TIRANË- Pas skandalit të molotovëve të hedhur kundër ish-vilës së Enver Hoxhës, e cila është shndërruar në një qendër ndërkombëtare arti, duke vënë në rrezik jetën e 7 artistëve të huaj, Sali Berisha, të paktën për një herë, është detyruar (edhe nga kritikat ndërkombëtare) të heqë dorë nga dhuna dhe sot ka organizuar një protestë pa incidente.

E enjtja ishte paralajmëruar një ditë me përplasje të ashpra dhe dhunë, deri në skenarë për shembjen e Kuvendit në rast se do të votohej kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, por Berisha duket se e harroi revoltën dhe para parlamentit mblodhi vetëm një grusht militantësh. 

Asnjë mbështetës nuk e priti Berishën para Kvuendit edhe pse po afronte nisja e protestës paralelisht me seancën plenare për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.  

Ata pak militantë që kishte mbledhur, Berisha i zgjodhi si shoqërues, teksa duke afruar ora 10:00 doli nga selia blu, për t’iu drejtuar Kuvendit. 

Kreu i demokratëve u fut në seancën plenare me kryefjalë Ballukun, ndërsa grushti i militantëve e ndoqën qetësisht seancën plenare nga një ekran i vendosur në vendin e protestës. 

Asnjëri prej tyre i maskuar në fytyrë, dhe askush me molotovë apo gurë në duar.

Kur ekrani i shfaqi 82 votat e rrëzimit të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, militantët dhanë një moment zgjimi. Nisën të lëvizin, por pa tension, pa asnjë akt dhune. 

Përveç disa spërkatjeve me spraj në drejtim të efektivëve të policisë që mbanin skafandra. 

Pa ovacionet e turmës, pa muzikë, dhe në një protestë më paqësore se kurrë nën dritën e diellit dhe jo nën errësirën e protestave të tjera kombëtare, me përfundimin e seancës, Berisha u ngjit në podiumin e protestës.

"Sot Edi Rama kreu i organizatës kriminale shënoi vetëvrasjen e tij politike, fundin e tij politik. Firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i krimit", tha Berisha.

Me ketë fjalim të shkurtër, kryedemokrati mbylli protestën që nuk e zgjati dot më shumë se 90 minuta, me një dështim jo vetëm në pjesëmarrje, por edhe në aksion. 

Nga shkallët e selisë blu njoftoi se protesta e radhës do jetë më 22 mars. Kjo tërheqje e Sali Berishës nga konfrontimi, përplasjet, e dhuna që ka rrezikuar jetën e uniformave blu dhe të mediave që kanë ndjekur protestat e tij, vjen pas skandalit të bombave molotovë të hedhura ndaj ish-vilës së Enver Hoxhës, sot një qendër ndërkombëtare arti. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:49
Berisha njofton protestën e radhës: Më 22 mars e gjithë Tirana në rrugë, vazhdojmë me kryengritjen paqësore deri në fitore

 

Në shkallët e selisë së Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi protestën e radhës kombëtare më 22 mars, ditë që përkon me festën e Nevruzit. Berisha tha se kryengritja paqësore, siç i cilëson ai protestat e tjera të opozitës, do të vijojë deri në fitoren përfundimtare.

“Më 22 mars e gjithë Shqipëria në Tiranë. E gjitha Tirana në rrugë, vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore deri në fitoren vendimtare”, tha Berisha.

Ora 11:40
PS s’lëshoi Ballukun, Berisha i bashkohet protestës para Kuvendit: Rama shënoi vetëvrasjen politike! Autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme!

 

Sapo u mbyll seanca plenare në Kuvend ku u votua me 82 vota kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, Berisha iu bashkua protestës së opozitës para parlamentit. Ai tha se sot Rama shënoi vetëvrasjen e tij politike. Ai iu drejtua protestuesve duke thënë se sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme, duke thënë se “është pranvera jonë”.

“Burra e gra guximtarë që keni lënë çdo gjë për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në një ditë të zezë të historisë sonë. Keni ardhur në mbrojtje të Kushtetutës, të dinjitetit njerëzor, të interesave të çdo qytetari shqiptar nga një organizatë kriminale që përdor pushtetin e grabitur për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e veta. Sot Edi Rama kreu i organizatës kriminale shënoi vetëvrasjen e tij politike, fundin e tij politik. Firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i krimit. Sot ai nuk votoi për lubi Ballukun, votoi për veten e tij, për vjedhjet që ka bërë, krimet e shëmtuara që ka kryer. Në historinë kombëtare s’ka pasur njeri me standarde më të ulëta njerëzore se ky njeri. Theksoj prapë, është puna, qëndresa, protesta, kryengritja juaj që bëri që sot ai të dalë para mbarë shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar në historinë kombëtare, si qeveritar i më i poshtëruar në Europë. S’ka qeveritar në Europë që të ketë vjedhur me qindra herë pasurinë e qytetarëve. S’ka qeveritar në Europë që për të mbrojtur krimin të mbyllë dyert. Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të qytetarëve shqiptarë kundër tij. Është kushtrim i plotë të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore deri në largimin e tij nga pushteti. Kjo që ndodhi sot është apel për ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do këtë vend të bashkohet për të larguar qeveritarin më të poshtëruar, Edi Ramën. Le të vazhdojmë ne këtë betejë. Edi Rama mendon se mbylli dosjen e tij duke votuar kundër heqjes së imunitetit, por dosja e tij s’mbyllet kurrë. Në varrin e tij do të shkruhet këtu prehet një kryehajdut. Kjo është pranvera jonë!

Ora 11:30
Protestuesit e PD nisin përplasjen me policinë te Kuvendi, hedhin sprajt blu drejt efektivëve! Mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut

 

Pasi mazhoranca socialiste rrëzoi me 82 vota kundër këkerkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Ballukut me qëllim arrestimin e saj, protestuesit e Partisë Demokratike kanë nisur përplasjen me forcat e policisë të cilët kanë rrethuar Kuvendin.

Ora 10:27
PAMJET ME DRON/ Parlamenti vendos sot për arrestimin e Ballukut, një grusht militantësh të PD-së mblidhen jashtë Kuvendit

 

Militantët e Sali Berishës kësaj radhe janë mbledhur në pjesën e jashtme të Parlamentit. Godina është e rrethuar nga forca të shumta policie ndërsa brenda po lexohen raportet e PD dhe PS, pro dhe kundër kërkesës së SPAK për marrjen e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.

PD organizon sot protestë duke kërkuar arrestimin e Ballukut, ndërsa kanë paralajmëruar se në rast se rrëzohet kërkesa e SPAK, godina e Kuvendit do të konsiderohet si mburojë për  të korruptuarit dhe do duhet të shembet.

Ora 09:52
Pas sulmit të kaluar me molotovë nga protestuesit e PD, Xhamia e Namazgjasë me kordon të dyfishtë sigurie

 

Xhamia e Namazgjasë është pjesë e kordonit të sigurisë për protestën e PD para Kuvendit. Siç shihet nga pamjet, xhamia është rrethuar me barriera metalike, ndërsa pas tyre ndodhen edhe punonjës të policisë.

Herën e fundit, as objekti fetar nuk u kursye nga molotovët e protestuesve të PD, teksa brenda ndodheshin besimtarë që po kryenin ritet e tyre pasi është edhe muaji i Ramazanit.

Ora 09:44
Protesta e opozitës, Berisha mbërrin në selinë e PD

 

Berisha ka mbërritur në selinë e PD duke thënë “këta janë shqiptarët e vërtetë”. Ndërsa gazetarët e pyetën a është ky kilometri i fundit dhe se çfarë do të ndodhë sot, ai s’u përgjigj.

Ora 09:43
Protesta e PD, nis grumbullimi i deputetëve në seli

Deputetët e PD kanë nisur të grumbullohen në selinë blu, ndërsa pas pak minutash do të nisë protesta e opozitës për të kundërshtuar qëndrimin e PS për mosarrestimin e Belinda Ballukut.

Mes deputetëve shihen Luçiano Boçi, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Edi Paloka, Ivi Kaso etj.

Ora 09:41
Protesta e PD, ekran e podium para Kuvendit! Bardhi e Balliu të përjashtuar nga punimet, ngarkohen me ‘mbikëqyrjen’ e protestuesve

 

Përgatitjet për protestën e opozitës para dhe brenda Kuvendit kanë nisur. Përballë gardhit të policisë po vendoset një podium i vogël dhe një ekran që demonstruesit të ndjekin zhvillimet e seancës plenare.

Deri më tani nuk ka grumbullim të protestuesve, por vetëm kalimtarë që vijojnë rutinën e tyre.

Mbetet për t’u parë skenari që opozita do të ndjekë, por në krye të demokratëve që ndodhen jashtë, do të qëndrojnë Gazment Bardhi e Klevis Balliu, të dy të përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi pas gjuhës së papërshtatshme në seancën e fundit. Ndërkohë i përjashtuar për 20 ditë është edhe Agron Shehaj, pasi refuzoi të linte sallën ndërsa fliste për banorët e Rrjollit.

Pritet një tentativë e demokratëve për të hyrë në Kuvend, ndërsa pritet të shihet nëse opozita do t’u qëndrojë fjalëve për një tubim paqësor dhe me gjuhë simbole apo do të zgjedhë sërish molotovët.

Ora 09:00
Protesta e PD, Garda e Republikës vendoset në tarracën e Kuvendit (VIDEO)

 

Masat për protestën e PD brenda e jashtë Kuvendit kanë bërë që gardistët të zhvendosen në tarracën e godinës.

Ora 08:29
Protesta e PD, policia ‘blindon’ parlamentin! 1500 efektivë në gatishmëri (VIDEO)

 

Pak orë para se të nisë seanca plenare dhe protesta e opozitës, policia ka marrë masat e nevojshme.

Efektivët janë grumbulluar në hyrje të parlamentit, ndërsa kanë marrë me vete pajisjet si fikëset e zjarrit dhe mburojat. Mësohet se 1500 prej tyre janë në gatishmëri për protestën.

Sipas burimeve, protesta e PD do të zhvillohet brenda dhe jashtë dyerve të parlamentit duke kundërshtuar qëndrimin e mazhorancës për mosarrestimin e Belinda Ballukut.

Mbrëmjen e shkuar, policia e rrethoi Kuvendin me kangjella. Pas gardhit metalik, ka një kordon sigurie me policë të Rendit dhe dhjetëra forca të ndërhyrjes së shpejtë. Brenda ambienteve të Kuvendit, gjenden edhe makineritë me ujë me presion, si edhe zjarrfikëse.

Gjithashtu është bërë e ditur se se nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”. Po ashtu sipas Policisë, në varësi të zhvillimit të tubimit, edhe rrugë të tjera mund të bllokohen. Por Policia thekson se qytetarët dhe mjetet mund të qarkullojnë në rrugë alternative.

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • visi: 12/03/2026 13:40

    Në shum medja theksohet mungoj dhuna por asnj nuk thotë përse...... DHUNA MUNGOI SEPSE ISHTE DITË DHE MOLOTOVËT HIDHEN NATËN NË MËNYRË QË SHPELLARËT TË MOS IDENTIFIKOHEN.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 12 Mars, 14:12

    PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, si e vlerësoni?