Kuvajti e Shqipëria, vende miq me
perspektivë të shkëlqyer bashkëpunimi

Kuvajti e Shqipëria, vende miq me<br />perspektivë të shkëlqyer bashkëpunimi
TIRANE - Në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Kuvajtit, Ambasadori kuvajtian në Shqipëri, Al Bader deklaron se në kuadër të marrëdhënieve Shqipëri-Kuvajt, po konkretizojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dypalësh në shumë fusha të interesit reciprok, si arsimi, shëndetësia, industria dhe investimet.

Gjithashtu, Ambasadori Al Bader vlerëson se qeveria shqiptare duhet vazhdojë me këmbëngulje punën e saj për kryerjen e reformave efikase në rrugën që ka nisur, që kanë për synim forcimin e shtetit ligjor, vendosjen dhe mbrojtjen e institucioneve të saj demokratike , si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që të krijojë një treg të konsoliduar e të sigurt për tërheqjen e investimeve të huaja.

Zoti Ambasador, duke ju uruar fillimisht për festen Tuaj kombëtare, cila është simbolika e kësaj date dhe çfarë përfaqëson në historinë e Kuvajtit ajo ?

Para së gjithash, do të dëshiroja të shprehja falënderimet e mia për Agjencinë Telegrafike Shqiptare për mundësinë që më ofroni për t’u takuar me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Kuvajtit. Në të njëjtën kohë, përmes agjencisë suaj do të doja t’i përcillja urimet e mia madhërisë së Tij, Emirit, qeverisë dhe popullit të shtetit të Kuvajtit. Këto dy ngjarje reflektojnë luftën dhe përpjekjen e  prindërve dhe gjyshërve tanë që prej pavarësisë së Kuvajtit në vitin 1961. Që prej shpalljes së pavarësisë, historia e Kuvajtit ka shënuar një sërë hapash të sigurt drejt rigjallërimit, zhvillimit, vendosjes së institucioneve demokrati dhe drejt begatisë. Përvjetori I pavarësisë së tij, për të gjithë kuvajtianët personifikon konceptin e përpjekjeve dhe punës drejt lirisë, dinjitetit dhe mbrojtjes së kombit tonë. Që prej pavarësisë së tij, Kuvajti ka vendosur në mënyrë efikase marrëdhënie të ngushta miqësore me vende dhe popuj të ndryshëm në të gjitha fushat kulturore, sociale, ekonomike dhe politike.

Ju keni disa vite në Shqipëri dhe ecuria e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona ka shënuar një progres të dukshëm. Si e vlerësoni këtë dhe ku mendoni se duhet intensifikuar bashkëpunimi?

Po, unë kam pasur nderin të jem Ambasadori i parë rezident i Shtetit të Kuvajtit në këtë vend të bukur që prej vitit 2011. Gjatë këtyre viteve të fundit, kam qenë dëshmitar i shumë zhvillimeve konstruktive në marrëdhëniet dypalëshe përmes nënshkrimet të disa marrëveshjeve dypalëshe, që tashmë kanë hyrë në fuqi, si edhe marrëdhëniet në planin shumëpalësh përmes bashkërendimit lidhur me një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare të interesit të ndërsjellë.

Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha dhe ofron një treg tërheqës për investitorët ndërkombëtarë. Sa i takon Kuvajtit, mund të them i bindur që deri tani ne po konkretizojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dypalësh në shumë fusha të interesit reciprok, si arsimi, shëndetësia, industria dhe investimet. Gjithashtu, ne jemi të gatshëm që këto marrëdhënie do të njohin rezultate të prekshme konkrete në të ardhmen.

Unë besoj se qeveria shqiptare duhet vazhdojë me këmbëngulje punën e saj për kryerjen e reformave efikase në rrugën që ka nisur, që kanë për synim forcimin e shtetit ligjor, vendosjen dhe mbrojtjen e institucioneve të saj demokratike , si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që të krijojë një treg të konsoliduar e të sigurt për tërheqjen e investimeve të huaja.

Midis vendeve të Gjirit Arabik, Kuvajti përbën destinacionin me vëmëndje të veçantë të politikës shqiptare. Kuvajtin e kanë vizituar kryeministri Rama, kryeparlamentari Meta dhe drejtues të tjerë të institucioneve  shtetërore.  Çfarë po ndodh pas këtyre vizitave?

Kuvajti ka interes të veçantë për zhvillimin e bashkëpunimit me të gjithë vendet e Ballkanit, dhe veçanërisht me Shqipërinë, pasi të dy palët mbështesin fuqishëm njëra-tjetrën lidhur me një sërë çështjes të rëndësishme. Në këtë drejtim, unë vlerësoj qëndrimin kurajoz dhe parimor të  Shqipërisë, që ishte në ballë të vendeve të botës, që dënuan pushtimin barbar të Kuvajtit në vitin 1990.

Sa i takon shkëmbimit të vizitave mes zyrtarëve të lartë të të dy vendeve, sikurse e dini, këto vizita luajnë një rol kyç në zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, politike, ekonomike dhe sociale mes të dy palëve. Zyratër të lartë zhvilluan kohët e fundit një vizitë në Kuvajt, duke përfshirë vizitën shumë të frytshme të Kryetarit të Kuvendit, Zotit Ilir Meta, e pasuar nag vizita e Kryeministrit, zotit Edi Rama, si dhe nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi e të tjerë. Këto vizita, që pasqyrojnë dëshirën reciproke për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, u kurorëzuan me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja dypalëshe, veçanërisht për forcimin e bashkëpunimti në shëndetësi, nxitjen e eksporteve industrial si dhe bashkëpunimin për çështje të mjedisit. Në këtë kuadër, do të dëshiroja të theksoja që rezultatet e vizitave të tilla ishin shumë konstruktive dhe pozitive,duke përmendur këtu që Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka vendosur pak kohë më parë që të lejojë shtetasit kuvajtianë të udhëtojnë pa viza drejt Shqipërisë. Ky vendim inkurajon rritjen e pranisë së qytetarëve kuvajtianë, njëkohësisht të investimeve kuvajtiane në një sërë fushash, të mbështetura njëkohësisht edhe nga vendosja kohët e fundit të linjës direkte të fluturimeve mes Tiranës dhe Kuvajtit.

Në gjykimin Tuaj çfarë përfaqëson Kuvajti për Shqipërinë , po edhe Shqipëria për Kuvajtin ?

Kuvajti dhe Shqipëria përfaqësojnë një model të shkëlqyer bashkëpunimi. Të dyja kanë marrëdhënieve dhe bashkëpunim të shkëlqyer në fusha të ndryshme. Kuvajti ishte në krye të vendeve që ndihmuan në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës në Shqipëri që prej vitit 1991 me një kontribut financiar, që llogaritet rreth 120 milionë euro. Kontributet e Shtetit të Kuvajtit janë përqendruar në tre drejtime kryesore, së pari programet e Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik, që ka mbështetur gjashtë projekte me vlerë 75 milionë dollar, përmes investimit të sektorit privat si dhe projekteve bamirëse humanitare.

Do të dëshiroja të theksoja se ekziston një vullnet I përbashkët për të zhvilluar perspektivën e bashkëpunimit mes Kuvajtit dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, veçanërisht për forcimin e bashkëpunimit ekonomik  përmes gjetjes së rrugëve konkrete për nxitjen e pranisë së investitorëve kuvajtianë në Shqipëri, duke shfrytëzuar stimujt që ofrohen nga mundësitë për investimet e huaja në Shqipëri.

Çfarë duhet bërë në gjykimin Tuaj për një forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kuvajtit ?

Unë mendoj që të dy vendet duhet të vazhdojnë të konsolidojnë dhe zgjerojnë nivelin aktual të bashkëpunimit në çështje dypalëshe dhe shumëpalëshe nën dritën e marrëdhënieve të shkëlqyera, që bashkojnë të dy vendet tona.

Unë gjithashtu besoj që ekziston nevoja për më shumë politika dhe legjislacion parlamentar, që do të përqendroheshin në rritjen e rolit të ligjit për inkurajimin e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të identifikojë projekte të prioritetit të veçantë në sektorë të caktuar si bujqësia dhe turizmi, që janë dy fusha jetike që mund të kontribuojnë shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Cilat jane interesat e Kuvajtit në këtë pjesë të botës, e kemi fjalën për Ballkanin ?

Kuvajti zbaton një politikë të jashtme të mbështetur në nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në arenën rajonale dhe ndërkombëtare për të gjitha çështjet e interesit të përbashkët, që kontribuojnë në garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Në përputhje me këtë qasje, Kuvajti ofron asistencë financiare përmes Fondit Kuvajtian për Mekanizmin Arab të Zhvillimit Ekonomik, që kontribuon në më shumë se 106 vende për mbështetjen e projekteve në të gjitha fushat e zhvillimit.

Shqiptarët në çerekshekullin e fundit kanë emigruar në vende të ndryshme të botës dhe mund t’i gjesh gjitheandej. Në Kuvajt  thuajse mungojnë fare. Si e shpjegoni ju këtë fakt , kur shteti juaj është një shtet që ka  shumë të huaj dhe standarte të larta jetese?

Kuvajti mirëpret praninë e gjithkujt dhe në vendin tonë punojnë dhe jetojnë njerëz nga më shumë se 140 kombësi të botës, një fakt që reflekton hapjen e Kuvajtit ndaj larmisë së kulturave të huaja, si dhe njëkohësisht zhvillimin dhe zgjerimin e projekteve ekonomike dhe të tjera. Jam i sigurt se falë zhvillimeve të fundit mes dy vendeve tona dhe me lehtësitë që ka sjellë zhvillimi i këtyre marrëdhënieve, si për shembull vendosja e linjave direkte të fluturimit me Shqipërisë dhe Kuvajtit, jam i bindur që qytetarët e të dy vendeve tona do të shfrytëzojnë mundësinë për të zbuluar njëri-tjetrin, qoftë për turizëm, biznes, arsimim etj.

Le t’i rikthehemi tani marrëdhënieve tona të aspektit ekonomik. Kuvajti ka kryer investime të fuqishme në Shqipëri. Cili do të jetë drejtimi i investimeve kuvajtiane në të ardhmen në Shqipëri?

Po, Kuvajti ka kryer investime të fuqishme në Shqipëri. Kuvajti kujdeset shumë për marrëdhëniet e tij me Shqipërinë dhe synon  ta ndihmojë në procesin e saj të zhvillimit, ashtu siç ka bërë deri më sot.

Në këtë aspekt ekziston një dëshirë e përbashkët e të dy palëve për forcimin e investimeve dhe zhvillimit të volumit të tregtisë me qëllim përmbushjen e aspiratave të përbashkëta dhe për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Si pjesë e kësaj dëshire, siç e përmenda edhe më lart, numri i marrëveshjeve të nënshkruara dypalëshe, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit për nxitjen e investimeve reciproke, bashkëpunimit në fushën kulturore dhe të turizmit, mbrojtjen dhe shmangien e taksimit të dyfishtë, si edhe bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, kanë si qëllim të arrijnë pikërisht këtë, krijimin e një mjedisi tërheqës për investimet si dhe shkëmbimin e përvojave mes Kuvajtit dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme në mënyrë që ato të zhvillohen në nivelin më të lartë.

Nëse të gjithë sektorët e ekonomisë zhvillohen në mënyrë pozitive, atëherë kjo do t’i shërbente në mënyrë optimal zhvillimit ekonomik të një vendi në tërësi. Në kuadër të përpjekjeve për forcimin  e bashkëpunimit dypalësh dhe arritjen e synimeve të përbashkëta në të gjitha fushat e interesit reciprok,aktualisht po punojmë për zhvillimin e takimeve të sesionit të parë të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit në muajin maj, që do të kryesohen nga ministrat e jashtëm.

Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe agjencia Kuvajtiane KUNA, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në mes tyre në tetor të vitit të kaluar. Të dy institucionet kanë filluar shkëmbimet e informacioneve respektive. Çfarë sugjeroni që duhet intensifikuar në këtë drejtim, me synimin që marrëveshja të jetë sa më efektive dhe funksionale, mbështetur edhe mbi përvojen Tuaj si diplomat?

Para së gjithash, më lejoni të theksoj rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, pasi media luan një rol të rëndësishëm në informimin e publikut të gjerë dhe këto dy agjenci të njohura lajmesh kanë përgjegjësinë kryesore për arritjen e këtij synimi në mënyrë cilësore, të shpejtë dhe të ndershme. Përmes kësaj marrëveshjeje, këta institucione do të jenë në gjendje të shkëmbejnë përvojat e tyre të vlefshme në fushën e informimit publik. Për rrjedhojë, vizitat e ndërsjella mes zyrtarëve të të dy palëve do të çojnë në intensifikimin e bashkëpunimit dhe komunikimit, duke përfshirë edhe realizimin e seminareve dhe aktiviteteve të përbashkëta për arritjen e objektivave të dëshiruara.

Ju jeni miqësuar me Shqipërinë dhe shqiptarët. Keni miq të shumtë gjithandej. Është natyra juaj e hapur , apo edhe shqiptaret janë shumë të ngrohtë e miqësore me Ju ?

Së pari, më lejoni t’ju them që jam shumë i lumtur që punoj në Tiranë gjatë këtyre katër viteve të fundit, që kanë kaluar vërtet shpejt. Në punën time jam përpjekur të ndihmoj për forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në përputhje me aspiratat e udhëheqjes së të dy vendeve. Në këtë aspect do të doja të theksoja se kam shumë miq në Shqipëri dhe këtu kam ndërtuar miqësi, që do të zgjasin gjithë jetën. Kam pasur një bashkëpunim tepër të frytshëm nga ana e zyrtarëve shqiptarë dhe populli shqiptar ka treguar pa asnjë dyshim natyrë bujare dhe miqësore, për të cilën u jam shumë mirënjohës, pasi më kanë bërë të ndjehem si në shtëpinë time. Unë e konsideroj veten si njeri me natyrë të hapur, por njëkohësisht mendoj se shoqëria shqiptare është shoqëri e hapur dhe shumë mikpritëse ndaj të huajve, kulturave dhe zakoneve të ndryshme të huaja, dhe ç’është më e rëndësishmja, shqiptarët janë të hapur ndaj larmisë, që, në gjykimin tim, është tipari më I vyer i popullit shqiptar.

Gjatë takimeve të mia të panumërta këtu në Shqipëri, kam mësuar lidhur me kulturën e bukur dhe në të njëjtën kohë i kam njohur ata me Kuvajtin, popullin dhe kulturën tonë, për të cilën duhet të shtoj se ka shumë ngjashmëri me atë shqiptare, pasi Kuvajti, pavarësisht se është një vend i largët gjeografikisht, ëstë shumë pranë ndjenjave të tyre. Unë mendoj se natyra e qytetarëve kontribuon gjerësisht në krijimin e miqësive të përbashkëta. Përveç kësaj, sikurse e përmenda edhe më lart, ekzistojnë faktorë dhe emërues të përbashkët mes Kuvajtit dhe Shqipërisë, siç është sipërfaqja dhe popullsia e vogël, shumë tradita dhe zakone që na bashkojnë, siç janë mikpritja dhe lidhja e ngushtë me familjen.

Marrë nga ATSH

Redaksia Online
(do.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Igli Tare bën gati kthimin si drejtues: Në kohën dhe klubin e duhur

Igli Tare bën gati kthimin si drejtues: Në kohën dhe klubin e duhur