Kur lajmet e rreme kërcënojnë Europën

Kur lajmet e rreme kërcënojnë Europën

Kur në Tiranë dëgjon politikanë, intelektualë, gazetarë të shprehen se... "lufta ndaj lajmeve të pavërteta, është luftë ndaj lirisë së fjalës dhe demokracisë...", qytetarët duhet t'i rendisin ata automatikisht në njerëz që punojnë për shpërndarjen e të keqes. Pa u menduar gjatë e u thelluar se ku bazohen deklaratat e tyre, ata shprehen qartë se synojnë të shpërndajnë errësirën aty ku duhet të shohim dritën. Kjo luftë moderne që ka prekur e kërcënon edhe vende me demokraci e qytetari më të zhvilluar, mendoni se c'bën përditë tek ne. Vetëm më të zgjuarit, më të diturit, më të ndjeshmit e të drejtët do të mund të dallojnë e të pretendojnë të mësojnë lajmin e vërtetë, nga sajimi i rremë.

Por kur kjo i ndodh Europës...

Në prag të zgjedhjeve të 23-26 majit 2019, ku 27 vende anëtare të BE-së do të votojnë për të rinovuar Parlamentin Europian, lajmet e rreme kanë nisur të marrin dhenë dhe kundërshtarë të tyre janë vetëm mediat dhe gazetarët profesionalë. Cfarë po ndodh në të vërtetë?

Lajmi i rremë: "Franca i shet krahinat e saj Gjermanisë". Lajmi është kaq absurd sa askush nuk merr mundimin të përgënjeshtrojë se Franca nuk ka ndërmend aspak të "shesë" dy krahinat e saj lindore, Alsasën dhe Moselën. Në fakt Macron e Merkel do të takohen me 22 janar dhe do të firmosin një traktat mes dy vendeve që synon "bashkëpunimin" dhe sipas mediave serioze në tekstin e bashkëpunimit nuk ka asnjë citim apo aludim për shitje krahinash. Eshtë vetëm një referim në pikën e 4, - raportojnë mediat franceze dhe gjermane - që flet vetëm për shkëmbim ndërkufitar mes krahinave. Janë të gjitha pika që do të ndohmojnë në përmirësimin e jetës së banorëve dhe lehtësimin e procedurave sa i takon shkëmbimit tregtar, përmirësimit mjedisor etj.

E megjithatë lufta në rrjet ka shpërthyer ndërkohë. Si nisi? Akuzat e trasha i hodhi i pari një eurodeputet, Bernard Monot: "Domosdoshmëria e transparencës dhe mungesa e besimit duhet të merren seriozisht në konsideratë nga qeveritë", tha ai për marrëveshjen. Mjaftoi kjo për të ndezur rrjetet sociale e për të nxitur Marinë Le Pen të akuzojë Macron se "po shet vendin dhe se po prek sovranitetin"... pas kësaj peticione online, akuza, urrejtje....

Teksti i marrëveshjes mes Francës dhe Gjermanisë në të vërtetë është teknik dhe nuk u shpjegua apo komentua qartë nga qeveria për qytetarët. Teknicienët që e kanë lexuar atë shohin fare qartë se nuk ka asnjë synim për shitje-blerje territoresh, por mungesa e transparencës dhe e modestisë nga ana e pushtetarëve nga një anë dhe padituria e përzier me qëllimet e këqija, bënë të infektohet rëndë opinioni publik i dy vendeve të fuqishme europiane.

Kur kjo ndodh në Francë e Gjermani, c'presim të ndodhë  në Shqipëri kur nga një anë disa burokratë shqiptarë janë superdembelë të shpjegojnë dhe superarrogantë të  jenë në shërbim të informacionit të pastër dhe të lirë, e nga ana tjetër qëllimkëqinjtë mezi presin që nga mungesa e transparencës dhe nga padija të përfitojnë.

Shpërndarja e lajmeve të gënjeshtërta është një luftë e thellë, që nuk duhet të mjaftohet me deklarata të radhës, por me një informacion (jo propagandë) të përditshëm e të qartë. Në demokraci, ne shqiptarët, jemi ende si fëmijët e klasës së parë. Nëse nuk mësojmë mbi të vërtetën e të drejtën tani, rrezikojmë të largohemi nga qytetërimi e shteti i së drejtës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor