Në themelet e kulturës tradicionale shqiptare, veçanërisht në zonat me trashëgimi të fortë kanunore si fjala "Besa" nuk ka qenë kurrë thjesht një element i të folurit apo një premtim i çastit. Ajo ka funksionuar si një institucion më vete, një kushtetutë morale e pashkruar dhe garancia e fundit e mbijetesës dhe bashkëjetesës njerëzore.
Kur një lider politik i kohës bashkëkohore, i gjendur nën presionin e vazhdueshëm dhe të ashpër të protestave popullore, nxjerr një dokument strategjik apo e përdor këtë koncept të rëndë si gur shahu në tryezën e qeverisjes, ngrihet menjëherë një pyetje thelbësore: Çfarë ka ndodhur realisht në strukturën e pushtetit dhe pse po ndjehet kjo nevojë urgjente?
Për të kuptuar thellësinë e kësaj lëvizjeje, nuk mjafton një lexim sipërfaqësor politik. Kërkohet një analizë e mirëfilltë, që ndërthur sociologjinë e traditës, shkencat politike dhe psikologjinë e masave, për të zbërthyer se çfarë nënkupton ky rikthim tek simbole kaq arkaike dhe çfarë mesazhi përcjell ai për fatin e marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve.
Në traditën e trevave shqiptare, shprehja "Je në besën time!" kishte një ngarkesë dramatike. Ajo ndodhte zakonisht në momente ekstreme – kur dikush kishte bërë një vrasje dhe kërkonte strehim për të shpëtuar nga hakmarrja, ose kur rreziku ishte i afërt dhe i pashmangshëm. Në momentin që strehuesi e pranoante, ai merrte përsipër mbrojtjen me jetë të strehuarit, duke sfiduar shpesh edhe vetë rendin e kohës.
Nëse këtë qasje e transferojmë në kontekstin e sotëm politik, ku Edi Rama dhe kabineti i tij përballen me protesta masive dhe pakënaqësi të grumbulluara, paralelizmi bëhet tronditës. Përdorimi i "Besës" dëshmon se pushteti e ndien veten të rrethuar nga një rrezik ekzistencial politiko-social.
Kur ligji, institucionet formale, propaganda zyrtare dhe mekanizmat e zakonshëm të shtetit nuk mjaftojnë më për të shuar revoltën e qytetarëve në rrugë, politika detyrohet të braktisë fushën e racionalitetit administrativ. Ajo zbret në fushën e emocioneve kolektive dhe kodeve stërgjyshore, duke kërkuar një lloj "strehimi moral" përpara një populli që kërkon llogari. Është një pranim i heshtur se kontrata racionale e qeverisjes është copëtuar dhe se tani po kërkohet një armëpushim psikologjik përmes apelit ndaj ndërgjegjes tradicionale.
Zgjedhja e këtij momenti për të nxjerrë në pah një dokument strategjik apo koncept të bazuar te "Besa" nuk është aspak e rastësishme. Ajo i përgjigjet tre nevojave urgjente të mbijetesës politike:
Së pari, synohet zhvendosja e fushëbetejës diskursive. Protestat e qytetarëve zakonisht fokusohen te problemet e prekshme: korrupsioni qeveritar, rritja e kostos së jetesës, largimi i të rinjve, papunësia dhe kapja e institucioneve. Këto janë terrene ku qeveria është jashtëzakonisht e cenueshme dhe nuk mund të fitojë dot përmes argumenteve ekonomike. Duke e zhvendosur debatin tek "Besa", diskursi publik ndryshon trajektore. Ai kalon nga llogaridhënia teknike dhe llogaritë e buxhetit tek morali, atdhedashuria, tradita dhe "fjala e burrit", fusha ku politika mendon se mund të manipulojë më lehtë opinionin publik.
Së dyti, kërkohet rigjenerimi i imazhit të "Garantit të Stabilitetit". Shprehja tradicionale “A ke besë?” i drejtohej dikujt si garanci e palëkundur se ai do t'i qëndronte fjalës së dhënë. Në këtë fazë krize, lideri kërkon të ripozicionohet në sytë e opinionit publik jo si një kryeministër nën akuzë, por si një patriark apo garant i stabilitetit, i cili premton se "kësaj radhe do të mbahet fjala", duke u munduar të shfaqet si palë e besueshme në një tryezë të re imagjinare.
Së treti, kjo shërben si disiplinim i brendshëm i strukturave dhe aleatëve. Lëvizje të tilla të koduara nuk i adresohen kurrë vetëm opozitës apo qytetarëve në shesh; ato kanë një destinacion të brendshëm shumë të fortë – radhët e vetë partisë në pushtet. Në momente kur protestat krijojnë panik se pushteti mund të lëkundet, shfaqen menjëherë shenjat e para të dezertimit, frikës apo distancimit nga ana e funksionarëve dhe deputetëve. Përdorimi i një termi si "Besa" shërben si një thirrje për "besnikëri ushtarake" brenda llojit, duke kërkuar që askush të mos lëvizë nga pozicionet dhe t'i qëndrojë besnik komandantit.
Në shkencat politike dhe në teorinë e kontratës sociale, Besa nuk ka vend si kategori e menaxhimit të pushtetit. Shteti modern nuk drejtohet me parime kanunore, as me betime fisnore dhe as me fjalë burrash të dhëna nën tryezë.
Shteti modern funksionon përmes Kushtetutës, ligjeve të barabarta për të gjithë, transparencës institucionale dhe ndarjes së pushteteve. Kur një qeveri e një vendi evropian të shekullit XXI detyrohet të nxjerrë dokumente strategjike të mbështetura tek "Besa", ky është një simptomë e rëndë e regresit institucional. Kjo tregon se institucionet kanë dështuar të prodhojnë besim dhe se kjo është një taktikë për të fituar kohë.
Në histori, kur elitat politike gjenden ngushtë përballë një pakënaqësie të gjerë popullore, ato shpesh u drejtohen simboleve kombëtare ose tradicionale për të shkaktuar një "anestezi emocionale" te populli, duke u fshehur pas madhështisë së fjalëve të vjetra.
Lëvizja e Edi Ramës për të nxjerrë në pah "Besën" si dokument strategjik në mes të stuhisë së protestave nuk është aspak unë akt lartësimi kulturor. Ajo është diagnostikimi i një frike politike dhe i një krize legjitimiteti.
Kur një pushtet që ka kontrolluar çdo levë administrative për vite me radhë detyrohet të kapet pas "Besës", kjo do të thotë se kontrata e tij me qytetarët është shqyer përfundimisht. Qytetarët sot nuk kërkojnë më "besën" e liderit, sepse e dinë se në politikë fjala e dhënë pa garanci institucionale vlen aq sa era që e merr. Ajo që kërkohet është kthimi te normaliteti kushtetues, drejtësia e pavarur dhe respektimi i vërtetë i të drejtave qytetare.
Përdorimi i traditës për të shpëtuar politikën e ditës nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi se karrigia e pushtetit po lëkundet nga themelet, dhe çdo përpjekje për ta mbajtur atë përmes simboleve të kaluara dëshmon vetëm pafuqinë për të përballur të ardhmen me fytyrë të pastër ligjore.
Komente










