Këndi i ekspertit/ 'Kur pensioni me 60% kthehet i plotë për minatorët e naftëtarët'

Këndi i ekspertit/ 'Kur pensioni me 60% kthehet i plotë për minatorët e naftëtarët'

Profesor Fadil Kepi

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, si çdo të premte, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në këtë puntatë Profesor Kepi, në përgjgije të pyetje nga ana e shikuesve të Report TV, është ndalur më shumë për të sqaruar ata persona që kanë punuar në profesione të rënda si minatorë dhe naftëtarë për t’i sqaruar se si dhe kur mund të kthejnë pensionin e tyre me 60% të përfitimit në pension të plotë. Ekpserti ynë u është përgjigjur edhe disa problematikave të tjera që kanë shtruar qytetarët me pyetjet e tyre live në Report TV.

Një zotëri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës na shkruan: “Jam një qytetar nga Pogradeci, i datëlindjes 16.03.1956. Kam punuar në minierën e qymyrgurit nën tokë për 19 vite. Kam dalë në pension me 60%, pension minatori sipas qeverisë në janar të vitit 1995. Sot jam në moshën 62 vjeç e gjysmë dhe kërkoj një sqarim nga profesori i nderuar, zoti Fadil Kepi, se kur më takon të përfitoj pensionin e plotë. Çfarë dokumentesh shtesë do të më duhen që të paraqes në zyrën e Sigurimeve Shoqërore në Pogradec dhe kohën kur më duhet t’i dorëzoj për të përfituar pensionin e plotë në mbështetje të ligjit. Sot që po ju drejtohem juve ndodhem në SHBA. Jetoj këtu prej dy vitesh. Me shumë respekte Resmi Muçllari”.

Në vitin 1995 nga Kuvendi i Shqipërisë doli një ligj, me nr. 7703, datë 11.05.1993, i cili thotë: “Minatorët e nëntokës pavarësisht nga mosha, në qoftë se kanë punuar 21 vite gjithsej dhe nga këto gjysmat e viteve, pra 10 vite e 6 muaj nën tokë, dalin në pension me dëshirën e tyre me 60% dhe kur të plotësojnë moshën për pension të plotë, kthehet nga pension me 60% në pension të plotë”. Pra, shikoni çfarë kushti ka qenë. Kush ka 21 vite punë, pavarësisht nga mosha del në pension. Po të kesh 21 vite punë plus 16 vjet, sepse 16 vjeç të lejon Kodi i Punës për të filluar punën, ne kemi nxjerrë në pension në vitin 1995 njerëz në moshën 37 vjeç. Pse u bë kjo? Sepse shumë miniera u mbyllën. Ç’faj kishin minatorët? Këta persona të cilët kanë dalë në pension në vitin 1995, gjatë vitit 2018, përfshi edhe zotërinë që na shkruan, marrin pension të plotë në moshën 62 vjeç e 6 muaj. Çfarë dokumentesh i duhen? Asnjë dokument sepse ai e ka një librezë pensioni me 60%. Ai do të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Pogradec dhe do të bëjë një kërkesë që ka një librezë pensioni me numër dhe që dëshiron t’i kthehet pensioni nga 60% në pension të plotë. Uroj që ta gëzojë pensionin për shumë vite dhe me shëndet të mirë.

Flas nga Fieri. Jam një naftëtare dhe jam 61 vjeçe. Kam dalë në pension. Kam 42 vite punë pa shkëputje në naftë. Këto muaj kam dalë në pension dhe nuk e di se sa do më dalë. Po vitet tepër a merren në konsideratë?

Ju keni dorëzuar në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Fier librezën e punës, vërtetimin e rrogës bruto nga data 01.01.1994 e në vazhdim. Në datën 3 tetor të këtij viti, ka dalë një vendim i qeverisë me nr. 571, i botuar në “Fletoren Zyrtare” me nr. 143, i cili thotë: “Të gjithë ata që dalin në pension gjatë vitit 2018, do t’u llogaritet pensioni me disa koeficientë të rinj” dhe këta koeficientë janë me rritje. Ne i treguam edhe javën e kaluar. Atëherë, të gjithë ata që kanë dalë në pension nga data 1 janar e vitit 2018, pensionet do t’u rillogariten me këta koeficientë që janë më të lartë. Për çdo vit janë më të lartë. Përveç kësaj, Zonja do të çojë edhe vërtetimin e rrogës bruto nga data 01.01.1994 deri ditën që ka dalë në pension. Sigurimet Shoqërore në Fier do t’i japin një librezë pensioni. Mos u largoni nga zyra e Sigurimeve Shoqërore pa marrë librezën e pensionit. E kam shpjeguar edhe herë të tjera që nxjerrin arsye që nuk ekzistojnë. Nëse qytetarët dorëzojnë librezën e punës, duhet të marrin librezën e pensionit ose do të marrin një letër tjetër të vlefshme. Pra zonja do të marrë librezën e pensionit me koeficientin e ri. Pra, këtë koeficient të ri e përfitojnë vetëm pensionistët që kanë dalë në pension nga 1 janari i vitit 2018 e në vijim.

Jam nga Tirana. Kam punuar në Uzinën Ushtarake në Poliçan të Skraparit. Kam dalë në pension dy vite para kohe për arsye familjare, me 60% që ishte në atë kohë, në vitin 1993. Vazhdoj ta marr pensionin me 60%. Ju pyes, kështu do të vazhdojë pensioni im gjatë tërë kohës?

Zonjë, bashkë me librezën e pensionit, ditën e mërkurë do të shkosh të takosh Drejtorin e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, meqenëse banon në Tiranë dhe në qoftë se ti e merr pensionin në Tiranë. Atje do tëhapet menjëherë dosja juaj dhe do të merrni sqarimet e duhura.

Qytetarë të nderuar, pensioni me 60% ndryshon nga pensioni i reduktuar. Personat të cilët sivjet, burrat 65 vjeç dhe gratë 60 vjeçe e 8 muaj, kur janë pa punë, mund të dalin në pension të reduktuar edhe 3 vite përpara kësaj moshe, d.m.th. gratë në moshën 57 vjeçe e 8 muaj dhe burrat në moshën 62 vjeç. Pensioni i reduktuar natyrisht që është më i ulët se pensioni i plotë. Sa herë rriten pensionet shtohen edhe pensionet e reduktuar. Gjithashtu përfitojnë edhe shpërblimet që jepen për pensionistët për festat e Vitit të Ri. Por, ndryshimi është se ky pension mbetet për tërë jetën i reduktuar, edhe kur personat plotësojnë moshën për pension, edhe kur mbushin 70 vjeç e më shumë.

Flas nga Saranda. Jam 63 vjeç. Kam punuar disa vite në kooperativë. Më duhen edhe rreth 2 vite që të më plotësohen vitet e plota të punës, pra 35 vite. Dua të di se kur dal në pension sepse te Sigurimet Shoqërore më thanë që dal 67 vjeç.

67 vjeç në pension dalin ata persona që sot janë 40 vjeç. Ti je 63 vjeç dhe do të dalësh në pension 65 vjeç, në vitin 2020. Për të marrë pension të plotë, në vitin 2020, duhen 37 vite punë të siguruara, nga mosha 16 vjeç, edhe po tëkesh punuar në kooperativë përsëri nga mosha 16 vjeç. Gjithashtu quhet vjetësi pune edhe periudha që ke qenë ushtar, periudha që ke bërë sigurime vullnetare, periudha që ke bërë sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi, edhe periudha e asistencës, edhe periudha kur je paguar me raporte mjekësore. Tani ti je 63 vjeç. ti nuk mund të dalësh në pension të reduktuar sepse ligji thotë: “ata që janë pa punë dhe që nuk kanë tokë”. Përderisa ti ke punuar në kooperativë, ke marrë tokë. Nuk mund të dalin ata që kanë tokë dhe punë në pension të reduktuar. Pra, në pension nuk do të dalësh 67 vjeç, por do të dalësh në moshën 65 vjeç.

Flas nga Tirana. Jam 68 vjeç. Kam dalë në pension me 22 vite punë dhe 20 vite si invalid. Kam punuar në gjeologji për 22 vite. Marr një pension prej 160.000 lekësh të vjetër në muaj dhe nuk e kam përfituar pensionin e gjeologut.

E para, zotëria nuk po i thotë të sakta shifrat, sepse përveç pensionit, si invalid ai merr edhe nga bashkia shumën prej 33.000 lekësh të vjetër në muaj. Meqë ai ka pretendime për shumën e pensionit që merr, duhet të bëjë një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Në këtë ankesë të shkruajë shumat që përfiton nga pensioni dhe nga bashkia, si edhe që nuk është dakord me këto shuma sepse i duken pak. Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore ka specialistët përkatës, me eksperiencë dhe do t’i kthejë një përgjigje zyrtare, me katër firma. Nëse zotëria përsëri nuk bindet nga përgjigjja, meqenëse banon në Tiranë, do të bëjë një ankesë tjetër dhe ta dërgojë me postë rekomande në Komisionin Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Dhe nëse edhe përgjigjja që do të marrë përsëri nuk e bind, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës.

Jam nga Librazhdi. Kam punuar në minierë 28 vite. Kam dalë në pension në vitin 1990. Maksimalja e pensionit në atë vit më doli pak më shumë se 11.000 lekë të rinj në muaj. A përfitoj nga ndryshimet e reja?

Nuk përfiton. Përfitojnë vetëm ata që kanë dalë në pension me 60% deri në fund të vitit 1995. Më 1 janar të vitit 1996 ky ligj ra nga fuqia. Megjithatë, unë nuk kam asnjë dokument tëndin përpara që të flas me saktësi. Kështu që ti do t’i bësh një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan. Përgjigjja natyrisht që do të vijë me shkrim. Dhe nëse ti nuk bindesh, atëherë do t’u drejtohesh instancave më të larta.

Na shkruajnë disa pedagogë me tituj shkencorë dhe pyesin se cilat janë kushtet për të dalë në pension dhe nëse mund të vazhdojnë të punojnë mbi moshën e pensionit.

Pedagoget femra që japin mësim në universitetet e Shqipërisë, por që mund të japin mësim edhe jashtë vendit, që nuk kanë tituj shkencorë dalin në pension, deri në fund të këtij viti, 60 vjeçe e 8 muaj. Duhet të kenë gjithsej 36 vite e 4 muaj punë të siguruara në vendin tonë, përfshirë këtu edhe periudhën e studimeve të larta ditën, të dokumentuar me fotokopjen e diplomës së noterizuar. Aq vite sa ka qenë periudha e studimit në fakultet po aq vite quhen vjetërsi pune. Kjo periudhë do t’u quhet vjetërsi pune femrave që dalin në pension deri më 31 dhjetor të vitit 2032. Atyre që dalin në pension më 1 janar të vitit 2033 e në vijim nuk do t’u quhet vjetërsi pune shkolla e lartë ditën. Ka pedagoge që kanë tituj shkencorë. Sipas nenit 65 të Ligjit të Arsimit të Lartë të miratuar në vitin 2015, botuar në “Fletoren Zyrtare” nr. 164, thuhet: “Profesorët e asocuar dalin në pension, femra dhe meshkuj, 65 vjeç dhe në rast se qendra e punës ka nevojë për këtë profesor të asocuar, me dëshirën e profesorit të asocuar apo të profesores së asocuar, universiteti mund ta mbajë me kontratë pune tremujore, gjashtëmujore ose njëvjeçare mbi moshën e pensionit”. Profesorët të cilët kanë titullin shkencor “profesor”, dalin në pension në moshën 68 vjeç, pavarësisht nga gjinia, femra dhe meshkuj. Edhe në këtë rast, nëse universiteti ka nevojë, me dëshirën edhe të pedagoges apo të pedagogut, mund ta mbajë me një kontratë pune. Kontrata e punës ndërpritet vetëm në atë rast kur profesori i asocuar apo profesori nuk mund ta vazhdojë më punën. Ata që kanë titullin shkencor “akademik” ose “akademike”, dalin në pension në moshën 75 vjeç, pavarësisht nga gjinia.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erik: 21/10/2018 11:56

    O Report TV & Shqiptarja.com, beni nje propozim tek Presidenti Meta te nxjerr nje dekret per dhenien e titullit "Mjeshter i Madh" per profesorin e nderuar Fadil Kepi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen