Kur Vjosa ‘zbutej’  nga dashuria e atyre që jetonin me të!

Kur Vjosa ‘zbutej’  nga dashuria e atyre që jetonin me të!

Lumi i Vjosës

Një ditë marsi e 2023-it Vjosa u shpall Park Kombëtar,një  “moment vërtet historik” për natyrën dhe zhvillimin social e ekonomik ! “E para e këtij lloji në Evropë”. Mendoni pak caste rreth këtij konstatimi të fundit : Ishin “planifikuar” rreth 45 hidrocentrale (?!). Shkatërrim e shkretim më të madh nuk do kish parë njerëzia e viseve të mia dhe më tej ! Me një mijë lloje kafshësh e bimësh.

Tani që ka trokitur pranvera, “lulet e dimrit” që zbukuronin vendet e zhveshura dhe stinën e ftohtë, po ua lenë vendin shpërthimeve të “prillit të dashurisë”. Po te rruga mbi Buzën e Savës ku sot nuk kalojnë dot as dhitë, cilat sythe e gjethe janë ende “në muajin e nëntë” ? Sa herë pushonim pakëz pasditeve të shtuna kur vinim nga Tepelena me këmbë, nuk e harroj fjalinë –definicion të babait:-Po nuk nusëroi(celi) mëlleza, nuk ka ardhur plotësisht pranvera” ! Ajo shkurre e vecantë “me lëvore të kuqërreme në të murrme”, ka gati 60 vite që më cingëris gjumin, ëndrrat, kujtimet…

Fjala vjen, Hasan Bajrami, djali i mullixhiut të mencur Seit, e kishte “zbutur” herët atë lumë që sot e pagëzojnë “të egër”. Prisnin me leje në pyll dhe përgatisnin trarë lisi e dhe i zbrisni nëpër rrungajë të lidhura me tel gjer në Vjosë, ku ishte montuar një kavo çeliku primitive e lidhur përtej Vjosës, në Sajmolë. Vetëm Hasani e cante Vjosën mes për mes…”. Ai nuk prisëte për makina a zetorë në xhade. Ashtu i fuqishëm, notar e sedërli i thekur, pa zhurmë e bujë bashkonte dy –tre tufa trarësh dhe hipte mbi ta e nisej si lundraxhi legjendash nëpër rrjedhën marramendëse të lumit. Përfytyroni distancën deri në Memaliaj ! Duhej të dorëzoheshin për galeritë e minierës. Vetëm Hasani fjalëpakë i përballonte rreziqet e pranishme nëpër gryka e strumbullarë, që mund të merrnin jetë.

Nuk ishte aspak e lehtë dhe as thjesht aventurë të “zbusje” rrjedhën e rrëmbyer, dallgët a përplasjet shkumëzuese të ujit mbi gurët e mëdhenj te Ura e Dragotit apo poshtë kalasë së Ali Pashës në Tepelenë dhe të mbërrije shëndoshë e mirë te Rrepet e Dervenit në Memaliaj. Brezi im e di saktë punën e mbijetesën njerëzore përmes vështirësive e sakrificave që sot ndoshta duken gati të pabesueshme. Sepse rindërtimi i vendit nuk ka qenë fushë me lule. Ajo minierë dikur nuk ngopej me armature druri nëpër llava e galerira, ku disa breza me minatorë, teknikë e inxhinierë derdhën djersë, mundim e dituri. Galeritë e ish Sektorit të Tretë i provova herët si nxënës, ku inxhinieri e poeti i njohur Martin Cukalla, më thoshte shpesh si me shaka:”Kico, mos e trego moshën e vërtetë, ngrije pak kur të të pyesin ! Se mund të hamë ndonjë kopace nga lart…”. Mjaft vite më vonë(shkollë-ushtri-shkollë) do më emëronin korrespondent profesionist në Përmet. Prapë buzë Vjosës sime ! Në atë moshë(ky lumë që kish hyrë furishëm nëpër poezi, reportazhe, kronika e korrespondenca të ditës, në hartime nxënësish e raporte zyrtare) po më dukej më i shtruar, më i “zbutur” e larg zbutjes së kafshëve të egra; pijeve alkolike; pemëve të shartuara apo zbutjes së vetë njeriut kur dikur hidheshin shpesh bomba të vogla nga ato të Luftës italo-greke ose kallëpe dinamiti për peshk.

Kush tallet e bën pataksira me Vjosën, ai i bëjshmi(i madhi i gjithësisë)në qiell, merr hak,-deklaronte serioz miku im shofer mjeshtër, Jano Dhimarko, bashkëpunëtor i vjetër i Revistës së famshme “Hosteni”.

Me Janon, Safetin, Vangjelin, Thomanë e Dionisin (shoferë autobuzash të linjës Përmet-Ballsh), kam nisur dhjetra e dhjetra dorëshkrime me zarf për Redaksinë në Tiranë. Asnjëherë nuk u mërzitën. Madje, më gjenin edhe njerëzit qëdo shkonin me tren në kryeqytet. Pa llogaritur ndalesat buzë xhadeve në Gjirokastër, Ura e Leklit, Dëshnicë, Carshovë, Krahës etj., prisja ndonjë automjet udhëtarësh.

 

Po të ishte gjallë Jano Dhimarko, do u rrëfente “live” e me plot humor të kripur. Ai ishte edhe peshkatar i zoti me grep e kallam. Pasion i vjetër. Mirëpo një ditë prej ditësh, “alarmoi” pa dashje ca drejtues në rreth. Po kthehej nga gjuetia afër Carshovës. Kishte vendosur që atë udhëtim të paharruar, ta realizonte me një kërcu jo të vogël bashkërisht me Vjosën.

Me një kapele kashte të rrumbullaktë mbi kokë mbrohej nga goditja e diellit të mesditës që ecte ngadalë e si një lëmsh i zjarrtë, përcillej nga Nemërcka tatëpjetë dhe lante sytë në lumë. Ashtu i vetëm, Janua llafosej me dallgët e valët kaltëroshe dhe mbante “frerët” e ndonjë zemërimi të shkurtër. Ku ta dinte ai se matanë brigjeve hijerënda ishte dhënë sinjali i alarmit : Një diversant nga Greqia kish hyrë tinëzisht jo nga toka e ajri me parashutë !

Ishin mobilizuar ish Cetat Vullnetare të Mbrojtjes nëpër fshatrat përgjatë luginës bukurimbuluar. Me armë e pa armë. Dikush thoshte të lajmërohej edhe Tepelena fqinje, se mos “diversanti” vazhdonte përtej Grykës së Këlcyrës apo diku u shpëtonte syve vigjilentë. Me shumë vështirësi do të ndalonte vrapin e kërcurit pranë Urës së njohur të qytetit. Kur zbriti në tokë, nuk vonoi ngushtimi i rrethimit nga Ceta Vullnetare e pushtuar nga ankthi luftarak. Sepse nuk ishte një stërvitje a provë e rëndomtë ushtarake me forcat rezerviste. Kur “diversanti” hoqi kapelen e kashtës, disa vunë duart në kokë dhe shkrepën menjëherë një të qeshur bubullimë. E kush nuk e njihte shoferin veteran të autobuzit ! Hokatarë të ëmbël ishin edhe vëllezërit Pilo e Thanas. (Por Janua ishte nga ata burra të zgjuar që të fuste në lumë e të nxirrte pa u lagur!). Madje ia dinin përmendësh edhe targën në vite…

Ujët e kulluar të Vjosës, unë dhe vërsnikët e mi e kemi shijuar pa fund. Notonim edhe kur turbullohej nga moti. Me fëmijërinë tonë ajo nuk shtirej kurrë dhe as tregohej mëndjemadhe, fodulle apo hakmarrëse. Ndryshe me ndonjë më të rritur e burrë që përpiqej ta “vriste” me dinamit, për t’i rrëmbyer peshqit më të shijshëm në botë ! Asaj këngës së mocme “Ta marrë lumi, ta marrë…” ia thoshin si në kor e me gjongul.

Dhe cdo gjë lidhej me Vjosën e bekuar, ku vetëorganizonim edhe gara noti. Për më fukarain i binin shkurt:”Është për lumë lumëziu” fatkeq e i gjorë. Por nuk thanë kurrë: Shpëtuam nga lumi e ramë në det ! Të të shanin Vjosën ishte gati njëlloj sikur të shanin ndonjë njeri të afërt. Asaj i kënduan historikisht edhe kur “binte një zabit shqiptar të vrarë” të shoqëruar nga 7 pashallarë. Se edhe kënga “zbut” e shëron…

Mbi brigjet e kodrat rreth saj hedhin shtat e të dehin me aromat e tyre lulebleta a “dorëzonjat”, menekshetë e egra, luleshqerrat e ato të akshamit, luledelet e luleqyqet, ato të mëngjesit me gjethet si zemër që rrinë celur sa agu i ditës së re etj. Trishtoheshim jo pak kur shihnim gjatë tranzicionit yrrja-byrrja se edhe ky lumë po paguante “cmimin e përparimit” ekonomik e të pashpirt: Gërryerjet e mëdha për zhavorin e ndërtimeve sikur poi a merrnin frymën !...

Mirëpo, një njeri i shquar ka theksuar : Shpresa është më e madhja falsifikatore e së vërtetës ! Ose “ka dy lloj të verbërish : ata që nuk dyshojnë për asgjë dhe ata qe dyshojnë për gjithcka”…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Italisë sfidën e parë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Aksident te rrethrrotullimi që të çon në Nartë, makina përplaset me bordurat anësore, 2 të plagosur (FOTO)

Vlorë/ Aksident te rrethrrotullimi që të çon në Nartë, makina përplaset me bordurat anësore, 2 të plagosur (FOTO)