Lad Myrtezai: Rama do të ishte
piktor gjenial pa politikën

Lad Myrtezai: Rama do të ishte <br />piktor gjenial pa politikën
TIRANE - Ka të përbashkët me Edi Ramën, jo vetëm kthesat rebele të artit modern në Shqipëri, por edhe veshjet shumëngjyrëshe. Quhet Vladimir, por le ta përmendim me emrin e artit Lad Myrtezai. Vesh pantallona vishnje, të kuqe, portokalli, bluza e këmisha me ngjyra diellore.

Megjithatë secili prej tyre njihet edhe një kilometër larg, nëse është Ed Rama apo Lad Myrtezi. Ky i fundit piktor i njohur, profesor në atelietë e shumta të Universitetit të Arteve, ka pak ditë që ka çelur ekspozitën e studentëve të tij në galerinë Fab “Hapësira dhe koha me dhe pa kornizë”.

Ekspozita i “ka mbërthyer” studentët pas atyre veprave në dukje “të çartuara”, ku instalacioni, videoja dhe performancat kanë përfshirë edhe publikun në hyrje daljet e herëpashershme rrotull saj, që sipas Lad Myrtezait s’do të thotë gjë tjetër veçse “një bashkëbisedim i artit kontenporan me vizitorin”.

Ndërsa jemi aty dhe e përjetojmë situatën që kuratori provokon me veprat e studentëve, është e kot të flasësh më tepër për ekspozitën. Ajo e ka kryer tashmë misionin. Dihen risqet e të eksperimentuarit me artet moderne, sidomos nëse studentët nuk do të ishin aq të formuar filozofikisht dhe estetikisht.

Duke dyshuar pak për këtë, provokojmë herë pas here me pyetje piktorin e njohur. Dhe kjo solli një bashkëbisedim që flet më tepër se mesazhi i një ekspozite. I referohemi historisë së artit në këto 20 vjet dhe ja ku shfaqet protagonizmi i Edi Ramës në gjykimin e Lad Myrtezait. Si ka qenë dhe si është sot Edi Rama, artisti në pushtet?   

Pse synoni që studentët tuaj të dalin me një ekspozitë që përfaqëson avangardën. Nuk është e hershme për zhvillimin e tyre si student?
Kjo pjesa e të qenit bashkëkohorë ka të bëjë me atelierin që unë kam, ku mësohet për përdorimin e shumë mediumeve. Unë nuk jam për artin e zanatit, por artin e ideve.

Çfarë mendoni se keni arritur me këtë ekspozitë?
Për mua ka rëndësi që artisti përballë një vepre të mos rrijë si njeri inaktiv. Arti konceptual është një udhëtim i përbashkët me shikuesin.

Kam parasysh historinë e pikturës botërore. Mendoj se kush bën art konceptual ka formim të gjerë kulturor. Konsiston ky formim tek studentët tuaj?
Ne e orientojmë studentin drejt leximit. Arti konceptual mund të lindi nga shuma e imazheve, nga një shkak që krijon lidhje me publikun për të krijuar një territor krijues. Te çdo njeri banon një artist.

Si është gjendja e pikturës në Akademinë e Arteve, ndërkohë që një pjesë e departamenteve kanë vështirësi?
Në Akademi është krijuar një hartë me disa variante të atelierëve. Ka atelier të skulpturës, të pikturës, të art-dizajnerit, të plastikës. Pra, gjendja tek ne është më multikulturale.

Cilat janë disa nga arsyet që zhvillimi i artit figurativ në këto 20 vjetët e fundit ka qenë më progresiv se fushat e tjera të kulturës?
Ky zhvillim e ka zanafillën në vitet ‘90, që erdhi nga një brez piktorësh që në atë moment nuk e menduan pikturën si një mjet fitimi, por si shprehje të lirisë, si Edi Rama, Lad Myrtezai, Edi Hila, Najada Hamza, etj, së bashku me një grup pedagogësh.

Por ende historia 20-vjeçare e zhvillimit të pikturës nuk është studiuar. Arsyet janë se ndërsa protagonistët e sollën pikturën e re, mungonin teoricienët. Zhvillim e gjeti pikturën me një skalion teoricienësh të papërgatitur.

Ju jeni protagonist, a mund të sillni në kujtesë disa dëshmi të kohës, dhe personazhet që përmendët për protagonizmin e tyre në artet moderne?
Në të vërtetë ne nuk e dokumentuam veten, se e kishim mendjen për ndryshimin që do të sillnim. Nuk fiksuam as situata filmike as regjistrime fotografike. Piktura ka qenë avangardë në ato vite, por tani që piktori u bë politikan, piktura ka humbur jo pak.

E keni fjalën për njërin nga protagonistët, Edi Ramën…? Nëse Edi Rama nuk do ndryshonte kahun nga arti në politikë, cili do të ishte vendi i tij në pikturën e këtij 20-vjeçari?
Arti është çështje energjish që ndryshojnë objektin. Atë energji të madhe që dha në politikë Edi Rama, jam i bindur se do ta kthente në gjenialitet në pikturë.

Le të qëndrojmë pak tek konteksti nostalgjik i kësaj që thatë. Si ishin atelietë e kohës kur ju bënit art bashkë me Edi Ramën?
Atelietë në atë kohë humbën formatin. Filluan të kenë karakter. U krijua një opozitë e madhe ndaj traditës. Edhe pse shumë vepra të traditës me të drejtë çmohen sot, në atë kohë i shikonin si shfaqje të formatit armiqësor të Realizmit Socialist. Por kjo vinte nga shtysa e fortë që duhej bërë art ndryshe.

Veçanërisht ti vet si e portretizon Edi Ramën në procesin e këtyre ndryshimeve në art?
Ishte përmbysës i çdo gjëje, si në politikë sot. Në fakt sot është bërë pak linear në politikë ... Kujtoj një moment kur ishte në diskutim një skulpturë moderne e një studenteje që në atë kohë të gjithë nisën ta vlerësonin. Thanë fjalë të mira për veprën. Po kështu nisën edhe teoricienët e pedagogët që të japin vlerësime.

Ndërkohë Edi Rama përmbys gjithë situatën. “Nuk jam dakord me asgjë nga këto. Kjo studentë kopjon pedagogun e vet. Skulptura mund të duket moderne, por studentja nuk ndjek rrugën e vet origjinale”. Edi përpiqet në çdo moment të krijonte opozitarizëm. Ai ishte i sunduar nga tirania e së resë, që është një tirani sunduese tek të gjithë artistët modern, që nuk ndalon.

Por Edi kishte dhe arsyen të bënte opozitë me zhvillimet e artit të asaj kohe. Ai vinte nga një varg kontaktesh me botën e jashtme. Unë e kujtoj atë si një bashkëpunëtor të afërt kur deshëm të çelnin një ekspozitën në një muze të Lushnjës. Ishim në opozitë në atë kohë me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Edhe pse LSHA kishte filluar të liberalizohej po ndodhte që po na pengonin vetë piktorët atje brenda për tendencat moderne. Por Edi Rama kishte adrenalinën kundër. Pra, artisi është kundër në thelb, ndërsa sot Edi Ramën politika e ka kushtëzuar, sepse politika ka të bëjë me numra. Ai tani e ka mendjen te numrat, llogaritjet që i dikton politika.

Dhe konkluzioni del që Edi Rama si politikan humbet shumë nga personaliteti i tij?
Sigurisht, por megjithatë ndodh që kur vjen piku i krizës, agravohen konfliktet politike dhe ai shkëlqen me atë genin e krijuesit duke ndryshuar gjërat edhe në politikë. Kur Edi Rama ishte kryebashkiak nga jashtë shihej si pop-star, njeriu që bën efekt në politikë, por që vjen nga bota e artit. Kjo është mirë, por është keq kur ka probleme të mprehta në politikë, kur disa gjëra nuk i merren seriozisht, “hë mo, se artist është”.

Megjithatë, duke qenë artist ai ka mundur të menaxhojë me frymën e artit disa nga katastrofat urbanistike dhe arkitekturore të trashëguara të kryeqytetit. Solli një risi në aspektin arkitekturor. Pushtoi qytetin me ngjyrat. Pse e bëri këtë, se s’kishte çfarë t’i bënte katastrofës arkitekturore.

Të çbëhej donte shuma marramendëse dhe do të kishte një kosto të parealizueshme, pra artisti në pushtet dha një zgjidhje të shpejtë dhe efikase, e pushtoi kryeqytetin me ngjyrat. Elementi i ngjyrës së artistit në pushtet tregon guxim, që merr edhe kontekstin politik e social. Ngjyra përveçse është guxim ndërmjetëson, është terapi. Unë kam qenë me një ekspozitë me artistë të tjerë në një spital psikiatrik në Austri, ku ngjyrat e artit shërbenin si terapi për të sëmurët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.04.2013

Redaksia Online
(b.msjhqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës