TIRANË- Mes panikut që u përhap pas shpërndarjes së një audioje në Whatsapp dhe bisedave të kafeneve se në farmaci nuk ka maska, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke siguruar të gjithë qytetarët se koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë. Më gërma kapitale, për ta theksuar më tepër mesazhin e tij, kreu i qeverisë bën me dije se shteti i ka marrë të gjitha masat dhe ka kapacitet të mjaftueshëm për ta përballuar në rast se do të regjistrohen persona të infektuar, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani. Rama bën një analogji me panikun e përhapur pas tërmetit të 26 nëntorit, ku si pasojë e një lajmi fals se do kishte një tjetër lëkundje të fuqishme, e gjithë Tirana dhe Durrësi dolën në rrugë, duke këshilluar që të marrin parasysh vetëm informacionet që vijnë në rrugë zyrtare

"Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë! Por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim. Të njëjtat mendje të shthurrura, që ju shqetësuan keq me lajmet fallco dhe me gojëligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit, janë në veprim. Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit, të cilin jemi gati ta përballim me organizim e profesionalizëm të lartë", shkruan Rama.

Lidhur me atë audio e cila u shpërnda mëngjesin e sotëm në Whatsapp nga një vajzë, sipas së cilës vjehrra e motrës së saj konfirmonte 12 raste në Shqipëri dhe se shteti e fsheh, ka reaguar më herët edhe ministria e Shëndetësisë. Një mesazh dashakeqës e kanë cilësuar Ministria, qetësuar qytetarët se do të jetë transparente me shifrat në rast se do të ketë persona të dyshuar.  Koronavirusi është përhapur edhe në shumë shtete të tjera të botës, mes tyre edhe në Italinë fqinje, ku janë regjistruar 2 viktima dhe mbi dhjetëra të infektuar. Kjo gjë ka bërë që Shqipëria të shtojë masat e sigurisë.

Postimi i kryeministrit Edi Rama