RENEA dhe FNSH tjetër aksion në Shijak, kontrolle në banesa dhe biznese për persona në kërkim (VIDEO)

SHIJAK - RENEA dhe FNSH zbresin sërish në Shijak. Të mbështetur nga Grupi i Posaçëm Operacional dhe policia e Durrësit, Forcat Speciale kanë kryer mbrëmjen e kësaj të hëne një tjetër kontroll në banesa dhe lokale për ekzekutimin e urdhër-arresteve të Gjykatës së Durrësit, për persona të skeduar në narko-trafik me Avdulajt. Më herët ishte kryeministri Edi Rama i cili paralajmëroi të tjera aksione nga policia për të vënë në rresht, sipas tij, të ashtuquajturit "të fortë".

Por edhe pse rikthimi i RENEA-s dhe FNSH ka qenë i papritur, Report Tv mëson se policia është larguar pa arrestuar asnjë prej personave të shpallur në kërkim, duke lënë të kuptohet se gjendja e gatishmërisë dhe aksionet e tjera do vijojnë ditët në vijim.

Mbrëmjen e kaluar RENEA goditi një prej familjeve të përfshira në trafikun e drogës, atë të Astrit Avdylit, i cili ra në pranga bashkë me dy vëllezërit dhe një të afërm të tij, ndërsa në të gjithë vendin u arrestuan 27 persona. Grupi i Shijakut ishte i përfshirë edhe në laboratorin e heroinës në fshatin Bërnog të Hasit. Astrit Avdyli u la në burg si truri i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt BE, ndërsa u lirua një prej vëllezërve, Flamur Avdyli. 

Ndërsa nga përgjimet e Prokurorisë të siguruara ekskluzivisht nga Report Tv del se grupi i Shijakut ka qenë i lidhur me atë të Bajrave në Shkodër, si bashkëpunëtorë në trafikun e lëndëve narkotike drejt Italisë. 

l.q.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të pranojnë institucionet shtetërore ulje të pagave si kontribut për situatën e krijuar nga COVID-19?

Komento