Mungesa e infrastrukturës, ngriti në protestë banorët e fshatit Malbardhë në Kurbin, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e rrugës që lidh zonën e tyre me aksin kryesor. Sipas tyre, segmenti prej rreth 1.3 kilometrash është në gjendje tepër të amortizuar dhe prej më shumë se 35 vitesh nuk ka njohur asnjë investim.

Ata shprehen se rruga është kthyer në një shqetësim të përditshëm për rreth 200 familje që banojnë në pjesën e poshtme të fshatit, duke e bërë lëvizjen tejet të vështirë.

“Është premtuar disa herë për t’u shtruar me asfalt, por deri tani asgjë. Në dimër bëhet e pakalueshme”, tha një banor.

"Ka 36 vjet që kjo rrugë është kështu. Na e vështirëson shumë jetën”, tha një tjetër.

Në mbështetje të protestës ishin edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozites, Albert Ndoci dhe Sefedin Lika. Ata akuzuan Bashkinë Kurbin për investime selektive, duke pretenduar se disa fshatra janë lënë pas dore prej vitesh, pavarësisht problemeve të vazhdueshme me infrastrukturën.

Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin bën me dije se rikonstruksioni i këtij segmenti rrugor është parashikuar në buxhetin e këtij viti dhe investimi do të nisë së shpejti, per t’i dhënë zgjidhje ësaj problematike shumëvjeçare.