Lahuta serbe në UNESCO/ Studiuesit: Mjaft me këtë dëshpërim, shteti shqiptar s’duhet të humbasë kohë

Lahuta është një instrument, i cili ka një shtrirje paneuropiane. E kanë spanjollët, portugezët, francezët, rumunët edhe ne. Është një emërtim, që vjen prej arabishtes al lahut (për lart). Fakti që është një instrument me një emër, që ka ardhur prej botës arabike dhe jo nga Lindja drejt Perëndimit, sipas studiuesve, do të thotë që është një instrument që i takon një familje të përbashkët. Pas regjistrimit të lahutës serbe (gusël) në UNESCO, si pjesë e Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit është pritur me reagime të ashpra nga shqiptarët. Megjithatë, studiuesit Shaban Sinani dhe Gjovalin Shkurtaj shpjegojnë, jo vetëm se çfarë është lahuta, por edhe se çfarë duhet bërë, që edhe kjo pasuri shqiptare të vlerësohet nga UNESCO. 

Lahuta është një instrument, i cili ka një shtrirje paneuropiane. E kanë spanjollët, portugezët, francezët, rumunët edhe ne. Është një emërtim, që vjen prej arabishtes al lahut (për lart). Fakti që është një instrument me një emër, që ka ardhur prej botës arabike dhe jo nga Lindja drejt Perëndimit, do të thotë që është një instrument, që i takon një  familje të përbashkët instrumentesh të përbashkët. Në këtë kuptim lahuta është shqiptare me specifikën e vet, por është edhe pjesë e një arketipi që është kjo vegël muzikore, që është shfaqur në Evropë diku nga shekulli VII-VIII, jo më herët.

Shaban Sinani, Akademik i asociuar dhe studiues

Profesor Sinani, a mund të na sillni edhe një herë në kujtesë, punën që është bërë për dosjen e Eposit Shqiptar dhe dorëzimin e saj në UNESCO?

Besoj se me punën që është bërë për dosjen e Eposin Shqiptar, si një trashëgimi e denjë për t’u dorëzuar në listën e kryeveprave jomatëriale të njerëzimit, është bërë gjithçka që duhet të ishte bërë. Është një punë që ka nisur në vitin 2008, një iniciativë ekspertësh joinstitucionale, por një vullnet i mirë i studiuesve për të shtuar një pasuri tjetër në UNESCO, sepse polifonia e Jugut dhe Eposi i Kreshnikëve do të ishin dy monumente shpirtërore, që do ta mbulonin të gjithë hapësirën shqiptare nga pikëpamja shpirtërore edhe folklorike.

Dy tre vite më pas qeveria e Kosovës me një vendim të saj ka krijuar një grup me dy apo tre veta, pastaj grupi u zgjerua edhe me tre të tjerë, nga ku u organizuan edhe dy konferenca shkencore ndërkombëtare, një prej të cilave më e madhja që është bërë ndonjëherë për eposin shqiptar.

Intervista e plotë me studuesit

Ministria jonë e Kulturës dhe ajo e Kosovës kanë pasur përherë dëshirë që të anëtarësoheshin së bashku, por çfarë ndodhi?

Dosja mori edhe një certifikim ndërkombëtar nga EuropaNostra. Ekipi që ka punuar për eposin në momentin që kjo dosje u certifikua me këtë çmim e ka mbaruar punën. Unë do t’ju them atë që thashë para një viti e gjysëm se: Puna jonë mbaroi këtu, tani fillon puna e veprimit shtetëror, ose ndërshtetërore, se propozimi ka qenë edhe vazhdon që të jetë i përbashkët me Kosovën. Nuk ka vend për panik apo për të krijuar alarme të paqene. Regjistrimi i guslës nga Instituti i Beogradit nuk përbën asnjë rrezik që Eposi të regjistrohet gjithashtu. Nuk është në parimet e UNESCO-s të pranohet vetëm një trashëgimi për tipologji...

Por Sinani mendon se ministritë e dy shteteve përkatëse duhet që të bashkëpunojnë konkretisht dhe jo mendimet t’i shprehin nëpër deklarata për shtyp.

Ajo që mund të them është se MK tona dhe MJ nuk duhet që t’i shkëmbejnë mendimet me deklarata në shtyp, por duhet që të bëjnë atë që nuk e kanë bërë asnjëherë deri më sot, që të ulen në tavolinë edhe të diskutojnë se cilat janë hapat që duhet të hidhen më tej? Si do të veprojnë shtetet me këtë dosje që shkencëtarët ua kanë lënë mbi tavolinë? Çfarë do të bëj njëri edhe çfarë do të bëjë tjetri? Kjo gjë ka munguar. Tani nuk është momenti për të vajtuar, por për të ndarë detyrat. Është momenti që të ndërtohet një kalender i përpikët se si do të veprohet më tej.

A ka ndikuar mospranimi i Kosovës në UNESCO në këtë vonesë?

Të drejtën për të propozuar trashëgimi UNESCO-s nuk e kanë vetëm shtetet që janë të konfirmuar zyrtarisht. Natyrisht që nuk është rruga më komode, që propozimi të shkonte përmes Kosovës, jo sepse e drejta e Kosovës është më e kufizuar se e jona, por pas votimit refuzues të anëtarësisë së Kosovës në UNESCO, çdo propozim i dërguar prej saj mund të konsiderohet me të drejtë si një lloj testi.

Çfarë duhet bërë që mos të humbasim më kohë?

E para gjë është që, mos të diskutojmë në boshllëk edhe mos të krijojmë një gjë që nuk ekziston. Ç’mund të themi? Instituti i Muzikologjisë në Beograd arriti ta bënte këtë, bravo i qoftë... Duhet që të bëjmë ne punën tonë. Nëse ne do kishim bërë më parë regjistrimin me lahutën, çfarë do të kishin bërë serbët? Do të ankoheshin, se ne u morëm lahutën. Nuk besoj. Ata do të kishin vijuar punën.

Profesor Sinani mendon se problemi themelor është që ne jemi mbrapa, edhe kështu kemi qenë edhe më herët, sepse eposi i Serbëve ka nis që të botohet që në vitin 1846, ndërsa eposi ynë për herë të parë një këngë është botuar në vitin 1896. Ndërsa, mbledhja ka filluar një shekull më vonë me etërit françeskanë.

Jam i mendimit mjaft më dëshpërimin që serbët e regjistruan, por ku ka mbetur? UNESCO voton në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme, nuk voton me kulisa.E para, unë mendoj se si studiues, dialektolog, sociolinguist dhe si njeri që kam shkuar nga Vermoshi në Konispol për ekspedita kërkimore më bie detyra që të shpreh kënaqësinë, që elemente të rëndësishme etnike, që janë të lidhura me kulturën shpirtërore të shqiptarëve dhe të popujve fqinjë, bëhen objekt për t’u ruajtur edhe vlerësuar nga UNESCO. Unë kam pasur mendimin se UNESCO kërkon në radhë të parë përbashkësinë, njohjen e të përbashkëtave të popujve, krijimin e urave të lidhjes që kanë qenë edhe kanë ekzistuar midis popujve edhe mbi këto ura të ndërtojë vijimësinë e fqinjësisë së mirë midis popujve... Etimologjia vjen nga turqishtja, me origjinë nga arabishtja. Mua më takon si i trevave të theksoj se unë jam rritur me këngët e lahutës, por ne në Mbishkodër i kemi thënë gjithmonë laud, lauda

Gjovalin Shkurtaj, Akademik dhe studiues

Profesor Shkurtaj shpjegon se lahuta ka qenë elementi që hyn në një treshe të rëndësishme kulturore edhe shpirtërore shqiptare, sepse lahuta është shprehje e atyre njerëzve që veshin xhubletën. Profesor Gjovalin Shkurtaj rrëfen jo vetëm lidhjen e tij me lahutën, por edhe se si shqiptarët kanë shprehur nëpërmjet lahutës, përkatësinë e tyre etnike.

Xhubleta e Mbishkodrës është vlerësuar nga  veshjet më të hershme ilire shqiptare, duke u vlerësuar me termin veshja këmborë. Tek burrat është elementi i përkresës së bardhë në kokën e meshkujve shqiptarë të Veriut edhe të Jugut edhe e bardha në përgjithësi në veshjet e shqiptareve. Edhe shoqërimi me laud janë shoqëruar këngët e trimave, u është kënduar lavd trimave në kohë të hershme, edhe të vona. Lauda ka shoqëruar shqiptarët kanë shoqëruar çdo gëzim të tyre...  Lahuta apo lauda ka qenë një mjet që shqiptarët e kanë përdorë gjithmonë për të shprehur vetëdijen e tyre etnik edhe gëzimet e tyre. Unë mendoj se nuk duhet që të nisemi nga zilia, se kush e pati më parë atë guslën apo ne lahutën. Më tej profesor Gjovalini shton se “UNESCO do të bënte mirë që ta vlerësojë njëlloj dosjen shqiptare që është paraqitur për vlerat që ka lahuta, krahas asaj që ka gusla, pasi sipas tij ato nuk bien ndesh, se kush ishte më parë edhe kush ishte më mbrapa”.

Studiuesit e kanë përfunduar punën me dosjen e Eposit të Kreshnikëve që prej vitit 2012-të. Në vitin 2016 Eposi i Kreshnikëve u vlerësua më çmim nga Europa Nostra. Por, Ministria e Kulturës nuk e ka dorëzuar ende dosjen e Eposit të Kreshnikëve në UNESCO, sepse është duke punuar me Kosovën. Gjithashtu, MK është në fazë përfundimtare të procesit të regjistrimit të dosjes së pasurisë kulturore edhe natyrore të pjesës shqiptare ë Liqenit të Ohrit (pjesa shqiptare) në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. (Pjesa maqedonase e Liqenit, dy të tretat e territorit të Liqenit të Ohrit), është futur në listën e UNESCO-s prej vitit 1979).

Ndërkohë, Ministria e Kulturës ka në proces përgatitjen e propozimeve për regjistrim në listat përkatëse disa pasuri të tjera materiale dhe jomatëriale, siç është Parku Arkeologjik i Apolonisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur