FIER- Një aksident i dyfishtë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Varibop në autostradën Levan-Tepelenë, ku dy persona kanë humbur jetën dhe 5 të tjerë janë plagosur. Aksidenti i parë ka ndodhur në momentin kur një kalimtar ishte duke kaluar rrugën kur është përplasur nga një makinë. Report Tv ka mësuar se në këtë moment, kanë ndaluar disa makina, përfshirë edhe disa nga pasagjerët e një autobusi të linjës Athinë-Tiranë, kanë dalë për ta ndihmuar. Në këtë moment, një tjetër makinë ka ardhur me shpejtësi dhe ka përplasur pasagjerët e autobusit, duke plagosur 5 prej tyre. Viktimat e këtij aksidenti janë Durim Lamaj 50 vjec dhe Fetah Shahaj, 64 vjec. Ndërsa 5 të plagosurit janë:
Jorgji Meraj
Haxhi Lamaj
Sokol Dhima
Mënyre Lamaj
Agron Cecollari
Në vendngjarje ndodhen policia dhe ambulanca. Në terren ndodhet edhe drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola. Të plagosurit janë transportuar në Spitalin e Fierit. Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga Report Tv nga vendngjarja, autobusi qëndron në anë të rrugës që pas momentit kur ka ndodhur aksidenti. Brenda autobusit ndodhen ende pasagjerë. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia me të cilën po udhëtonin makinat si edhe mungesa e ndriçimit në rrugë. Aksidenti i dyfishtë ka shkaktuar edhe kaos në trafik për shkak të radhëve të gjata që janë krijuar në këtë segment që lidh gjithë jugun me Tiranën. Ndërkohë që një tjetër aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme te Ura Vajgurore, ku një 45-vjecar ka humbur jetën, pasi është përplasur nga një karrotrec. (Lexo këtu).
Raportimi i gazetarit të Report Tv, Kristaq Thano nga vendi i ngjarjes
Policia ka dhënë njoftimin e plotë për aksidentin që ka ndodhur në autostradën Levan-Tepelenë. Policia thotë se fillimisht një makinë ka përplasur një këmbësor e më pas banorë të zonës bashkë me disa pasagjerë janë afruar për të ndihmuar këmbësorin. Në këtë moment, sqaron policia, ka ardhur një makinë Opel që ka hyrë në parakalim dhe ka përplasur disa persona.
Njoftimi i policisë:
Në datën 06.01.2019, rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Varibob”, një automjet ka përplasur një këmbësor. Në vendngjarje janë grumbulluar disa banorë të zonës dhe pasagjerë të një mjeti tjetër që kishte parkuar aty për të dhënë ndihmën e parë personit të aksidentuar, të cilët janë përplasur nga një mjet tjetër tip “Opel” i cili ka hyrë në parakalim. Për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit F.Sh, 64 vjeç, banues në Tiranë dhe D.L, 55 vjeç, banues në Vjosë, Fier si edhe janë dërguar në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve 5 shtetas të tjerë. Po punohet për identifikimin e shtetasve të plagosur dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Report Tv ka mësuar se dy viktimat e aksidentit në aksidentin që ka ndodhur në Levan-Tepelenë janë Durim Lamaj 50 vjeç dhe Fetah Shahaj, 64 vjeç. Dy viktimat ndodheshin brenda makinës në momentin kur ka ndodhur aksidenti. Ndërsa të plagosurit janë: Jorgji Meraj, Haxhi Lamaj, Sokol Dhima, Mënyre Lamaj dhe Agron Cecollari.
po emrat e shoferave qe ben aksidentin pse nuk i publikoni apo janë jashtëtokësor
Përgjigju