Lamtumirë Arben Puto! Përcillet
me nderime në banesën e fundit

Lamtumirë Arben Puto! Përcillet<br />me nderime në banesën e fundit
TIRANE- Akademiku dhe profesori i shquar Arben Puto që u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, ndërsa u përcoll mesditën e së shtunës në mënyrën më dinjitoze.
 
Kishte lënë amanet të mos përcillej nga dera e akademisë siç ndodh në rastet e largimit të një akademiku të shquar, por nga dera e shtëpisë së tij.
 
Pavarësisht zgjedhjes së Tij dhe shiut të madh që bie në Tiranë, në homazhe pati qindra të pranishëm.
 
Një kortezh i gjatë ku marrin pjesë akademikë e personalitete, miq familjarë e studentë të profesor Putos përcjell me nderime dhe kurora lulesh akademikun e shquar.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllimet duke theksuar se “Akademik Arben Puto la një boshllëk të madh në studimet për historinë politike e diplomatike të çështjes shqiptare. Vepra e tij është një referencë e patejkalueshme për brezat e studiuesve.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka çuar një kurorë me lule kryetari i kuvendit Ilir Meta ka shprehur ngushëllime  të përzemërta.

Meta thekson se “Profesor Puto ishte nga ata njerëz të rrallë, që jeta ju dha një mundësi të veçantë; jetoi në tre sisteme të ndryshme qeverisjeje, luftoi ndaj dy pushtimeve të huaja duke marrë kështu përvojën jetësore të jashtëzakonshme të qytetarit të angazhuar.

Ai u bë dëshmitar, por dhe protagonist i historisë dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare në kohë thyerjesh të forta dhe të rëndësishme.

Partizan në Luftën e Dytë Botërore, pedagog i jurisprudencës e studiues mbas çlirimit të vendit dhe veprimtar i shquar për të drejtat e njeriut në demokraci, Profesor Puto ishte dhe do të jetë një pikë e rëndësishme e kujtesës sonë; gjirokastriti tipik ishte qytetari i veçantë i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.”, shkruan Meta

Në kortezhin e përcjelljes ishin edhe përfaqësues të Komitetit Shqiptar në Helsinki. Prania e tyre të kujton faktin kur në vitet ‘90 Arben Puto mori përgjegjësi qytetare në momentet më kritike për vendin.

Ai ishte bashkëthemelues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe President i Asamblesë së tij, me një rol parësor në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Nekrologjia
Arben Puto (1924-2016), anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Arben Puto ishte një figurë qendrore e shkencës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX e në vijim.

I lindur në një familje të njohur tradicionale gjirokastrite, Arben Puto u bë pjesë e lëvizjes përparimtare të rinisë dhe më pas mori pjesë në veprimin antifashist shqiptar, duke ndërprerë për këtë shkak studimet e mesme, të cilat i përfundoi pas Luftës. Pas diplomimit në Moskë në fushën e së drejtës ndërkombëtare, Arben Puto u bë një prej përfaqësuesve të brezit themelues të Universitetit të Tiranës. Në këtë institucion bazal të formimit të brezave të rinj ai ishte profesori i dashur dhe i ditur dhe drejtuesi e funksionari i nderuar prej punonjësve e kolegëve të tij në disa nivele.

Veprimtaria shkencore e akademik Arben Putos shtrihet në më shumë se një gjysmë shekulli. Ai me të drejtë konsiderohet studiuesi më autoritar i historisë diplomatike të Shqipërisë, i rolit të faktorit gjeopolitik në çështjen shqiptare. Në një varg veprash monografike, të hartuara mbështetur në burime shqiptare e të huaja, Arben Puto ka bërë të njohur aspektet ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë, kushtëzimin e saj prej interesave të faktorëve vendimmarrës europianë e botërorë, rolin individual të protagonistëve politikë shqiptarë në periudhën midis dy luftërave, marrëveshjet dhe protokollet e fshehta, demagogjinë dhe padrejtësitë e kohërave.

Shkencëtar dinjitoz, Arben Puto nderohet për koherencën e mendimit të tij shkencor, duke mbetur një shembull i pavarësisë së dijes nga ideologjitë dhe tendencat.
Si bashkautor i tekstit të historisë së Shqipërisë në disa gjuhë të huaja, Arben Puto është një prej emrave më të kuotuar në historiografinë albanologjike e ballkanologjike europiane dhe amerikane.

Arben Puto mori përgjegjësi qytetare në momente kritike për vendin. Ishte bashkëthemelues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe President i Asamblesë së tij, me një rol parësor në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, çështje së cilës i kushtoi energji, inteligjencë dhe botime.

Akademik Arben Puto la një boshllëk të madh në studimet për historinë politike e diplomatike të çështjes shqiptare. Vepra e tij është një referencë e patejkalueshme për brezat e studiuesve.

homazhe arben puto
homazhe arben puto

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë