Shkëputja e fëmijës nga nëna është një ngjarje me ngarkesë të lartë emocionale. Çdo grua që ka sjellë në jetë një foshnje mëmn  kupton shumë mirë në këtë pikë. Pasi nëna fillon punën, për fëmijën duhet të kujdeset minimalisht 8 orë në ditë dikush tjetër. Prindërit kanë ankth se sa i besueshëm është personi kujdestar, sa siguri dhe dashuri do ti ofrojë fëmijës? Cfarë sjelljesh e qëndrimesh do të ofrojë si model? Rasti ideal në opinionin tim është kur për fëmijën dalin për zot gjyshërit si kujdestarë. Por sot nuk ndodh shpesh ky rast. E më vonë kur fëmija rritet dhe bëhet për shkollë, sërish ka ndarje, sërish ka luftë emocionesh, dyshime, pasiguri.

Shkëputja e fëmijës nga nëna është një ngjarje me ngarkesë të lartë emocionale. Çdo grua që ka sjellë në jetë një foshnje më kupton shumë mirë në këtë pikë. Pasi nëna fillon punën,  për fëmijën duhet të kujdeset minimalisht 8 orë në ditë dikush tjetër. Prindërit kanë ankth se sa i besueshëm është personi kujdestar, sa siguri dhe dashuri do ti ofrojë fëmijës? Cfarë sjelljesh e qëndrimesh do të ofrojë si model? Rasti ideal në opinionin tim është kur për fëmijën dalin për zot gjyshërit si kujdestarë. Por sot nuk ndodh shpesh ky rast.

 E më vonë kur fëmija rritet dhe bëhet për shkollë, sërish ka ndarje, sërish ka luftë emocionesh, dyshime, pasiguri. Tani prindërit, detyrimisht duhet t’ia besojnë fëmijën e tyre për minimalisht 6 orë në ditë shkollës dhe mësuesve të saj. Në këtë fazë, nuk ka më persona me siguri dhe besueshmëri të lartë sic janë gjyshërit.

Si psikologe dhe si nënë e dy fëmijëve e kam shqetësim të vazhdueshëm gjendjen mendore të personave që rrethojnë fëmijët e mi dhe gjithë fëmijët e tjerë. Jo më larg se dje lexova lajmin të cilin po e bashkangjis fjalë për fjalë për të përligjur shqetësimin që po ngre: “Ka lyer trupin me benzinë dhe i ka vënë flakët vetes. Akti vetëflijues është ndërmarrë nga një mësues i shkollës profesionale 'Thoma Papapano' në Gjirokastër mëngjesin e datws 4 prill rreth orës 08.00, në zyrën e drejtorit të shkollës. Ndërhyrja e stafit pedagogjik për shurajen e flakës i ka shpëtuar jetën 60 vjecarit L.H. Mësuesi ka pësuar djegie në fytyrë. Fillimisht u dërgua në spitalin rajonal të Gjirokatrës 'Omer Nishani' dhe më pas u nis drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Mësohet se mësuesi e ka ndërmarr këtë akt pas një debati që ka patur me drejtorin e shkollës për praktikën mësimore, pasi ai fajësonte eprorin se ora e tij e mësimit nuk frekunetohej nga nxënësit. Ngjarja e pazakontë ka terrorizuar nxënësit dhe mësuesit prezentë në ambjentet e shkollës. - See more at: http://www.shqiptarja.com/

Sigurisht që ndjej keqardhje për mësuesin e dëshpëruar, por akti i tij, detyrimisht më con drejt përfundimit se shëndeti mendor i këtij personi ka dhënë sinjale për ekzistencën e problemeve, më parë se ai të ndërmerrte këtë veprim. Nuk dua të analizoj shkaqet e mundshme që cuan mësuesin drejt tentativës për të vrarë veten. Vetëm hamendësime do të kisha bërë. Njëlloj sic bën policia për këto raste në konferencat për shtyp, e cila shkon edhe më larg se hamendësimet, duke bërë diagnostikime, si psh shkaku ishte depresioni.

Jam kurioze nëse ndokush në polici është kompetent dhe realizon procedura vlerësimi të gjendjes mendore të personave!! Fokusi im në këtë shkrim janë fëmijët. Më dhimbsen dhe frikësohem për ata fëmijë që kanë qënë me të drejtë në shkollë, por me pa të drejtë të ekspozuar ndaj ngjarjes. Siguria e tyre fizike është kërcënuar, mirëqënia psikologjike është rrezikuar. Dhe kjo ka ndodhur në shkollë…Aty ku prindërit mendojnë se i kanë të sigurt e të kontrolluar.

  Tashmë prindërve u duhet të luten e të shpresojnë  që edukatorët e fëmijëve të tyre të jenë të aftë mendërisht e profesionalisht. Jo rastësisht them të luten e shpresojnë, pasi nuk parashikohet gjëkundi në ligjin për arsimin parauniversitar, në kreun IX, mbi statusin e  personelit mësimor, domosdoshmëria e kontrollit psikik të tyre në mënyrë periodike. Edhe nëse burimet njerëzore në drejtoritë arsimore u kanë kërkuar raport mjeko-ligjor si pjesë të dosjes, këto raporte ju siguroj se janë lëshuar formalisht nga shërbimet parësore mjekësore.

Në gjykimin tim është e rëndësishme që sidomos për personat që punojnë me fëmijët të realizohen ekzaminime reale të gjendjes mendore para se ata të vendosin këto marrëdhënie.  Dhe kur mendon se ekzaminime të tilla kryhen rëndom kur pajisesh me leje drejtimi për automjet, vërteton shqetësimin se në vendin tonë i kushtohet pak vëmëndje mirëqënies së fëmijëve dhe aq më pak cështjeve të shëndetit mendor. Ka njerëz që stepen para togfjalëshit ekzaminim psikiatrik dhe përnjëherë ndihen të etiketuar si “me probleme”.

Dhe kur këta njerëz qëllojnë të jenë mësues, ka edhe më tepër rezistencë. Sa janë mësuesit që shkojnë për këshillim te psikologu shkollor, qoftë ky këshillim edhe për problemet me nxënësit?? Mendoni pak sa mund të jenë mësuesit që do ti drejtoheshin psikologut për ekzaminim të gjendjes mendore? Uën them se pothuajse asnjë prej tyre nuk do të shkonte për këtë cështje. Por nëse informohen lidhur me procedurat standarte te ekzaminimit, besoj se nuk do të tremben dhe nuk do të ngurojnë kaq shumë, aq më tepër kur bëhet fjalë për interesin më të lartë të fëmijëve.

Jam e vetëdijshme se në vendin tonë ka mangësi lidhur me fushatat sensibilizuese ndaj shëndetit mendor. Ende njerëzit mendojnë se është turp të shkosh te psikologu, apo ta marrin vesh fqinjët se një familjar vuan nga një crregullim psikiatrik. Madje shpesh në vendin tonë, është parë martesa si një mjet për ti zënë sytë edhe gojën njerëzve dyshues ndaj një personi me probleme psikike. Është mirë që përmes medias të shpërndahet informacion se cfarë bën psikologu ose psikiatri për të vlerësuar gjendjen mendore të një personi, aq më tepër kur psikologët nga dita në ditë po zënë vend të rëndësishëm në panelet e emisioneve televizive. 

Në protokollin e vlerësimit specialisti do të përfshijë fusha të caktuara si historiku i zhvillimit të personit, të dhëna të mbledhura nga vëzhgimi i tij në marrëdhëniet me ekzaminuesin dhe mjedisin përreth. Vëzhgimi i aktivitetit motor ku përfshihen qëndrimet trupore, lëvizjet e trupit, shprehjet faciale, xhestet dhe prezenca e tikeve ose dridhjeve. Vëzhgimi i të folurit, i cili ka të bëjë me shkallën, volumin, koherencën. Forma e të folurit është shumë e rëndësishme sesa përmbajtja e të folurit në këtë pjesë të ekzaminimit.

Gjendja humoriale ose gjendja subjektive emocionale, duhet të bazohet në vetë raportimet e personit më tepër se në vëzhgimet e psikologut. Afekti ose vëzhgimi objektiv ndaj gjendjeve emocionale të shprehura nga personi. Proceset e të menduarit mund të përdoren për të përshkruar formën e të menduarit të personit dhe për të karakterizuar se si janë shprehur idetë e tij, nëse mendimet janë logjike, tangentiale, të orientuara, apo të paorganizuara. Përmbajtja e të menduarit përshkruan  se cfarë mendon personi dhe ka të bëjë me prezencën ose mungesën e të menduarit obsesiv ose deluziv dhe me idetë për vrasje ose vetëvrasje. Nëse një nga këto  mendime janë prezente, duhet të kihen parasysh detajet në lidhje me intensitetin dhe specifikat.

Shqetësime të perceptimit që ndodhin në mungesë të stimujve sensorë, halucinacionet, janë gjithashtu për tu vlerësuar gjatë ekzaminimit, sic janë edhe  elementet e gjendjes kognitive që  përfshijnë vëmëndjen, përqëndrimin, kujtesën si dhe gjykimi, aftësia për të identifikuar pasojat e veprimeve. Së fundi, vetëdija e personit për të kuptuar sëmundjen e tij dhe nevojën për trajtim, quhet insight. Kur vlerësohet insighti i pacientit, duhet vlerësuar shkalla në të cilën personi kupton se sa ndikon sëmundja në jetën  e tij, marrëdhëniet me të tjerët dhe vullnetin për të ndryshuar. Vlerësimi i insightit është thelbësor në diagnostikim si dhe për përcaktimin e trajtimit.
Sfidat kryesore në procesin e vlerësimit të gjendjes mendore lidhen me  përcaktimin nëse duhet më shumë ose jo ekzaminim i detajuar.

  Ekzaminimi i gjendjes mendore mund të jetë i detajuar kur psikologu, i afërmi ose person i tretë ka ndjesinë se dicka nuk shkon me personin. Ligji Nr. 44/2012 për shëndetin mendor  neni 10 pika 2 parashikon se  “Shërbimet e shëndetit mendor, mund të ofrohen, sipas legjislacionit në fuqi edhe nëpërmjet iniciativash private të grupeve të pacientëve, familjarëve apo palëve të treta”.

Në fakt, është në detyrën e psikologut shkollor  që përvec identifikimit të rasteve të nxënësve që shfaqin sjellje të papërshtatshme, të identifikojnë edhe mësues me sjellje të tilla, të cilat mund të rrezikojnë mirëqënien e fëmijëve. Dhe ashtu sic adresojnë apo referojnë rastet e nxënësve, (nëse e bëjnë kaq gjë në shkollë) të referojnë edhe rastet e mësuesve në shërbimet e specializuara për trajtim.

Por meqënëse roli i psikologut ka ardhur duke u dobësuar në shkollat shqiptare, për shkak të paaftësisë së tyre, drejtuesve të shkollave  dhe të metave të sistemit arsimor, unë sygjeroj që këto ekzaminime të realizohen nga psikolog të punësuar pranë zyrave arsimore ose drejtorive arsimore rajonale, ose në pamundësi të realizohen nga specialistët pranë shërbimeve mjekësore parësore ose qendrave komunitare.

Kështu do të shmanget subjektiviteti I ndikuar prej marrdhënies direkte psikolog–mësues. Dhe kur prindërit të shkojnë në dyert e shkollave për të regjistruar fëmijët, të garantohen se mësuesit kanë kryer kontrollin  e shëndetit mendor, sepse fëmijët janë më të rëndësishëm se gjithçka në botë!
 
Shkrimi u publikua sot (19.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com