Futbolli elitar spanjoll ka dhënë verdiktet për sezonin 2025-26. Të shtunën u zhvilluan nëntë nga dhjetë ndeshjet e raundit të fundit, ndërsa ra në sy rrëzimi i Mallorcas në La Liga 2, paçka fitores 3-0 në shtëpi kundër Oviedos me një nga golat që u shënua nga Vedat Muriqi.
Këtë sezon kampione u shpall Barcelona, ndërsa në Champions League do të luajnë edhe Real Madridi, Villarreali, Atletico Madridi dhe Real Betis. Në Europa League, Spanja do të përfaqësohet nga Celta Vigo dhe Real Sociedadi, ndërsa Getafe ia doli që të siguronte një vend në Conference League.
Spanja ka mundësinë që të ketë edhe një përfaqësues në Europa League për sezonin e ri, pasi Rayo Vallecano do të ndeshet të mërkurën në finalen e Conference League kundër Crystal Palace në Leipzig. Fituesi i këtij çifti në edicionin e ri do të kualifikohej direkt për në fazën e ligës së Europa League.
Ndërkohë, paçka fitores 3-0 kundër Real Oviedos, Mallorca nuk ia ka dalë të mbijetojë, edhe pse Vedat Muriqi këtë sezon shënoi 23 gola në La Liga. Veç Mallorcas, në La Liga 2 janë rrëzuar edhe Girona dhe Real Oviedo.
La Liga e mbyll përfundimisht sot këtë sezon, pasi në orën 21:00 do të luhet Villarreal - Atletico Madrid. Të dyja skuadrat kanë marrë të drejtën për të qenë në Champions League edicionin e ri.
Golashënuesi më i mirë i sezonit u shpall Kylian Mbappe i Real Madridit me 25 gola, ndërsa në vendin e dytë me dy gola më pak u rendit Vedat Muriqi, sulmuesi shqiptar që vështirë se do të qëndrojë te Mallorca pas interesimit të shumë klubeve.
La Liga, raundi i 38-të (i parafundit):
E shtunë, 23 maj 2026
Alaves 1-2 Rayo Vallecano
Betis 2-1 Levante
Celta Vigo 1-0 Sevilla
Espanyol 1-1 Real Sociedad
Getafe 1-0 Osasuna
Girona 1-1 Elche
Mallorca 3-0 Oviedo
Real Madrid 4-2 Athletic Bilbao
Valencia 3-1 Barcelona
E diel, 24 maj 2026
21:00 Villarreal - Atletico Madrid
Renditja:

Në 'Bernabeu' Real Madridi fitoi 4-2 kundër Athletic Bilbaos duke e mbyllur me tri pikë këtë sezon. Garcia, Bellingham, Mbappe dhe Diaz ishin autorët e golave për vendasit, ndërsa baskët shkurtuan me Guruzeta dhe Izeta. Për kapitenin e Realit, Dani Carvajal, mbrojtësin David Alaba dhe trajnerin Alvaro Arbeloa, kjo ishte ndeshja e fundit me 'Galaktikët'. Emocionuese një banderolë për kapitenin Carvajal e shpalosur nga tifozët, të cilët e kishin vendosur mbrojtësin krah një emri si legjenda Alfredo Di Stefano. Carvajal largohet nga 'Bernabeu' pas 17 vitesh.
Në 'Mestalla', vendasit e Valencias fituan 3-1 me përmbysje kundër Barcelonës kampione të këtij sezoni. Robert Lewandowski shënoi për katalanasit në ndeshjen e lamtumirës, para se Guerra, Rioja dhe Rodriguez të përmbysnin ndeshjen.
Në stadiumin 'Son Moix' vendasit e Mallorcas fituan 3-0 kundër Real Oviedos, por nuk mundën të shmangnin dramën e rrëzimit në La Liga 2. Goli i tretë u shënua Vedat Muriqi, sulmuesi i Kosovës që këtë sezon ia doli të realizonte 23 gola. Më mirë se ai ka bërë vetëm Kylian Mbappe me dy gola më shumë. Edhe Oviedo sezonin e ri do të luajë në La Liga 2.
Komente



