Janë zbuluar detaje të reja nga vrasja e 35-vjeçarit Ramazan Mataj, ndodhur më 5 janar 2025 në Postribë të Shkodrës, për të cilën janë arrestuar dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Shkodrës, Arjon Hasaj ka pranuar autorësinë e krimit, duke rrëfyer mënyrën se si e kishte organizuar ngjarjen.

Hetimet zbuluan se viktima ishte kontaktuar përmes një adrese fallco në Instagram, e krijuar nga vetë Arjon Hasaj, i cili ishte shtirur si femër për ta joshur Matajn në një takim. Ai kishte paguar një vajzë rome që t’i dërgonte mesazhe zanore, në mënyrë që komunikimi të dukej i besueshëm.

Në dëshminë e tij, Hasaj deklaron se motivi i vrasjes ishin tensionet familjare. Viktima akuzohej për marrëdhënie intime me motrën e autorit dhe për shpërndarje të fotove e videove personale të saj, çka kishte shkaktuar prishjen e martesave të saj. Arjon Hasaj ka treguar se disa ditë para krimit kishte parë në Instagramin e motrës një video ku ajo ndodhej në makinën e Matajt, gjë që e kishte tronditur rëndë psikologjikisht.

Në natën e ngjarjes, sipas rrëfimit të tij, ai kishte dalë në vendin e caktuar dhe, sapo viktima u afrua me makinë, e qëlloi 18-19 herë me një pushkë 20-she, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, u largua me biçikletë dhe fshehu armën në oborrin e shtëpisë.

Pasi u kap në pikën kufitare të Muriqanit duke tentuar të largohej drejt Malit të Zi, Arjon Hasaj pranoi krimin, ndërsa gjatë hetimeve u sekuestruan arma e përdorur, 16 gëzhoja dhe municion luftarak.

Në dosje përfshihet edhe dëshmia e motrës së autorëve, e cila pranoi se kishte pasur një lidhje me viktimën që nga viti 2018 dhe e kishte denoncuar disa herë për kanosje dhe përndjekje, duke marrë edhe urdhra mbrojtjeje nga gjykata.

Ndërkohë, babai i viktimës, Fatmir Mataj, ka deklaruar se djali i tij i kishte thënë se do të takohej me një vajzë nga fshati Drisht, por nuk u kthye më. Ai mësoi për vrasjen nga mediat.

Prokuroria e Shkodrës thekson se dosja përmban prova materiale dhe dëshmi të shumta që e lidhin drejtpërdrejt Arjon Hasajn me ekzekutimin, ndërsa dy ditë më parë Prokuroria e Shkodrës dërgoi për gjykim dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj.