PD e PL e bojkotuan edhe këtë seancë plenare, deri kur sipas tyre mazhoranca të pranojë debatin e të shqyrtojë kërkesat e protestuesve në parlament.

Socialistët të vetëm në sallë dhe me numrat e mjaftueshëm, debatin politik e zhvilluan me opozitën e re, dy deputetët e “Lëvizjes Bashkë” e Partisë Mundësia.

Kartonët e kuq që ngritën kundër interpeleancës së kërkuar nga deputeti Erald Kapri për çështjen e Rrjollit e Zvërnecit ishin përplasja e parë që rriti tensionet.

“Meqë ju keni folur për Zvërnecin e Rrjollin, s’mund ta pyesim ne ministrin e Brendshëm. Me ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me Policinë e Shtetit që ka dalë nga shinat. Kur ndodhi dhuna në Zvërnec nga bodygardët e oligarkut, disa ditë ministri tha se ia hoqëm licencat. Ka raportime serioze se këto kompani thjeshtë kanë ndërruar emrin”, tha Erald Kapri.

Sjellje këto që sipas Kaprit po shënojnë fundin politik të mazhorancës, ndërsa përplasjen e kishte nominale me Taulant Ballën.

Erald Kapri: Për ju zoti Balla janë mbushur koshat me foton tuaj… mund të gjesh vetëm në Bruksel rehat kur shkon e luan bixhoz.

Taulant Balla: Duhet të jesh maskara që një lojë me letra mes miqsh ta quash bixhoz. Ti erdhe deputet në këtë sallë falë numëruesve të Partisë Socialiste. Më dërgoje mesazhe që t'u kërkoja numëruesve tanë të mbronin votat e tua, se po t'i vidhte Partia Demokratike. I kam mesazhet dhe mund t'i bëj publike. të kam thënë mos u kruaj me mua.

Ndërsa deputeti i “Lëvizjes Bashkë” Redi Muçi debatin e orientoi tek protesta 43 ditore. Ai e akuzoi Ballën se po tallet me protestën, duke i thënë se duhet të ketë kujdes pasi përballë nuk ka protestuesit e Saliut. Në replikë, Balla tha se përfshirja me zor në protestë e Sali Berishës, Agron Shehajt e Arlind Qorit, solli përçarje.

“Një thirrje të fundit ia drejtoj Taulantit që çdo ditë merr fotot e orës 7 nga protesta dhe tallet me protestuesit. Kujdes se përballë nuk ke Saliun, por rininë shqiptare. Vazhdo me syleshtësinë tënde”, tha Redi Muçi.

“Nuk tallem me protestën, protesta kur nisi ishte e bukur. Meqë i ndiqni statuset e mia të orës 7, transparencë është ajo, tregon sesi kur hyri Saliu, Gonia, Qorri apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, e këtij tjetrit dhe Gones. Flamingot janë zog shumë i pastër dhe nuk rri me llumin, prandaj ikën nga ju, llum”, iu përgjigj Balla.

Megjithatë, mazhoranca socialiste kishte edhe një tjetër shqetësim: Atë që e quan sulm të koordinuar ndaj bizneseve me vlerësime negative online.

“Është bërë nën dirigjimin e disa prej opozitave të vogla të Shqipërisë. Nëse nga pjesa më e madhe e mazhorancës bëhet sakrifica maksimale që të arrijmë objektivin e kërkuar nga shqiptarët, mos bëni të kundërtën. Kur humbet turizmi, humbet çdo familje e nderuar dhe e respektuar shqiptare që punon me djersën e ballit”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.

Në nisje të seancës plenare, kryetari i kuvendit njoftoi rrëzimin e dy kërkesave për pyetje-përgjigje, lidhur me ndërtimin e Portit të ri Tregtar në Porto Romano dhe për funksionimin e Aeroportit të ri të Vlorës, me argumentin se këto çështje janë trajtuar më herët në parlament.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e 10 projektrezolutave të institucioneve të pavarura mi veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2025.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:13
Sulmet me review negative ndaj bizneseve, Braçe nga Kuvendi: Krim me pasoja të rënda për ekonominë dhe sigurinë kombëtare, merrni masa! (VIDEO)

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka bërë thirrje për marrjen e masave lidhur me review-t negative ndaj bizneseve, pasi sipas tij, ato janë një sulm i organizuar.

Komentet Braçe i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, pas kallëzimit të bërë nga 15 biznese në Polici.

Socialisti tha se po tentohet të goditet ekonomia shqiptare, veçanërisht sektori i shërbimeve. Më tej ai e cilësoi sulmin si një krim me pasoja të rënda, jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë kombëtare.

“Na duhet një institucion që të mbrojë hapësirën online. Ta mbrojë nga keqinformimi, dezinformimi, nga dhuna dhe, natyrisht, nga sulmet që po zhvillohen aty. Ajo që po ndodh në këtë hapësirë, për të cilën po flasim prej ditësh, është krim. Është krim në kushtet e një boshllëku të qartë ligjor dhe institucional.

Të sulmosh në mënyrën se si është sulmuar ekonomia shqiptare dhe dega më e rëndësishme e saj, ku 49% e ekonomisë përbëhet nga shërbimet, është një krim me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare. Nuk synohet thjesht t'i prishet puna një biznesi apo një personi, por po tentohet të goditet dega më e rëndësishme e ekonomisë së këtij vendi”, tha mes të tjerash Braçe.

Ora 14:39
Kiduina Zaka këshillon Agron Shehajn: Mësoje ushtrinë dixhitale që mos ta tregojë se je ti gjenerali (VIDEO)

 

Nga foltorja e parlamentit, deputetja socialiste Kiduina Zaka iu drejtua ‘ushtrisë’ së rrjeteve sociale që vërshojnë me komente fyese në profilin e saj. Një thirrje konkrete e bëri për Agron Shehajn, të cilin e këshilloi të tregohej pak më i zoti që mos të dalë zbuluar.

“Mësoji që të jenë pak më të zotë këta të ushtrisë tënde dixhitale, të paktën mos ta tregojnë ashiqare se ti je gjenerali i ushtrisë së vdekur. Të paktën mos të bëjnë folloë profilin tënd”, tha Zaka.

Ora 14:29
‘Abuzim me çmimet e energjisë në stacionet e karikimit të makinave elektrike’, Braçe: Falni debitë e të moshuarve, makth kontratat e reja (VIDEO)

 

3 problematika kryesore evidentoi Erion Braçe në diskutimin për projektrezolutën e Entit Rregullator të Energjisë. Deputeti socialist tha se duhet të falen debitë e personave të moshuar, të mbikëqyren lidhjet e kontratave të reja dhe të frenohet abuzimi me çmimet e energjisë në pikat e karikimit për makinat elektrike.

“Unë mendoj që ka ardhur koha që debitë e këtyre njerëzve, sidomos kur janë të vetëm, të falen. Boll me kaq. Kanë paguar boll lekë. Mund të mos ta kenë shlyer plotësisht, por nuk ka pikën e rëndësisë më kur një sektor që ka performuar mirë, të vazhdojë të marrë nga këta njerëz para debish.

Kontratat e reja të energjisë janë kthyer në makth. Makth nga ryshfeti për shkak të mungesës së qartë të transparencës. ERE duhet të mbikëyrë procesin e lidhjes së kontratave të reja të energjisë elektrike.

 A e dini që biznesi më i rëndësishëm në këtë qytet këto muajt e fundit është kthyer biznesi i ofrimit të energjisë elektrike për karikim? A e dini që janë dhënë leje për të ndërtuar pika stacioni të karikimit të makinave elektrike. Ka subjekte që e shesin me 21, 27, 31, 35 lekë kam gjetur unë. Ka subjekte që po shesin energjinë elektrike që është mall monopol, i një ndërmarrjeje publike, më shumë sesa çmimi i miratuar nga ERE. Ky është problem shumë i madh, abuzim shumë i madh”, tha Braçe.

Ora 13:33
Kuvendi miraton rezolutën, vlerësime për punën e RTSH! Balla kritika: Dështim i madh, harxhim parash! Nuk po ngrihet në nivelin e duhur (VIDEO)

Kuvendi ka miratuar rezolutën për veprimtarinë e RTSH gjatë vitit 2025. Në rezolutën e lexuar nga deputeti i PS, Erio Mile vlerësohet roli i RTSH në përmbushjen e misionit, rritjen e transparencës institucionale, si edhe masat për stabilizimin e situatës financiare. Kuvendi i lë një sërë detyrash RTSH, përfshirë edhe planin operacional për përfundimin e digjitalizimit të Arkivës.

“Kuvendi duke vlerësuar rolin e RTSH në drejtim të përmbushjes së misionit, real e shërbimeve cilësore për te edukuar dhe informuar publikun, duke i shërbyer të gjithë grupeve shoqërisë duke njohur përpjekjet për realizmin e programe cilësore, rritjen e audiencës dhe shtrirjen sa më të madhe në të gjithë vendin, duke konsideruar se veprimtaria e RTSH është kryer në përputhje të plotë me detyrim për të pasur mbulim të paanshëm dhe balancuar të lajmeve të vendit dhe të atyre ndërkombëtare, vlerëson se RTSH gjatë vitit 2025 ka pasur transparencë në strukturën programore të RTSH me 15 kanale televizive e radiofinike, duke mbuluar mbi 95% të territorit me qëllim plotësimin e misionit informativ e argëtues. Ka rritur nivelin e transparencës institucionale. Ka marrë masa për stabilizimin e situatës financiare duke sjellë ulje të pjesshme të detyrimit të prapambetur. Kuvendi kërkon që RTSH të angazhohet në këtë drejtim, të miratojë planin strategjik të shoqëruar me objektiva të matshëm, indikatorë performance dhe mekanizma raportimi periodik 6 mujor për kuvendin, brenda 3 mujorit të tretë të këtij viti.

Të racionalizojë portofolin e kanaleve televizive dhe radiofonike drejt një numri më të vogël më identitet të qartë editorial duke shmangur mbivendosjen dhe duke përafruar numrin e kanaleve me kapacitete reale prodhuese e financiare. Të paraqesë plan operacional financiar për përfundimin e digjitalizimit të Arkivës, për të shmangur degradimin të fondi të Arkivës kombëtare, brenda muajit tetor të këtij viti. Të investojë në kualifikimin profesional të gazetarëve dhe stafit teknik. Të rrisë investimet në prodhimin origjinal shqiptar në fushën e informacionit, dokumentarit, kulturës, historisë, dhe programeve për fëmijë”, tha Mile.

Por, ndonëse në rezolutë kuvendi vlerëson punën e RTSH, kreu i grupit të PS, Taulant Balla ndau mendim ndryshe. Sipas shefit të grupit parlamentar socialist, RTSH vijon të jetë “dështim i madh” dhe “harxhim parash.” Pavarësisht kontrollit parlamentar për të cilin pati fjalë vlerësimi, nuk tha të njëjtën gjë për televizionin publik.

“RTSH vazhdon të jetë një dështim i madh, harxhim parash kot. Pavarësisht vlerësimeve tejet pozitive të Kuvendit, televizioni nuk po ngrihet në nivelin që do të kishim dashur të gjithë pas kaq shumë vitesh përpjekjesh, drejtorësh të ndryshuar. Shpresoj shumë që gjetjet e dy komisioneve, që janë objektive dhe kontrolli parlamentar do të japë efekte. Kontrolli parlamentar do të na japë vlerësimet e duhura, por si njeri shpresëplotë që jam, nuk kam ndonjë shpresë që RTSH do të bëhet”, tha Balla.

Ora 12:16
Pr/rezoluta për Bankën e Shqipërisë, Braçe: Të forcojë luftën kundër pastrimit të parave (VIDEO)

Në diskutimin për pr.rezolutën për Bankën e Shqipërisë, Erion Braçe vlerësoi arritjet e institucionit gjatë vitit 2025, por nënvizoi se kushtet kanë ndryshuar. Deputeti socialist tha se lufta në Gjirin Persik ka ndikuar tregjet dhe theksoi sidomos atë të hidrokarbureve që ka shënuar ndryshime të dukshme në javët e fundit. Ai shtoi se duhet të bëhet më shumë për ekonominë sepse vetëm puna e Bankës nuk mjafton.

“Që prej shkurtit të këtij viti jemi në kushte të tjera. Lufta në Gjirin Persik ka vënë kushte në tregje. Inflacioni është në rritje, i ndikuar nga rritja e çmimeve të ushqimeve, pijeve alkoolike, naftës e gazit. Është shoqëruar me importe të larta. Vetëm në dy javët e fundit, ka abuzime të forta në tregun e hidrokarbureve, në të cilin u shënua rënie në bazë të funksionimit të Bordit të Transparencës, lajmeve për shuarje të konflikteve dhe rritje sërish. Rritja e importeve të fabrikuara dhe të freskëta. Kjo sjell në vëmendje dobësitë e dukshme të ekonomisë. Banka duhet të bëjë ciklin e saj, por të ndihmohet nga ekonomia. Baza e gjerë ekonomike duhet të jetë fokusi jo vetëm i qeverisë, por edhe i Bankës”, tha Braçe.

Për Bankën e Shqipërisë, rekomandimi i deputetit socialist është lufta kundër pastrimit të parave, ndërsa qeveria të hartojë politika zhvillimore për monedhën vendase.

“Të forcojë luftën dhe rregullat kundër pastrimit të parave në treg. Para të pista kanë hyrë në treg përmes zyrave të këmbimit valutor dhe është detyrë e Bankës të forcojë kontrollin. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe me sistemin bankar duke forcuar mbikëqyrjen kundrejt institucioneve financiare. Rekomandimi i dytë i shkon qeverisë, të bëjë politikat zhvillimore për monedhën”, tha Braçe.

Ora 11:36
Debat pa mikrofon në Kuvend, Braçe-Muçit: Po partinë tënde kush e financon? (VIDEO)

 

Ndërsa Kuvendi vijonte seancën, një debat pa mikrofon po zhvillohej mes dy ‘kampeve’ të tij. Deputeti socialist Erion Braçe dëgjohet t’i drejtohet Redi Muçit me fjalët “po partinë tënde kush e financon?”

Nuk është ende e qartë se çfarë e ka nxitur debatin mes tyre.

Ora 11:29
Vezë ndaj deputetëve, Muçi: Janë të flamingove, s’kanë ardhur nga ne (VIDEO)

Në përgjigje ndaj Klodiana Spahiut lidhur me sulmin me vezë ndaj deputetëve në protestën e 3 korrikut para Kuvendit, Redi Muçi tha se nuk vijnë prej partisë së tij, por nga qytetarët.

“Hidhni baltë se jeni të paaftë të jepni përgjigje politike. Sa i përket vezëve, unë dhe kolegë të opozitës kemi privilegjin ta themi këtë fjalë. Ato vezë nuk kanë ardhur nga partia jonë, por nga qytetarë të thjeshtë të këtij vendi që u them për muaj të tërë mbani përgjegjësi politike. Tani që ju erdhi veza po ankoheni, por e keni nga populli, vezë flamingosh janë. Ju keni humbur votat e votuesve tuaj, flamingove. Keni humbur legjitimitetin sepse keni humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve”, tha Muçi.

Ora 11:26
Balla debat me deputetin Kapri: Më 11 maj më kërkove t'iu mbroja votat se po ua vidhte PD, je në Kuvend prej nesh (VIDEO)

 

Debatet me deputetit Erald Kapri dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kanë vijuar.

Kapri: Ju nuk jeni mësuar me një model biznesmeni që krijon mijëra vende pune dhe sjell qindra mijëra euro në ekonomi. “Jam Taulant dua 100 mijë euro’ dhe ia çoi çantën biznesmeni duke kujtuar se është Taulant Balla. Shqiptarët kanë dalë në shesh Taulant, s’do të lejojnë të bësh bixhoz me jetët e shqiptarëve.

Balla e konsideroi Kaprin një asistent të Shehajt, ndërsa i tha se ishte ai që në zgjedhjet e 11 majit, i kërkoi nëpërmjet miqve Ballës, t’i mbronte votat nga PD.

Balla: Të fala Gones. I vetmi deputet që ka ardhur me asistent me vete kur është zgjedhur. Kur numëronim votat e diasporës, ky (Kapri) më fuste miq mua që ti kërkoja numëruesve tanë, i kam mesazhet këtu,  të ruajnë votat et ua se po ti vidhte PD. Betohu. Turp të kesh. Vetëm burrë s’mund të bëhesh ti. Ky është dallimi më i madh mes numëruesve që vendos PS dhe atyre që vendos partia jote, se nga PD vjen ti. Ta kisha thënë kisha  vit mos u kruaj me mua. Votat ti mbrojtën numëruesit e PS. Ti erdhe deputet në këtë sallë falë numëruesve të PS. Unë mendoj se koha kur partitë numërojnë votat ka përfunduar një herë e përgjithmonë. Është staliniste që pa 36 vitesh, partitë të vazhdojnë të numërojnë ende vota. Po të isha prej teje, do të flisja për këtë, jo të mbroja kryetarin e partisë që ka mundësinë të mbrohet vetë. Më bën përshtypje që një shtëpi, 150 m katrorë të shitet 15 milionë euro. Sa për protestën, pavarësisht se simbol i protestë ishte flamengo, do e konsideroja dhe me një kalë t bukur të bardhë. Te ky kali, ti Gonja, Qorri, Llapi dhe Saliu jeni si miza te bishti pak majtas te kali. Unë respektoj kalin por nuk kam si të respektoj mizën. Gjithë përpjekja juaj për tu shitur si përfaqësues të protestës, nuk ju njohim, nuk duam. Unë s’po njoh Saliun. 

Me këtë ritëm negociatash, ne i qëndrojmë angazhimit dhe ambicies sonë për t’i mbyllur negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm dhe për të shkuar në ratifikime. Do të doja shumë që Shqipëria dhe Mali i Zi të mos kalojnë përmes referendumeve. Do të jetë edhe një moment testi për ne për të shkuar përpara. Meqenëse, në mënyrë abuzive, si Gonë që je, përmendët takimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, s’e di që qenka herezi që disa shokë, kolegë, të ulen privatisht në një bar pranë një hoteli ku i ka çuar Parlamenti, të shohin një ndeshje futbolli, të konsumojnë 250 ml birrë apo të kalojnë kohën në orën 10 të natës. Duhet të jesh maskara që një lojë me letra ta quash bixhoz.

Unë kam edhe foto të tij, por nuk e nxjerr. Unë kam një qëndrim që e kam mbajtur historikisht. Kur kam parë protestues te selia e PD-së, kam thënë se është e turpshme që protestuesit të shkojnë në selinë e një partie, cilado qoftë. Është e turpshme të sulmohet një deputet në jetën private, është vepër penale. Historia e vezëve e kam film të parë. Në vitin 2019 vezët m’i çoje ti me Gonen dhe Lulin poshtë shtëpisë. Në rastin në Strasburg, jam ndier shumë i dëshpëruar të shihja sesi një grua keqpërdorej deri në atë nivel. Janë shpërdorime. Në politikë, beteja bëhet me fjalë, me debat, institucionalisht, juridikisht. Nëse ke diçka, shko në Prokurori. Mendon ti që unë gënjeva kur thashë që Gonia ka shitur një shtëpi? Ta kesh për nder që PS të mbrojti votat dhe nuk t’i vodhi PD-ja. Ta gëzosh mandatin!

Erald Kapri iu përgjigj më pas duke i thënë Taulant Ballës se kurrë nuk ka komunikuar me të e as nuk i ka numrin e telefonit, duke mohuar që t’i ketë kërkuar dhe mbrojtjen e votës nga numëruesit e PD.

“Është fyerje të më lejoni 2 minuta. Kjo dhunë që vazhdoni në parlament që vetë flisni, vetë votoni, vetë duartrokisni, është shumë qesharake. Balla tentoi të më intimidojë. Nuk e kam numrin tënd të telefonit, as do ta kem, s’ka shanse të flasim ne të dy. Nuk na shantazhoni dot e mbyllni gojën. Nuk ia dilni dot! Përballë do të na kesh derisa të largoheni!”, tha Kapri.

Ora 11:17
‘Review’-të negative ndaj bizneseve, Spahiu: Fenomen i rëndë dhe i dirigjuar nga opozita! Mos punoni kundër anëtarësimit në BE (VIDEO)

 

Në fjalën e saj në Kuvend, Klodiana Spahiu iu referua ngjarjes së ditëve të fundit lidhur me ‘review’-të negative të protestuesve ndaj bizneseve. Deputetja spcialiste tha se akti ishte i rëndë dhe i dirigjuar nga partitë e vogla. Ajo i bëri thirrje opozitës që mos të punojë kundër objektivit të shqiptarëve për anëtarësimin në BE.

“Fenomeni që u vu re në ditët e fundit ishte shumë i rëndë, shumë i vështirë për t’u prnauar, por është bërë nën dirigjimin e disa prej opozitave të vogla të Shqipërisë. Nëse nga pjesa më e madhe e mazhorancës bëhet sakrifica maksimale që të arrijmë objektivin e kërkuar nga shqiptarët, mos bëni të kundërtën. Kur humbet turizmi, humbet çdo familje e nderuar dhe e respektuar shqiptare që punon me djersën e ballit”, tha Spahiu.

Ora 11:06
Institucionet e pavarura, Xhafaj: Mangësi në performancë dhe llogaridhënie (VIDEO)

 

Fatmir Xhafaj tha se ndërsa institucionet e pavarura kanë shënuar përparim, regjistrojnë ende mangësi në llogaridhënie dhe performancë.

“Ende ka mangësi në performancë, transparencë dhe llogaridhënie. Procesi i raportimit duhet parë si instrument për përmirësimin e veprimtarisë. Pavarësia nuk mund të interpretohet si mungesë llogaridhënie. Pavarësia dhe llogaridhënia plotësojnë njëra-tjetrën”, tha Xhafaj.

Ora 10:55
Gjiknuri: Jemi gati për realizimin e votimit elektronik! Çështje të pazgjidhura te ‘Zgjedhorja’, komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit (VIDEO)

Gjatë diskutimit për raportin e KQZ për vitin 2025, Damian Gjiknuri tha se votimi elektronik është instrument për të cilin qeveria është shprehur e gatshme dhe mund të realizohet në bashkëpunim me opozitën. Më tej, njoftoi se komisioni për ‘Zgjedhoren’ do të njoftojë seancën e ardhshme afatin pasi ka ende disa çështje të pazgjidhura mes palëve.

“Qeveria ka shprehur gatishmërinë për të financuar me një vlerë financiare mbi 50 mln euro për ta bërë në Shqipëri votimin në mënyrë elektronike. Nëse ka vullnet, ne mund ta realizojmë për zgjedhjet e përgjithshme. Komisioni i reformës zgjedhore, besoj në seancën tjetër do të kërkojë edhe shtyrjen e afatit, ka kryer një punë relativisht të mirë, por ka pasur vështirësi në komunikimin politik. Ta shtyjmë edhe për disa muaj që të adresojmë edhe këto pak gjëra të mbetura te ligji për financimin e partive dhe komisioni zgjedhor”, tha deputeti.

Ora 10:49
Balla pyet publikisht Agron Shehajn: Si mund ta shesësh një apartament 151 m2 për 15 mln euro? (VIDEO)

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka replikuar sot në Kuvend për protestën në kryeqytet me deputetin e partisë ‘Mundësia’ Erald Kapri. Balla iu drejtua me një pyetje publike Agron Shehajt, i cili nuk ndodhet në sallën e Parlamentit pasi është përjashtuar për 30 ditë.

“Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 151 m2 për 15 mln euro”, ishte pyetja që Balla i drejtoi Shehajt.

Ora 10:43
Vengu: KQZ të përmirësojë punën, transparencën dhe kontrollin mbi financimet e partive politike (VIDEO)

Deputeti Pirro Vengu gjatë fjalës së tij në Kuvend prezantoi rekomandimet drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përmirësimin e funksionimit dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit.

Gjatë fjalës së tij, Vengu tha se Kuvendi rekomandon që KQZ-ja të fokusohet në disa drejtime kryesore, duke nisur nga rritja e bashkëpunimit me strukturat përgjegjëse të Kuvendit.

“Vlen ta bisedojmë sot për zgjedhjet për të krijuar atë besimin e qyetetarëve që shpesh cenohet. Kuvendi rekomandon që KQZ-ja të përmirësojë punën në këto drejtime: Të bashkëpunojë me strukturat përgjegjëse të Kuvendit.Të përfshijë teknologjinë e informacionit si fushë prioritare në Planin Strategjik 2026-2031. Të forcojë transparencën dhe kontrollin efektiv të financimit të fushatave zgjedhore, përmes përditësimit të sistemit elektronik financiar. Të hartojë dhe t’i paraqesë Kuvendit një raport të veçantë mbi auditimin e financave të partive politike dhe fushatave zgjedhore“, tha ai teksa theksoi se sa më shumë informacion  ka për mënyrën si votohet dhe numërohen votat aq më pak teori konspirative ka.

Ora 10:35
‘Tallesh me protestuesit, përballë ke rininë!’ Balla-Muçit: Flamingot fluturuan kur hynë Saliu, Gonia e Qorri, ngelën sorrat si ti (VIDEO)

Në Strasburg s’mund të nënshkruhet asnjë rezolutë e përbashkët që nuk merr në konsideratë kërkesat e protestuesve, tha deputeti Redi Muçi teksa renditi edhe njëherë kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Më pas, iu drejtua Taulant Ballës duke thënë se tallet me protestuesit kur ndan foto nga protesta, por të ketë kujdes pasi të rinjtë i ka përballë.

“Një thirrje të fundit ia drejtoj Taulantit që çdo ditë merr fotot e orës 7 nga protesta dhe tallet me protestuesit. Kujdes se përballë nuk ke Saliun, por rininë shqiptare. Vazhdo me syleshtësinë tënde. Po jua kthej me fjalët e Viktor Hygosë. ‘Milord, po ju them se populli jam unë. Sot po më shtypni e tallni, por mjafton që akulli të kriset dhe gjithçka merr fund. Dridhuni milord’”, tha Muçi.

Në përgjigje, Balla i tha se Muçi ka ardhur hajdutshe në parlament. Sa për talljen ndaj protestës, statuset e tij janë veçse transparencë për të treguar përçarjen e protestës së flamingove nga opozita.

“E para, ti ske asnjë të drejtë, as politike, as morale të flasësh në emër të popullit sepse të paktën në këtë sallë në emër të popullit ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë, ndërsa ti je thjesht dhe vetëm aksidentalisht pasi ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër, ke ardhur hajdutshe. Nuk tallem me protestën, protesta kur nisi ishte e bukur. Meqë i ndiqni statuset e mia të orës 7, transparencë është ajo, tregon sesi kur hyri Saliu, Gonia, Qorri apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, e këtij tjetrit dhe Gones. Po ju kthej përgjigje të dyve. Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 251 m2 për 15 mln euro. Petët e byrekut po hapen, siç u hapën edhe historitë e përfshirjes së lloj-lloj llumi. Flamingot janë zog shumë i pastër dhe nuk rri me llumin, prandaj ikën nga ju, llum”, ia ktheu Balla.

Ora 10:25
Protestat për Rrjollin e Zvërnecin/ Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin, deputeti: Censurë, ky s’është parlamentarizëm (VIDEO)

I rrëzohet kërkesa deputetit Erald Kapri për inteperlancë me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari për çështjen e Rrjollit dhe të Zvërnecit. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u shpreh se kjo është çështje ka qenë pjesë e rendit të ditës në seancat e kaluara po me ministrin Lamallari dhe nuk përbën më objekt diskutimi. Kapri tha se kjo konsiderohet censurë ndërsa akuzoi Lamallarin për mosfunksionim të Policisë së Shtetit.

“Meqë ju keni folur për Zvërnecin e Rrjollin, s’mund ta pyesim ne ministrin e Brendshëm. Si mund të ndaloni një deputet ë flasë për çështje që është votuar. Nuk është parlament ky. S’mund të pyesim ne ministrin e Brendshëm, pse, se e paskemi pyetur në seancë të kaluar. Ajo që donim të ngrinim në këtë interpelancë me ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me policinë e shtetit që ka dalë nga shinat. Është rrethuar parlamenti me blinda. Pse, se u trembët nga vezët ju. Si mundet që deputetët të mos pyesin ministrin e Brendshëm për këtë gjë. Kur ndodhi dhuna në Zvërnec nga bodygardët e oligarkut, disa ditë ministri tha se ia hoqëm licencat. Ka raportime serioze se këto kompani thjeshtë kanë ndërruar emrin. Kur kërkonim të flisnim në parlament për Rrjollit, kërkonit të na censuronit. Nuk e patë ju dhunën e policisë private në Rrjoll? Kryeministri ka lëshuar gojën që i quan rininë shqiptare si nazistë, është policia që po sillet si gestapo. Balla janë mbushur koshat e plehrave me portretin tënd”, tha Kapri.

Ora 09:55
Sot Kuvend, policia në gatishmëri pas protestave (VIDEO)

 

Policia ka rrethuar Kuvendin, ndërsa sot do të mbahet seanca e radhës plenare. Ndonëse organizatorët nuk kanë paralajmëruar protestë, blutë janë në gatishmëri.