Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, është shprehur se në Lezhë ka një rritje me 15% të numrit të turistëve, krahasuar me vitin e kaluar.

Komentet Ndreu i bëri në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku tha se gjatë këtij viti në Lezhë dhe plazhin e Shëngjinit është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të turistëve të huaj, krahas shqiptarëve të Kosovës, të cilët sipas tij nuk e braktisin Shqipërinë.

“Kemi bërë një test në të gjitha njësitë akomoduese dhe jemi 15% më shumë sesa vitin që kaloi. Lezha po përjeton çdo vit një ngjitje dhe një stabilitet të konsoliduar. Numri më i lartë janë shqiptarët e Kosovës që nuk na lënë asnjëherë, por sivjet ka risi sepse ka edhe shtim të numrit të të huajve”, tha mes të tjerash Ndreu.

Më tej Ndreu theksoi se turistët e huaj që kanë zgjedhur sivjet bregdetin e Shëngjinit, janë kryesisht polakë, gjermanë, norvegjesë, por edhe italianë.

Sipas Ndreut, Lezha ka pastërti në nivele maksimale dhe menaxhim shumë të mirë të stacioneve të plazheve.

“Ka shumë polakë, gjermanë e norvegjesë. Ka italianë, por edhe nga shtetet e tjera. Nëse shkon në Shëngjin ndihet një kontakt shumë më i shpeshtë me turistët e huaj, krahasuar me vitet e tjera. Lezha ka pastërtinë në nivelet maksimale. Sivjet kemi avancuar më tepër me oraret e pastrimit. Menaxhimi i stacioneve të plazhit është një menaxhim shumë i fortë, që këtë vit po e vëmë në sistem”, shtoi Ndreu.

Duke folur për plazhet publike dhe private, Ndreu theksoi se në Lezhë ka shumë hapësira publike falas për plazh, por shtoi se qytetarët pavarësisht kësaj, kryesisht zgjedhin plazhet private.

“Ja shikoni zonat e plazheve publike. Nuk shkojnë aty. Duhet të shkojnë patjetër te zona hoteliere. 14% vetëm menaxhon Lezha Invest. E gjithë pjesa tjetër është bosh. Në qendër të Shëngjinit ka njësi hoteliere që e mbingarkojnë, por ka edhe raste që thonë kam shtëpinë këtu edhe plazhin publik duhet ta kisha këtu”, vijoi më tej Ndreu.

Kryebashkiaku i Lezhës deklaroi se gjatë këtij viti do të investohen 7 milionë euro në rrjetin e shpërndarjes së Shëngjinit dhe 19 milionë euro të tjera për dyfishimin e kapaciteteve në impiantin e ujërave të zeza.

Duke folur për trafikur rrugor, Ndreu tha se nuk mendonte se zona e Lezhës ka problematika në këtë aspekt, por shtoi se pas 2 vitesh me përfundimin e aksit Milot-Balldrenin do jetë një tjetër histori.

“Me energjinë s’ka fare problem. Edhe me ujin, 90% e territorit është në rregull. Sivjet do investojmë 7 milionë euro në rrjetin e shpërndarjes së Shëngjinit dhe 19 milionë euro të tjera për dyfishimin e kapaciteteve në impiantin e ujërave të zeza. Shëngjini bën pjesë në 10 njësitë akomoduese më të shtrenjta. Dhe ato janë plotë. Unë nuk mendoj se zona e Lezhës është një problem i zgjidhur përsa i përket trafikut, por mendoj se pas 2 vitesh me Milot-Balldrenin do jetë një tjetër histori. Ne kemi kuruar disa arterie rrugore që hyjnë e dalin në Shëngjin”, tha Ndreu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:11
Bregdeti i Shëngjinit ‘magnet’ për turistët, plazhet mbushen plotë! Vizitorët për Report Tv: Jemi të kënaqur! Këtu është shumë pastër dhe bukur

 

Bregdeti i Shëngjinit në Lezhë është zgjedhur masivisht nga pushuesit gjatë këtij sezoni veror.

Çmimet konkurruese, pastërtia dhe mikpritja, janë disa nga pikat më të forta të Shëngjinit, për ‘thithjen’ e turistëve vendas e të huaj.

Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vijojnë traditën e pushimeve në bregdetin shqiptar, duke mos e braktisur as këtë vit Shëngjinin.

Për Report Tv, ata shprehen të kënaqur me shërbimet, me çmimet, me mikpritjen dhe me pastërtinë.

“Për mua si Shëngjini nuk ka. Shumë bukur është, pastër është. Për turistët bravo u qoftë. Krejt lumturi. Unë prej Tetove kam ardhur, për me shiju Shëngjinin. Shumë bukur është Shëngjini. Mua më ka pëlqyer shumë”, tha një shqiptar i Tetovës.

“Mirë, unë kam që 11 vite që vij. Veç po përmirësohet, veç po shkon përpara, krejt mirë. Unë shkoj te Rana e Hedhur, sivjet kam ardhur këtu në Shëngjin”, tha një tjetër turist.

“Mirë krejt këtu. Jena të kënaqur, si në shërbim, si në hotel, si në Perëndim, krejt mirë. S’kena vrejtje, kurrëgjë, vllazën jena, me juve mirë krejt”, tha një grua.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, tha se këtë vit në këtë qytet ka pasur një rritje me 15% të numrit të vizitorëve, krahasuar me vitin e kaluar.