TIRANE- Vija e parë e sulmit të protestuesve të opozitës, të cilët qëllonin pa ndalim selinë e Kryeministrisë me gurë dhe pllaka të shkulura në bulevard si dhe me shkopinj e vezë, ishin një grup të rinjsh të veshur njëlloj me të zeza. Pas Kryeministrisë, mbi të cilën hodhën gurët dhe pllakat e shkulura nga bulevardi duke thyer xhamat e ndërtesës dhe shkaktuar dëme të tjera, fokusi i sulmit të tyre u bë bunkeri simbolik te Ministria e Brendshme, të cilin në pamundësi për ta shembur, i vunë flakën.

Prania e tyre e mistershme në protestë çuditi jo pak të pranishmit, nisur nga fanellat e tyre ndryshe nga ato të protestuesve të zakonshëm, apo edhe flamujt që mbanin në duar të cilët s’kishin asgjë të përbashkët me flamurin e PD apo atë kombëtar, por kishin simbolet e tyre. Ata ishin të rinjtë e Korpusit Rinor “Azem Hajdari” (KRAH), një organizatë rinore e selisë blu, me qasje ekstremiste, pjesë e Forumit Rinor, që ka për synim “mbrojtjen e votës” dhe sigurimin e aktiviteteve të PD.
 
Sulmet
Ky grup të rinjsh kryesoi të gjithë rebelimin përpara kryeministrisë dhe ishin protagonistët kryesor të sulmit ndaj Kryeministrisë me gurë, shkopinj, vezë si dhe tymuese me ngjyrë blu, si dhe organizuan edhe demonstratën te bunkeri, por pa e shembur atë. Përpara kryeministrisë, përreth tre orë, ky grup mbajti të tensionuar situatën, duke nxitur edhe protestuesit e tjerë të qëllonin Kryeministrinë si dhe në disa raste tentuan edhe thyerjen e kordonit të policisë.

azem hajdari

Më pas kanë qenë pikërisht këta të rinj që shkatërruan rrethimin tek Ministria e Brendshme dhe tentuan shembjen e bunkerit simbolik të ndërtuar aty pak kohë më parë nga qeveria. Bunkeri u dëmtua si dhe iu vu flaka nga brenda, por nuk u rrëzua. Për rreth 2 orë protestuesit qëllonin mbi bunkerin duke e dëmtuar, deri kur turma u drejtua drejt memorialit të Azem Hajdarit, dhe kur policia rrethoi sërish bunkerin.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)