TIRANË - Kuvendi miratoi të enjten, mes tensionit te krijuar nga deputetët e opozitës, pikat e rendit të ditës të parashikuara në seancën e sotme.
Me 71 vota deputetët e maxhorancës miratuan një ndryshim në ligjin "Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhimi)", me 73 vota u miratua ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë turke për asistencën financiare mes dy vendeve, si dhe ratifikimi i marrëveshjes së grantit, me Agjencinë Austriake të Zhvillimit, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve.
Po ashtu, maxhoranca miratoi dhe kandidaturën e Pajtim Elhamit për kryetar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Seanca që zgjati vetëm 16 minuta u shoqërua me tensionin e krijuar nga deputetët e opozitës, të cilët qëndruan këmbë gjatë kohës së u zhvillua seanca, duke rrethuar foltoren e Kuvendit. Pas kësaj, deputetët e opozites do t'i bashkohen protestuesve për protestën e parlajmëruar në ora 11:00. /ATSH/