TIRANË, 9 Mars /ATSH-Z.Tosku/- Albania Rafting Group, mbështetur nga USAID/Albania, ka organizuar kursin e formimit profesional për guida rafting, për dy javë.
Në faqen zyrtare të USAID/Albania në rrjetin social "Facebook", komunikohet zhvillimi për 2 javë i kursit profesional mbi disiplinën e rafting. Ky kurs është zhvilluar  si pasojë e bashkëpunimit të Federatës Shqiptare të Rafting dhe asistencës ndërkombëtare të trajnerëve të rafting.
Pjesa teorike u shoqërua me trajnimin praktik , përfshirë kursin europian të ndihmës së shpejtë dhe teknikat e nevojshme për t'u përdorur gjatë zbritjeve në lumë.
"Kursi i specializuar është shumë i rëndësishëm dhe siguron që teknikat janë të kuptuara plotësisht dhe në mënyrë të rregullt', nënvizon USAID.
Struktura e trajnimit u nda në katër pjesë të cilat përfshinin njohuri mbi rafting dhe pajisjet, siguria, shpëtimi dhe ndihma e parë. Risi e këtij viti ishte shtimi i elementit të sigurisë së kajakut në lumë, si pasojë e rritjes së kërkesave të numrit të turistëve për vitin 2015. Trajnimet e ofruara sipas standardeve më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit janë një mundësi emocionuesë për të rinjtë për t'u bërë guidë e specializuar turistike për rafting.
"Kjo mundësi e re për të rinjtë dhe të rejat, të apasionuar pas aventurës dhe sporteve në natyrë, po ndihmon në ngritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit të aventurës në Shqipëri", nënvizon USAID/Albania./m.m/