E vërteta rreth Gërdecit është e njohur dhe lebetitëse. Ndaj vendimi i para dy ditëve për ish-ministrin e Gërdecit ka shkaktuar rëndesë dhe shqetësim.
Opinioni publik ka pritur me të drejtë që një njeri ordiner dhe krejtësisht të papërgjegjshëm si Fatmir Mediun, të mos mundet më ta mbrojë as imuniteti i deputetit dhe as gjykatësit e korruptuar. Sepse pikërisht prej veprimeve të tilla të Drejtësisë si ky me Mediun e Gërdecit, ne kemi sot të plotfuqishëm me mendje të shkurtër por me duar të gjata, të cilët janë të kudondodhur gjatë vendimmarrjeve, thuajse në të gjitha fushat e jetës.
Megjithëse ka pasur dhe ende ka shumë të ngjashëm djathtas e majtas, para e prapa, ky ish i dënuar me emër të ndryshuar merret si shembull për të analizuar pasojat e tmerrshme që korrupsioni ka sjellë në shoqërinë shqiptare për 30 vitet e fundit. Ai është një model i korrupsionit tonë shtetëror, ADN-ja e të keqes sonë.
Aktualisht metastazat e korrupsionit tonë janë përhapur në tre nivele: Korrupsioni i madh i referohet keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga niveli i lartë i pushtetit për përfitim të disave në dëm të shoqërisë, (përfitimet që vijnë nga tenderët me prokurim publik, shitja e aseteve shtetërore, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe përfitimet nga kontratat publike.) Nuk ka nevojë të zgjatem se për kompanitë e mëdha dhe korporatat, klientë të qeverive, që kalojnë sa majtas djathtas e anasjelltas si lavjerrësa pa fërkim, faktet janë sheshit.
Korrupsioni i vogël i referohet keqpërdorimit të përditshëm të pozitës zyrtare nga zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të ulët të pushtetit në ndërveprimin e tyre me qytetarë të cilët në qasjen e tyre në shërbime publike sikurse shkolla, universitete, spitale, zyra të administratës, polici dhe gjykata u kërkohet të paguajnë mito në këmbim të shërbimit.
Por, ka edhe një lloj korrupsioni, që mund të quhet i ligjshëm, legal! Në këtë korrupsion të ligjshëm, legal bëjnë pjesë privilegjet e ndryshme që kryetarët e ndryshëm, më së pari ata të partive e qeverive, i krijojnë vetes e, pastaj, edhe disa të tjerëve: ministrave, zëvendësministrave, deputetëve, sekretarëve e sekretareshave, drejtorëve, bordexhinjve e sa të tjerëve. Rrogat e tyre palejueshëm të larta, si të mos ishte Shqipëria, e varfër siç është; lensionet e posaçme palejueshëm të larta të të gjithë këtyre zyrtarëve; ushtrimi i disa punëve njëkohësisht; pjesëmarrja në disa këshilla drejtues njëkohësisht, madje kryerja e punëve në disa prej tyre jo vetjakisht po përmes asistentëve; sigurimi i titujve të ndryshëm në bazë të konfliktit të interesit! E shumë të tjera si këto…
Mos vallë janë më të zgjuar e më të mençur se pjesa tjetër këta? Mos vallë kanë dhunti të veçanta “hyjnore” që të bëhen “sheikë” brenda një kohe të shkurtër e të kryejnë krime të përbindshme? Jo! Asnjë nga këto dhunti nuk disponojnë! Çelësi magjik i tyre është se ata kanë patur dhe kanë mbrojtjen e drejtësisë së korruptuar dhe të shtetit të kapur.
Kjo situatë e rëndë gjeneron një ndjenjë të vazhdueshme zhgënjimi dhe dëshpërimi në popullatë, të cilën po e përjetojmë çdo ditë. Varfëria thellohet, besimi tek autoritetet politike dhe institucionale dobësohet, shpresa për një përmirësim të mëtejshëm të mirëqenies po zbehet, shpopullimi nuk ndalet.
Ndërkaq të fortët përjetojnë luksokracinë e tyre të paligjshme, pasuri që Drejtësia e Re duhet t’ia rikthejë atyre që e kanë krijuar – shumicës që punon e rropatet, por vidhet, mashtrohet, vritet, nëpërkëmbet nga këta gangsterë të korrupsionit shtetëror.
Pasojat, që do t’i përmendim më poshtë e që përbëjnë “Dosje të gjalla” të korrupsionit shtetëror duhet të jenë prioritet i hetimit nga SPAK E BKH, nëse kuptojnë rrezikshmërinë që paraqesin deri edhe tek ekzistenca jonë si shoqëri dhe si komb.
Ja një Dosje për Drejtësinë e Re – ajo e pronave që ka shkaktuar mijëra viktima. Nëse ajo nuk zgjidhet, perspektiva e zhvillimit dhe progresit të vendit mbetet e zymtë. Asnjë mëshirë nuk duhet të ketë për “gangsterët e pronave”. E njëjta gjë është bërë edhe me arsimin. Barbari! Si në atë parauniversitar, por sidomos në atë universitar.
Nëse korrupsioni me pronat çon në ulje të investimeve të kapitaleve të mëdhenj dhe për pasojë në frenim të zhvillimit të vendit , korrupsioni në arsimin publik e privat e sidomos në universitete është fatal për shterimin e burimeve intelektuale të shoqërisë dhe për rrjedhojë edhe të atrofizimit të kësaj shoqërie.
Arsyeja? Vetëm për të sunduar përjetë disa të mësuar tashmë me pushtetin dhe paranë e lehtë. Një popull i paditur sundohet dhe skllavërohet lehtë. Prandaj dhe Shqiperia ka “shteruar” nga burimet intelektuale sepse asnjë strategji arsimore e saj nuk iu është përgjigjur në mënyrë adekuate ndryshimeve apo përshtatjes së shoqërisë për t’i transformuar individët standardë, potencialisht kontingjente turmash të politikës, në individë të lirë e krijues, qytetarë të dobishëm për shoqërinë dhe progresin e saj.
Në këtë kontekst korrupsioni në arsim duhet të merret nga drejtësia e re me seriozitetin më të madh, jo si një problem parash për të dënuar pedagogë e profesorë, por si mekanizëm për të dekurajuar “gangsterët akademikë” të rrezikshëm të shoqërisë. Ky duhet të ndëshkohet më rëndë se në çdo lloj korrupsioni tjetër.
U ndalëm në këto dy llojesh korrupsioni për faktin se ato lidhen me dy lloj investimesh – financiare e intelektuale që janë ekzistenciale për vetë shoqërinë. Pa të ardhura moralisht të justifikuara dhe pa intelekt shoqëria shkon në dreq, në vdekje të ngadalshme. Drejtësia e Re duhet t’u punojë fort dhe përditë për të frenuar korruptimin e pronave dhe të dijes.
Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës; tashmë e kanë shumë vështirë të besojnë tek ndryshimi. Po a ka dritë në fund të këtij tuneli ferri të korrupsionit shtetëror, të kthyer në fatalitet për Demokracinë tonë? Sigurisht që ka, nëse ekziston vullneti politik dhe “barra e provës”, veçanërisht për drejtësinë e re që nuk është kapur nga të “fortët”.
Edhe vende të tjera e kanë kaluar këtë situatë. Ka shembuj nga ku duhet të mësojmë. Në Singapor, psh, i cili ka pasur një problem të madh me korrupsionin, në vend se prokurorët të provojnë fajësinë e të korruptuarve, ata kanë bartur barrën e provës tek të akuzuarit. Këta të fundit duhet të provojnë se si e kanë fituar pasurinë e tyre në mënyrë të ligjshme, qoftë edhe jashtë Singaporit.
Një praktikë e tillë do të mundësonte edhe tek ne, hetime të shpejta dhe efikase për ata që u pasuruan shumë dhe shpejt. Politikanë, nëpunës api biznesmenë që nga persona të thjeshtë u bënë milionerë brenda natës, duhet ta dëshmojnë se si e krijuan këtë pasuri në një kohë kaq të shkurtër. Ka edhe përvoja të tjera në disa vende, ku me ligj, nëse zyrtarët fajësohen për rryshfet humbasin të drejtën e pensionit dhe të drejta të tjera speciale që u njeh ligji.
Po presim dhe po shpresojmë te dretësia e re. Lehtësojuani sadopak dhimbjet mijëra viktimave të kësaj katrahure. Xhelatët na sfidojnë përditë; është pikërisht momenti t’i jepet fund feudo-demokracisë!/ Gazeta "Dita"