Ilir, ti drita ime, meriton shumë.Sot ta vendosa foton e pranverës së fundit të jetës tënde, këtu pranë.Të kam përballë dhe të shoh cdo cast.Sot, më 26 prill është ditëlindja jote, mbush 34 vjec, ndërsa ke 17 vjet, që nuk të kam pranë.Kam bërë të pamundurën për të përballuar dhimbjen,që më shkaktove.Dashuria që kam për ty, bir, më bën të fortë, të mos jepem.

Po kuvendoj me ty jo si dhimbje, por si një dritë, dritë shprese, që më mbush dhe më ndricon shpirtin cdo ditë.

Ilir, ti je krenaria ime, je sfida ime.E di pse?Sepse më dhe gëzimin e dhimbjen më të fortë, nuk kam asnjë dyshim për këtë.I qëndroj idesë se gjithnjë, ikën nga kjo botë më i miri dhe kjo më ngushëllon, biri im.

E di shpirti i mamit sa më ka marrë malli që të të shoh,që të prek,të flasim dhe të shihemi në sy duke qeshur e gëzuar sepse kuptoheshim dhe mirëkuptoheshim shumë. Ilir!Ti je lart,shumë lart dhe mami e di këtë.

Mendoj se ke prekur me të mirën, më njerëzoren dhe humanen e asaj bote. Jam koshiente për këtë .Ti, zemra e mamit, që u largove nga sytë e mi kaq shpejt,shpirtin e kemi gjithnjë bashkë. E di ,e kam kuptuar e kam ndjerë, i shtrenjti im.

Ndarja jonë fizike e ka emrin dhimbje. Unë tani jam brenda dhimbjes së fortë, nuk dua të jem jashtë saj, sepse unë aty kam shpirtin tim, që më shikon, flet dhe më dëgjon. Por nuk mund të mohoj bir se më përvëloi malli për ty, pasi më mungon fizikisht.

Përsëri them se më mungon fizikisht, por shpirtërisht jo. Vërtetë nuk flasim, por flet gjuha e folur e shpirtrave tanë, që është shpirti i dy qënieve më të brishta dhe të dlira të njerëzimit. Shpirti i nënës dhe I birit.

Prandaj them,biri im; Se dashuria jonë është në ccdo qelizë, madje është shumë e bukur sepse jemi gjithnjë në kërkim edhe në adhurim të njëri –tjetrit. Ndaj sot them: Gëzuar ditëlindjen biri im, Ilir. Të uron mamaja jote e shtrenjtë Vasilika.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)