37 pakot me kokainë të kapura në Portin e Durrësit një ditë më parë (më 14 shtator) në hapësirat e jashtme të një kontejneri frigoriferik me mish pule, dyshohet se janë të lidhura me grupin e Gerd Gjinararit, i njohur si “Gjenerali”, i arrestuar pak muaj më parë në Belgjikë. Njoftimi u bë nga autoritetet belge të cilat goditën po dje grupin e shqiptarëve të përfshirë në trafikun e kokainës.

***

Në Shqipëri, 37 pakot e kokainës së gjetura të hënën, në kontejnerin që transportonte mish pule nga Brazili, kanë mbetur jetime, pa asnjë të dhënë mbi destinacionin apo personat që fshihen pas ngarkesës.

Por në të njëjtën ditë që ajo u zbulua në portin e Durrësit, në Belgjikë autoritet e atjeshme njoftonin për goditjen e një grupi shqiptar të trafikut të kokainës, në Antwerp, falë një hetimi në bashkëpunim me disa vende, që kishte çuar dhe në kapjen e drogës në Shqipëri.

Lidhjen mes dy ngjarjeve e bën vetë zëdhënësi i Prokurorisë së Antwerpit, Kristof Aerts.

“Si pjesë e hetimit, u zhvillua një bashkëpunim i ngushtë me vendet e tjera dhe me Europolin. Kjo mund të rezultojë në arrestime jashtë vendit. Pas ndërhyrjes, një ngarkesë prej 37 kilogramësh kokainë u sekuestrua në Shqipëri, në një kontejner frigoriferik”, tha Kristof Aerts, zëdhënësi i Prokurorisë së Antwerp-it.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se çështja është referuar në SPAK, i cili pritet të marrë në vijim hetimin e plotë. Kokaina e nisur nga Brazili, kishte kaluar më parë tranzit përmes Greqisë.

Në Antwerp, grupi i narkotrafikantëve të goditur, rezulton të jetë i lidhur me një personazh të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Gerd Gjinarari, i arrestuar po në Belgjikë në muajin qershor. Tetë pjesëtare të grupit përfunduan në pranga, mes tyre një 48-vjeçar shqiptar, i dyshuar si ndërmjetës mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe Amerikës Latine. Sipas hetuesve belgë, ai siguronte lidhjet për importimin e sasive të mëdha të kokainës, përmes portit të Antwerp-it, dhe kishte komunikime edhe me grupe të trafikut të drogës në Evropë e deri në Australi.

Emri i tij mbetet akoma mister, por ai rezulton të ketë qenë në kontakt pikërisht me Gerd Gjinararin, një personazh me një të kaluar të hershme kriminale. Ai ishte 23 vjeç kur në vitin 1997 vrau Naim Zyberin në një spital në Milano, dhe bashkë me disa vepra penale u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Milanos, vendim i formës së prerë që prej vitit 2001. Në 2014-ën u soll në Shqipëri për vijimin e dënimit, dhe në shkurt 2019 u lirua me kusht nga gjyqtari Markelian Kuqo në Korçë, vetëm pak kohë pasi u transferua në burgun e Drenovës. Kur Apeli pak javë më vonë vendosi rikthimin e tij qeli, ishte arratisur.