Laboratori i kokainës, nipi i ish
diktatorit udhëtonte me ‘Volvo’ të vjetë

Laboratori i kokainës, nipi i ish<br />diktatorit udhëtonte me ‘Volvo’ të vjetë
TIRANE- Policia e Durrësit, ka hedhur dritë ditën e djeshme mbi arrestimin e 40-vjeçarit, Ermal Hoxha, nipit të diktatorit Hoxha. Ata kanë bërë me dije detajet e ndërhyrjes në banesën e familjes së bashkëshortes së tij. Sipas të dhënave të policisë bëhet e ditur se Ermal Hoxha është arrestuar në katin e pestë të një pallatit në lagjen 18 në Durrës. Policia njëherësh ka kryer ndalimin e tij dhe ka kryer edhe kontrollin e mjetit që e kishte të parkuar para pallatit.

Hoxha, i cili nuk ka bërë asnjë lloj rezistence, i ka drejtuar oficerët e anti-drogës tek mjeti me të cilin kishte lëvizur. Sipas të dhënave, ajo ishte një makinë tip ‘Volvo’ prodhim i vjetër, brenda së cilës nuk është gjetur asnjë element komprometues. Hoxha është shoqëruar për në ambientet e Policisë së Durrësit dhe rreth orës 01.30 iu ka komunikuar masa e arrestit. Sipas të dhënave të policisë dhe të prokurorisë, që prej momentit të ndalimit e deri mbrëmjen e djeshme, nipi i diktatorit nuk ka pranuar asnjë prej akuzave të ngritura nga prokuroria dhe që iu kanë komunikuar edhe nga policia

Prangosja  
Tre oficerë të anti-drogës kanë mbërritur në katin e pestë të pallatit në të cilin banonte familja e bashkëshortes së Ermal Hoxhës. Referuar të dhënave, bëhet me dije se në momentin që policia ka hyrë në shtëpinë e tyre, brenda me Ermalin janë gjendur vjehrri, vjehrra dhe kunata e tij. Policia saktëson se në shtëpi nuk ishte e pranishme gruaja e Hoxhës, këngëtarja, Rezarta Shkurta. Policia saktëson se Hoxha është gjendur në heshtje, ndërsa pinte kafe me familjarët e bashkëshortes.

Sipas policisë ndërhyrja ka ndodhur rreth orës 17.00, ndërsa nga sa është marrë informacion nga banorët e pallatit, Ermali ka mbërritur aty rreth gjysmë ore para se të shkonte policia. Banorët kanë treguar se Ermali, si rrallë ndonjëherë nuk i ka përshëndetur, pasi ai ishte shumë me nxitim. Njëkohësisht banorët kanë shprehur habi, për shkak se Ermali njihej prej tyre si një djalë me edukatë të rrallë, pasi ai vizitonte shumë shpesh familjen e bashkëshortes së tij dhe se gjithmonë i përshëndeste të gjithë personat që takonte.

Implikimi
Autoritetet e hetimit dhe të policisë kanë qenë mjaft të rezervuara ditën e djeshme në lidhje me personat e vënë në pranga për trafikun ndërkombëtar të kokainës, ndërsa kanë vijuar t’i qëndrojnë versionit se Ermal Hoxha është organizatori i grupit ndërsa ai në momentin e arrestimit ka rezultuar pa asnjë provë konkrete që e lidhte me grupin e të të arrestuarve. Policia shpjegon se emri i tij ka qenë në listën e personave, ndaj të cilëve ishte mandat arresti për trafik ndërkombëtar droge. Burimet kanë shtuar se emri i tij ka dalë gjatë përgjimeve të grupit, përgjime që kanë vazhduar me ditë të tëra.

Kokaina vinte nga Amerika Latine, destinacion Gjermania 
Droga vinte nga Amerika Latine, trafikohej në Europë, kryesisht Gjermani. Ky është destinacioni i përcaktuar deri më tani i rrugës që përshkronte droga e kushtueshme për në Perëndim. Sipas policisë, droga vinte nga Amerika Latine në Ballkan, përpunohej në Shqipëri dhe më pas trafikohej në vendet e Europës Perëndimore, kryesisht Gjermani. “Grupi kriminal siguronte lëndë me përmbajte të substancave narkotike te cilat më pas i nënshtroheshin një procesi  përpunimi dhe nxjerrjes së substancës së pastër kokaine me qëllim përdorimin në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Policia njëkohësisht ka bërë me dije edhe faktin se informacionet e para flasin se lënda hynte në vendin tonë nga kufiri tokësor, kryesisht nga Korça
 
Ja si u zu në kurth grupi kokaina 
Pasi sigurojnë fillimisht dyert që ndodhen në pjesën e përparme të ndërtesës, disa prej efektivëve shkojnë në pjesën e pasme të saj duke kryer rrethimin e godinës, duke bërë të mundur kështu që asnjë prej personave që ndodhej brenda të mos largohej. Por përpos efektivëve që ndodheshin brenda rrethimit të godinës, në pamje tregohen dhe tre oficerë të cilët qëndronin jashtë rrethimit, në shinat e trenit, në mënyrë për të kontrolluar gjithë perimetrin e veprimit. Pas sigurimit të gjithë zonës, godinës dhe bllokimit të të gjitha hyrje-daljeve forcat e policisë ndërhyjnë në ambientet e brendshme ku u zbulua laboratori dhe u sekuestruan mbi 100 kg lëndë narktoike e llojit kokainë si dhe një sasi e madhe përzierësi.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?