Dy muaj pas rebelimit të tij të dështuar në Rusi, ish kreu i Wagner, Yevgeny Prigozhin vdiq në një rrëzim të avionit të tij privat teksa ndodhej edhe me 10 të tjerë në bord, por asnjë prej tyre nuk mbijetoi.
Sipas autoritetit të aviacionit të Rusisë, në aeroplan ishte edhe krahu i djathtë i Prigozhin, Dmitry Utkin.
Por kush ishte Dmitry Utkin?
Utkin lindi më 11 qershor 1970 në Asbest, një fshat në Sverdlovsk Oblast të Bashkimit Sovjetik. Nëna e tij ishte një inxhiniere e cila u divorcua nga babai i Utkinit kur ai ishte shumë i ri. Ai cilësohej nga shokët e klasës si shumë studioz, por arrogant, raporton BBC.
53-vjeçari Dmitry Utkin ka qenë një oficer i lartë i ushtrisë ruse, i cili shërbeu si oficer i forcave speciale GRU, ku mbante gradën nënkolonel. Thuhet se ai ishte një nga themeluesit e Grupit Wagner, i cili ka marrë 4 Urdhra të Guximit të Rusisë.
Pas mbarimit të shkollës së mesme në Smoline, Utkin u transferua në Leningrad, ku hyri në Shkollën e Komandës së Lartë të Kombinuar të Armëve S. M. Kirov dhe më vonë iu bashkua Forcave Speciale GRU. Në vitet 1990, ai u martua me Elena Shcherbinina, me të cilën pati 3 fëmijë. Ata u divorcuan në fillim të viteve 2000. Në vitin 2015, Shcherbinina e raportoi Utkin si të zhdukur në një program televiziv.
Sipas disa shkrimeve në media, Utkin është një admirues i Gjermanisë naziste dhe ka tatuazhe të shumta naziste, duke përfshirë shenjat e Schutzstaffel (SS). Utkin gjithashtu thuhet se e quajti veten Wagner sipas kompozitorit gjerman Richard Wagner, sepse vepra e tij admirohej shumë nga Adolf Hitleri dhe u përvetësua nga nazistët.
Në qershor 2017, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër Utkin si kreu i Wagner Group. Në dhjetor 2021, Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi masa kufizuese kundër Utkin dhe të tjerëve të lidhur me Grupin Wagner. Utkin u akuzua se ishte “përgjegjës për abuzime të rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga grupi, të cilat përfshijnë torturat dhe ekzekutimet dhe vrasjet jashtëgjyqësore, të përmbledhura ose arbitrare”
Lajmi kryesor: