Kanali kryesor që lidh Lagunën e Nartës në Vlorë me detin është bllokuar totalisht. Uji nuk qarkullon më si duhet dhe laguna po mbushet. Në terren ka zbritur eskavatori dhe puna për hapjen e tij pritet të nisë menjëherë.
Sipas burimeve në zonë, kanali duhet të thellohet rreth 1.5 metra që të largohet uji i tepërt dhe të rikthehet shkëmbimi normal me detin. Problemi nuk lidhet me rritjen e nivelit të detit, por me mungesën e mirëmbajtjes.
Deri në nëntor, mirëmbajtja bëhej nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit Nartë. Por kontrata ka skaduar dhe ende nuk është rinovuar nga Ministria e Bujqësisë. Procesi është në pritje.
Tani ndërhyrjen për hapjen e kanalit po e bën Bordi i Kullimit me mjetet e veta.
Ndërkohë është konstatuar edhe një çarje në argjinaturë. Nga aty uji i lagunës po depërton drejt zonës pyjore përreth, duke rritur frikën për përmbytje dhe dëmtime në mjedis.
Banorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe një plan të qëndrueshëm mirëmbajtjeje, që kjo situatë të mos përsëritet çdo sezon.
Komente








