dhe rrëmbimeve të grave, që më pas u detyruan të konvertoheshin në islam; për intolerancën etnike dhe fetare ndaj serbëve, e cila ishte baza e të gjitha lëvizjeve politike të “arbanasve”; për furinë e tyre agresive dhe shkatërruese të drejtuar kundër çdo gjëje serbe; për sjelljen e tyre si agresorë dhe pushtues.

Duke i’u referuar marrëdhënieve shekullore mes shqiptarëve dhe serbëve, mbështetet teza se një shpërthim barbar dhe agresiv i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, ndodh sa herë që prishet ekuilibri demografik, se kjo rrjedh nga natyra e shoqërisë  klanore primitive të shqiptarëve dhe se në persekutimin e serbëve shqiptarët ishin më radikalë dhe më mizorë se të gjithë fqinjët e tjerë të serbëve, duke përdorur mjetet më brutale, sipas traditës së tyre islamo-turke dhe fashisto-balliste. (Dobrica Qosiç, 1992).

Këto stereotipe negative për shqiptarët u shtjelluan qysh në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, në librat e autorëve serbë të bazuar në disa studime jo fort serioze. Më e përhapura ishte ajo për urrejtjen e shqiptarëve ndaj serbëve. Arkimandriti Haxhi Serafim Ristiç, ishte ndër të parët, që foli për shqiptarët si armiqtë më të këqij të krishterimit dhe shtypësit më të këqij të popullit.

Radosavljeviç-Bdin, i frymëzuar nga ndjenjat atdhetare, duke numëruar armët që armiqtë (d.m.th. fqinjët) e serbëve kishin përdorur në punën e tyre të përbashkët të shkatërrimit të serbëve, përcaktoi si armë të shqiptarëve; varrezën, barutin për top dhe plumbin. Haxhi-Vasiljeviçi i konsideronte shqiptarët si: “armiqtë më të mëdhenj të serbëve” (1906), “armiqtë e tyre të betuar” (1909); ai ka pohuar se serbët i konsideronin shqiptarët si armiqtë e tyre më të këqij…!

Skënderbeu ishte serb!

Stereotipi i shqiptarëve si serbë të “arbanizuar”, edhe pse në dukje është në kundërshtim me sa më sipër, në fakt është në harmoni të përsosur me të, duke pasur parasysh fenomenin e asimilimit të trajtuar nga kjo pjesë e inteligjencës serbe. Si fillim, shkrimtarët bashkëkohorë manipulojnë me numrin e serbëve të “arbanizuar”. Sipas Samarxhiçit, në fund të shekullit të 19-të, 30 deri në 40% e popullsisë shqiptare të Kosovës, ishte me origjinë sllave, rezultat i arritur, sipas tij, nga një pogrom i vërtetë.

Ndërkohë për Mlladenoviçin, dy të tretat e shqiptarëve etnikë janë me prejardhje serbe. Veselin Gjuretiç, nga ana e tij, këmbëngul se shifra e vërtetë është 80%. Autorët e mëparshëm nuk u morën me numra, por gjetën mënyra të tjera, kryesisht pamore, për të nxjerrë përfundimin e origjinës serbe të shqiptarëve të Kosovës: mungesën e pretenduar të disa karakteristikave fizike të pranishme, për shembull, tek bullgarët.

Teza se Skënderbeu ishte serb, buronte si nga stereotipi i origjinës serbe të shqiptarëve, ashtu edhe nga pamundësia e tyre për të krijuar shtet. Objektivi kryesor i saj ishte të shpjegonte këtë përjashtim historik nga rregulli me ekzistencën fisnore dhe të çorganizuar të shqiptarëve dhe mungesën e dëshirës së tyre për të patur një shtet.

Ashtu si shkrimtarët bashkëkohorë serbë duan të theksojnë se nëna e Skënderbeut ishte nga familja Balshiç (Balshaj – shën. i autorit), gjë që sikurse argumentojnë ata, e bën atë serb, edhe shkrimtarët e mëparshëm janë ndier të detyruar të këmbëngulin në këtë argument.

Për këta autorë, Skënderbeu ishte serb, njëlloj si bashkëluftëtarët e tij; ai ishte dinasti i fundit serb, i cili mbretëroi mbi tokat e banuara nga serbët. Vladan Gjorgjeviq, duke këmbëngulur se; Skënderbeu ishte serb, shkroi me një ton apologjie:

“Në fakt është mjaft e turpshme që na duhet ta pretendojmë këtë hero të vetëm që shqiptarët arritën ta fitojnë për kaq mijëra vjet, sepse në luftërat tona gjashtë shekullore nga Kosova deri në Kumanovë, kemi fituar aq heronj saqë mund të kishim bërë edhe pa këtë, por nuk duhet të lejojmë që historia të falsifikohet për hir të shqiptarëve”. Kështu vazhduan edhe autorë të tjerë, duke përsëritur njëzëri se shqiptarët nuk duhet ta pretendojnë Skënderbeun si të tyrin, pasi ai nuk ishte një shqiptar gjak plotë por të paktën gjysmë serb. Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion