TIRANE - Presidenti Meta dekreton nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore, Gjeneral Brigade Sandër Lleshaj, që është propozuar nga kryeministri Edi Rama si ministër i Brendshëm, në vend të Fatmir Xhafajt. Statusi i ushtarakut aktiv të Lleshajt ishte edhe pengesa kushtetuese për mosdekretimin e emrit të tij si ministër nga presidenit Ilir Meta. Vetë kreu i shtetit e pati konsideruar si problematikë themelore kushtetuese propozimin për Lleshajn për shkak të statusit të ushtarakut aktiv, i cili "nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra".

Dekreti i lirimit të Lleshajt njofton "tymin e bardhë" nga Presidenca që pritet të dalë orët në vijim, për të dekretuar edhe propozimin e kryeministrit Edi Rama për emërimin e Sandër Lleshajt ministër të Brendshëm. Sot në mesnatë skadon edhe afati i fundit kushtetues kur kreu i shtetit duhet të shprehet me dekret për emrin e ministrit të ri, pas ridërgimit të propozimit nga Rama 7 ditë më parë. 

Njoftimi i presidencës:

DEKRET

PËR

NXJERRJEN NË LIRIM TË OFICERIT ME GRADË MADHORE

Në mbështetje të nenit 93, të Kushtetutës, të nenit 9, pika 3, shkronja “g”, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 26 pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes nr. 8210/1 prot., datë 15.11.2018,

D e k r e t o j

Neni 1

Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshaj, nxirret në lirim.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Njoftimi i presidencës për lirimin e gjeneral Lleshajt

Pikërisht çdekretimi i Lleshajt si ushtarak dhe më pas dekretimi i tij si ministër i Brendshëm ishte edhe propozimi i kryeministrit Edi Rama në letrën drejtuar presidentit të hënën. Pas ripropozimit të Ramës, presidenti Meta rinisi konsultimet me institucionet, ndërsa në një letër drejtuar kryeministrit, ministres së Mbrojtjes dhe kryetarit të Kuvendit, rendiste 14 pyetje për Sandër Lleshajn, duke këmbëngulur te statusi dhe karriera prej ushtaraku. Pasi Meta përgjigjet e kërkuara nga të gjitha institucionet për dosjen e Lleshajt, sot vendosi dekretimin me lirimit të tij nga grada e Gjeneralit. 

Edhe vetë Lleshaj përmes një letre drejtuar Metës të hënën, shprehej se hiqte dorë nga karriera ushtarake dhe grada gjeneral. Ndërsa kryeministrin Edi Rama, i ftuar në "Repolitix" në Report Tv, shpreh i bindur se kreu i shtetit do hedhë firmën mbi propozimin e tij për të bërë vendin me ministër të Brendshëm brenda afatit kushtetues. Nga ana e tij, presidenti Meta u shpreh mbrëmjen e kaluar në një intervistë televizive se mbi dekretin e Sandër Lleshajt do të kishte një përgjigje institucionale e korrekte ditët në vijim. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:02
Dekreti për Lleshajn dhe Vitore Tushën, Meta 25 minuta takim 'kokë më kokë' me Ruçin

Pas dekretimit nga presidenti Ilir Meta të lirimit të Sandër Lleshajt si Gjeneral, kreu i shtetit ka takuar kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Burime për Report Tv thanë se takimi kokë më kokë Meta-Ruçi është zhvilluar në ambientet e Hotel "Tirana" dhe ka zgjatur rreth 25 minuta. 

Më herët Meta nxori në lirim me dekret Lleshajn si ushtarak, ndërsa pritet që në orët në vijim kreu i shtetit të firmosë edhe dekretin e propozimit të Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm në vend të Fatmir Xhafajt. Report Tv mëson gjithashtu se në foks të bisedës ka qenë emri i Lleshajt, por edhe dekreti për kreun e KLSH-së. Meta ka dekretuar emrin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, dekret i cili ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të votohet seancën e ardhshme parlamentare.