TIRANË – Nuk ka komisione hetimore parlamentare për AKSHI-n dhe ARRSH-në. Me 75 vota, mazhoranca rrëzoi 2 nismat e opozitës.

Para votimit, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se 4 miliardë euro janë bërë pluhur e hi me ndërtimin e rrugëve në Shqipëri, rrugë të cilat sipas tij u shkatërruan të gjitha.

"Një çështje e veçantë, shumë e ndjeshme për të gjithë shqiptarët, është fakti se 4 miliardë euro janë bërë pluhur e hi në të katër anët e vendit, referuar atyre që duhet të ishin kryeveprat e infrastrukturës së një qeverie që erdhi në pushtet për të mbyllur rrugët e lëna rrugëve dhe që sot nuk ka lënë asnjë rrugë në këmbë. 4 miliardë euro të bëra pluhur e hi, kryesisht në dy qarqe, Korçë dhe Elbasan",- tha Blushi.

Ndërsa, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se se PS do të votojë kundër kësaj nisme, pasi sipas tij, kërkesa e opozitës është anti-kushtetuese.

"Në disa vendime të GJK, e drejta e hetimit realizohet vetëm brenda funksionit të kontrollit parlamentar. S’mund të marrë Kuvendi hetim penal. S’janë deputetët prokurorë e as gjyqtarë”, tha Balla.

Gjatë diskutimeve për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”, deputetët demokratë u shprehën skeptikë se këto ndryshime ligjore do të reduktojnë dhe frenojnë pastrimin e parave në vend.

Deputeti Luçiano Boçi tha se Rama se nëpërmjet këtij projektligji, ndoshta mbyllen disa shtigje, por “por Rama hap 100 shtigje për pastrimin e parave”.

“Mbyllin 5 porta, po rama hap 50 porta për pasrimin e parave, dhe kjo ëstë e vërtëta, dhe ky pastrimi i parave është dhe i dëgjueshëm  dhe i shikueshëm dhe i nuhatshëm, kapet nga të gjithë shqisat e seiclit prej nesh dhe qytetarëve”,- tha Boçi.

Deputeti Oerd Bylykbashi theksoi se treguesi më i dukshëm dhe i prekshëm nga qytetarët i pastrimit të parave është çmimet e larta të pasurive të paluajtshme, veçanërisht sektori i ndërtimit.

“Kush i blen 4-5 mijë euro/metri katror nëpër kulla? Çiftet e reja nuk kanë mundësi. Edhe një që ka para thotë prit se nuk është shaka. Ka njerëz që thonë dhe këtë gjë, që nëpër hyrjet e këtyre kullave gjen dhe roje sigurie speciale. Ta thonë dhe arsyen pse. Ka aty apartamente që janë ding me euro të drogës. Ruhen që të mos shkojë njeri aty”,- tha Bylykbashi.

Por, ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se projektligji është një hap i domosdoshëm për të plotësuar kuadrin ligjor dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e tij. 

“Masat që kemi ndërmarrë dhe vazhdojmë të marrim synojnë forcimin e sigurisë kombëtare, garantimin e integritetit të sistemit financiar dhe mbrojtjen e ekonomisë shqiptare nga ndikimet e mundshme të aktiviteteve të paligjshme financiare. Në një kohë kur rrjetet terroriste dhe ato kriminale operojnë në një kontekst global, përgjigjja jonë duhet të jetë plotësisht në përputhje me kërkesat e aleatëve tanë strategjikë”, u shpreh ministri.

Deputeti Pirro Vengu thotë se Shqipëria ka bërë progres të pamohueshëm dhe domethenënës në luftën kundër pastrimit të parave.

“Në luftën kundër pastrimit të parave, Shqipëria nuk është më në fazën e korrigjimit. Është një fakt që që në tetor të 2023, vendi doli nga lista gri e vendeve me probleme. Por ndoshta nuk e dini që ka dhe sot vende të Bashkimit Europian që janë listën të gri të vendeve me risk”,-tha Vengu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:35
Kalojnë ndryshimet ligjore për parandalimin e pastrimit të parave! Ja çfarë miratoi dhe çfarë rrëzoi sot Kuvendi (VOTIMET)

Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9710, datë 10.4.2007 “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.

76 vota pro, 26 vota kundër

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”

76 vota pro, 27 vota kundër

Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore””.

28 vota, 75 vota kundër

Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH), për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes të së dhënave të qytetarëve, si dhe për analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s ””.

28 vota pro/ 75 vota kundër

Projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”.

Olta Rrushaj / 74 vota pro, 3 vota abstesim, 26 vota kundër

Ora 21:03
Balla për kërkesën e opozitës për Komision Hetimor për punën e ARRSH: Kuvendi s’mund të ndërmarrë hetime penale! Deputetët s’janë prokurorë e gjykatës

Në Kuvend është shqyrtuar projektvendimi “për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, ‘për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore’”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se PS do të votojë kundër kësaj nisme, pasi sipas tij, kërkesa e opozitës është anti-kushtetuese.

Balla tha se Kuvendi nuk mund të ndërmarrë hetime penale dhe se deputetët s’mund të jenë prokurorë e gjykatës.

“Në fakt ishte e mjaftueshme fjala e Blushit, për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë me një kërkesë për një Komision Hetimor. Jemi jashtë parlamentarizmit, por po shkojmë në marrjen e kompetencave të autoriteteve të tjera. Në bindjen tonë, mbi të cilën motivojmë votimin kundër kësaj kërkese, kërkesa juaj bie ndesh zoti Blushi me nenin 77 që ju cituat dhe shoqëruar kjo me jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese shqiptare dhe praktikat kushtetuese të Parlamenteve të BE-së. Në disa vendime të GJK, e drejta e hetimit realizohet vetëm brenda funksionit të kontrollit parlamentar. S’mund të marrë Kuvendi hetim penal. S’janë deputetët prokurorë e as gjyqtarë”, tha mes të tjerash Balla.

Ora 21:03
Balla-Shehajt: Shiko mos je nën hetim për pastrim parash nga ndonjë prokurori në Itali

Vijojnë përplasjes mes deputetëve Agron Shehaj dhe Taulant Balla në Kuvend.

Pasi deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia kritikoi deklaratën e Erion Braçes, që pastrimi i parave është fenomen i fortë edhe në vende si Italia, Balla ndërhyri duke i thënë Shehajt që të ketë kujdes se mos është “subjekt pastrimi parash në hetim nga ndonjë prokurori në Itali”.

“Thellohu se mos edhe ti je personazh nga ato që përmendi kolegu Braçe”,- tha Balla.

Ora 20:50
Kërkesa për Komision Hetimor për punën e ARRSH, Blushi: Me rrugët, 4 miliardë euro janë bërë pluhur e hi! 83 votat e ‘Diellave’ të Rilindjes, në bllok kundër integrimit

Në Kuvend është shqyrtuar projektvendimi “për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, ‘për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore’”.

Gjatë fjalës së tij, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se 4 miliardë euro janë bërë pluhur e hi me ndërtimin e rrugëve në Shqipëri, rrugë të cilat sipas tij u shkatërruan të gjitha.

Teksa e cilësoi si një atentat ndaj Kushtetutës një votim të mundshëm të mazhorancës kundër projektvendimit, Blushi tha se Erion Braçe, sipas tij socialisti i vetëm brenda grupit të PS, duhet të votonte pro ngritjes së Komisionit Hetimor.

“Pas pak minutash ju do të jeni të gjithë dëshmitarë sesi 83 diellat e Rilindjes, përfshi edhe të vetmin socialist që ka mbetur në grupin e tyre, do të konsumojnë një atentat publik ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Një çështje e veçantë, shumë e ndjeshme për të gjithë shqiptarët, është fakti se 4 miliardë euro janë bërë pluhur e hi në të katër anët e vendit, referuar atyre që duhet të ishin kryeveprat e infrastrukturës së një qeverie që erdhi në pushtet për të mbyllur rrugët e lëna rrugëve dhe që sot nuk ka lënë asnjë rrugë në këmbë. 4 miliardë euro të bëra pluhur e hi, kryesisht në dy qarqe, Korçë dhe Elbasan.

Mazhoranca refuzon të respektojë Kushtetutën. Ndaj vendimi juaj anti-kushtetues, ky atentat i radhës që po i bëni integrimit europian të vendit, është një akt që shkon në të kundërt me atë që presin sot shqiptarët nga ky Parlament. Ju jeni në bllok për të bllokuar të ardhmen europiane të Shqipërisë, jeni në bllok për të ngritur votat, për të shkelur Kushtetutën e vendit. Do ftoja të paktën socialistin e vetëm që po reziton brenda grupit të Diellave, Erion Braçen, që të paktën të ketë ndërgjegjen që ta mbyllë me taksat e të gjithë shqiptarëve, sepse është kriminale ajo që keni ndërmend të bëni sot. Keni një zv.kryeministre që po e mbroni me thonjtë e Edi Ramës përballë drejtësisë. S’ka mbetur rrugë nga veri në jug që nuk e ka përfshirë korrupsioni”, tha mes të tjerash Blushi.

Ora 20:44
'Trafikantët shqiptarë po pastrojnë paratë e krimit', Bardhi flet për raportin e DASH: Rama të vijë në Kuvend për lejet e ndërtimit që ka firmosur

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, gjatë fjalës në Kuvend citoi raportin e DASH, i cili ngre shqetësimin për pastrimin e parave të krimit të organizuar përmes sektorit të ndërtimit.

Bardhi tha se kryeministri Edi Rama duhet të japë llogari në Kuvend për lejet e ndërtimit të firmosura, duke përmendur me emra krerë të organizatave kriminale të shpallur në kërkim.

“Këto grupe shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta në sofistimin e krimeve të tyre të  teknikave të komunikimit dhe teknikave të pastrimit të parasë. Ata përdorin ekonominë shqiptare, vecanërisht sektorin e ndërtimit për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion. Këtë se thotë më opozita por Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fakt e papranueshme nuk është të lidhësh sektorin e ndërtimit me paratë e krimit, e papranueshme është t’i japësh krimit në mënyrë të vazhdueshme leje ndërtimi.

Tani leje ndërtimi Artur Shehut në Vlorë që po e kërkon e gjithë bota si një nga krerët e një prej organizatave më të rrezikshme të trafikimit të lëndëve narkotike, i ka dhënë leje opozita apo Edi Rama. Ne ja kemi firmosur lejen për resortin luksoz në Vlorë apo Edi Rama”, tha Bardhi.

Ora 19:38
Braçe: Në Shqipëri bëhet pastrim parash si kudo në botë! Parlamenti të rrisë kontrollin mbi institucionet që luftojnë këtë fenomen

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është shprehur se në Shqipëri bëhet pastrim parash të pista, ashtu siç sipas tij, bëhet në çdo vend të Europës dhe botës.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe tha gjithashtu se edhe Vatikani është në listën gri të pastrimit të parave të pista.

Por deputeti socialist shtoi se institucionet përkatëse kanë marrë masa për parandalimin e këtij fenomenti dhe kanë bërë edhe kallëzime konkrete në Prokurori.

Për Braçen, Parlamenti duhet të rrisë kontrollin mbi institucionet që merren me luftimin e fenomenit të pastrimit të parave, me qëllim zvogëlimin sa më shumë të jetë e mundur të këtij fenomeni.

“Unë nuk kam dëgjuar kënd që të thotë se në Shqipëri nuk pastrohen para të pista. Nëse del ndonjë që thotë se nuk pastrohen para të pista, duhet të jetë anormal. Sepse nuk ka vend në Europë dhe botë që nuk pastrohen para të pista. Edhe Vatikani ishte në listën gri të pastrimit të parave të pista. Unë vazhdoj të them që ‘po në Shqipëri pastrohen para të pista, nga mëngjesi deri në mbrëmje’ dhe nuk e mohon dot kërkush këtë gjë. Por ama që ka akte të qarta të agjencive që ligji i ka ngarkuar të merren me këtë fenomen, po ka. Ka, siç ka Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave kallëzime në drejtim të organit të akuzës. Ka kallëzime të qarta për këtë fenomen, për kompani apo pronarë kompanish që merren me këtë gjë dhe që infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista. A duhet të ushtrojë Parlamenti kontroll mbi këto institucione për ta forcuar këtë luftë? Po duhet ta forcojë”, tha mes të tjerash Braçe.

Ora 17:31
Rënia e Euros/ Malaj në Kuvend ‘zbulon’ si hyjnë flukset e valutës së huaj: 2 miliardë € nga remitancat dhe 5.7 miliardë € nga turizmi në 2025! S'kemi të bëjmë me para të pista

Ministri Petrit Malaj ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, se niveli i euros ka rënë për shkak të hyrjes në vend të parave të siguruara nga aktiviteti kriminal.

Teksa tregoi disa parametra që sipas tij pasqyrojnë qartë rritjen ekonomike në Shqipëri, Malaj tha se s’kemi të bëjmë me para kriminale, por me para që kalojnë përmes sistemit bankar dhe që janë të mirë-monitoruara.

“Shqipëria si një vend kandidat për në BE, ndodhet në një fazë të rëndësishme të forcimit të shtetit ligjor. Remitancat për vitin 2025 sipas të dhënave të Eurostat u llogaritën në mbi 2 miliardë euro. Të ardhurat nga turizmi në 2025 kapën shifrën prej 5.7 miliardë eurosh, me një rritje prej 14.5 % krahasuar me vitin 2024. Investimet e huaja direkte u rritën në nivelin më të lartë historik për 9 mujorin e parë të vitit 2025, në vlerën 1.6 miliardë euro. Kreditimi në valutë, pra në euro, në 2025 u shtua me 1.8 miliardë euro. Investimet e shtetasve të huaj për blerjen e pasurive të paluajtshme u llogaritën në masën 560 milionë euro. Këta tregues tregojnë se nuk kemi të bëjmë me para të pista që hyjnë në territorin shqiptar, por kemi të bëjmë me para që kalojnë përmes sistemeve bankare, që janë të mirë-monitoruara”, tha mes të tjerash Malaj.